Suharekë, 17 dhjetor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në mbrëmjen e sotme mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e shënimit të 15-vjetorit të themelimit të Shoqatës Bëmirëse “Jetimat e Ballkanit”, e cila u mbajt në hapësirat e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyqi”, në qytetin e Suharekës.
Aty, kryeministri Kurti u mirëprit nga kryetari i kësaj shoqate, Halil Kastrati.
“Varfëria dhe vështirësitë ekonomike janë sfida shumë të mëdha në shumë komunitete, ndërkaq shteti ka përgjegjësinë kryesore për të siguruar mirëqenien e qytetarëve. Megjithëkëtë organizata të tilla, si “Jetimat e Ballkanit”, luajnë një rol shumë të rëndësishëm në plotësimin e nevojave të atyre që janë më të prekur”, tha ai.
Ai gjithashtu theksoi bashkëpunimin që ka qeveria me Organizatën Bëmirëse “Jetimat e Ballkanit” në disa komuna të Kosovës dhe i cili po vazhdon me zgjerimin e tij në projekte të shumta, përfshirë këtu edhe rreth 200 shtëpi, që po i ndërtojmë së bashku në veriun e Kosovës.
Në ngjarjen e organizuar nga Shoqata Bëmirëse “Jetimat e Ballkanit”, krahas kryeministrit Kurti ishin edhe anëtarë tjerë të kabinetit qeveritarë, deputetë nga Kuvendi i Kosovës, ambasadorë e përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile.
Kryeministri shprehu urimet e tij me rastin e shënimit të 15-vjetorit të themelimit si dhe mirënjohjen e tij të thellë ndaj Organizatës Bëmirëse “Jetimat e Ballkanit”.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari z. Halil Kastrati, Kryetar i Shoqatës Bëmirëse “Jetimat e Ballkanit”,
Të nderuar përfaqësues të ekzekutivit në vendin tonë, kolegë nga Qeveria,
Zëvendëskryeministre, ministra, e zëvendësministra,,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Kryetarë të Komunave të shtetit tonë,
Të nderuar anëtarë të familjes sonë emblematike Jashari, Bekim dhe Besarta Jashari,
Shkëlqesi ambasadorë dhe ju diplomatë të tjerë të vendeve mike të akredituara në Republikën e Kosovës,
Të nderuar udhëheqës e përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të Kishës Katolike në vendin tonë, Myfti Naim Tërnava dhe Don Mikel Sopi
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, e të organizatave të shoqërisë civile,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Halil Kastrati dhe organizata “Jetimat e Ballkanit” për shumë hallexhinj, kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si dritarja drejtë mundësive edhe atëherë kur errësira duket e patejkalueshme.
Jo rrallëherë varfëria, ndonëse nuk është një fatkeqësi natyrore, padrejtësisht godet deri në mjerim fëmijë dhe familje të ndryshme, ku shpëtimi i tyre varet nga zemërgjerësia dhe vullneti i njerëzve që ndihmojnë.
Shteti nganjëherë mund të jetë shumë burokratik për të bërë ndërhyrje të shpejta aty ku kërkesat janë urgjente e ditët janë përcaktuese për jetën.
Gjatë këtij mandati qeverisës ne kemi bashkëpunuar si Qeveri e Republikës së Kosovës me Organizatën Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” në disa komuna të Kosovës dhe po e vazhdojmë zgjerimin e këtij bashkëpunimi nga projektet shumta, përfshirë këtu edhe rreth 200 shtëpi që po i ndërtojmë së bashku në veriun e Kosovës.
Varfëria është dhuna më e rëndë atëherë kur godet ata që janë më të pambrojturit, ata që janë më shumë në nevojë se të tjerët, e këtu para së gjithash e mbi të gjitha e kam fjalën për fëmijët, për gratë dhe për pleqtë.
Dhe, të nderuar pranishëm, pa ndihmuar të varfërin nuk e kupton as varfërinë. Vetëm atëherë kur të ndihmosh vetëdijesohesh se çfarë ka qenë ajo gjendje në të cilën kanë kaluar dhe kjo mund të vërehet në çdo aspekt të ndihmës që jep cilido prej nesh. Dhe ndihma nuk e ndihmon vetëm nevojtarin, po dhe atë që jep, sepse edhe ai që jep, fisnikërohet nëpërmjet ndihmës të cilën e jep si bamirësi, si kontribut për tjetrin.
Në rastin konkret, kemi edhe shembuj të ndihmës e cila tejkalon fokusin e saj, dhe bëhet ndjeshmëri shoqërore. Konkretisht kur keni ndihmuar 62 mijë gra lehona për herë të parë në Republikën e Kosovës me mbështetje financiare dhe mbi 400 mijë fëmijë deri në moshën 16-vjecare, meqenëse shtesat për fëmijë janë dhënë në xhirollogari të nënës, mbi 100 mijë gra në Kosovë kanë hapur xhirollogari bankare për herë të parë në vendin tonë.
Pra, duke e ndihmuar atë që ka më pak, që është i varfër, i shfrytëzuar, i diskriminuar, i margjinalizuar, vjen në pikën në të cilën atë qytetar e bëjnë më aktiv, dhe pikërisht këtë gjë e kanë bërë “Jetimat e Ballkanit”. Shumë qytetarë në Republikën tonë sot janë aktivë, punojnë, angazhohen, pikërisht për shkak se kanë marrë atë ndihmë. Dhe, në forma të ndryshme, ata i kontribuojnë shoqërisë, e cila drejtpërsëdrejti por edhe nëpërmjet shtetit tonë ka obligim për të tjerët, për ata të cilët i kanë nevojat më të mëdha dhe më urgjente.
Varfëria dhe vështirësitë ekonomike janë sfida shumë të mëdha në shumë komunitete, ndërkaq shteti ka përgjegjësinë kryesore për të siguruar mirëqenien e qytetarëve. Megjithëkëtë, organizata të këtilla, si “Jetimat e Ballkanit, luajnë një rol shumë të rëndësishëm në plotësimin e nevojave të atyre që janë më të prekur.
Përmes donacioneve dhe angazhimit të vullnetareve “Jetimat e Ballkanit” ofrohet një gamë e gjerë e shërbimeve dhe duke vepruar në mënyrë të shpejtë dhe fleksibile ato mund të arrijnë njerëz të cilët presin dorën e bamirësve.
Urime 15-vjetori e ju dëshiroj edhe shumë përvjetorë të tjerë me kontributin e vazhdueshëm që do ta ketë për partner Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Faleminderit!
Last modified: 18 Dhjetor, 2024