Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti u takua me Kryetarin e Kuvendit të Kroacisë, Gordan Jandroković

13 Dhjetor, 2024

Zagreb, 13 dhjetor 2024

Në kryeqendrën e Kroacisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mirëprit nga Kryetari i Kuvendit kroat, Gordan Jandroković.

Kryeministri Kurti theksoi përgjatë bisedës progresin demokratik dhe shoqëror të Kosovës të katër viteve të fundit.

Në fokus të takimit ishte edhe fuqizimi e thellimi i bashkëpunimit të dyanshëm mes shteteve tona, si në rrafshin ekonomik dhe tregtar, por gjithashtu edhe në marrëdhëniet ndërmjet Kuvendeve tona, e sidomos në komisionet parlamentare për integrim evropian dhe ato për punë të jashtme.

Kryeministri Kurti shprehu dhe synimet strategjike të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe bashkimit të familjes së shteteve partnere në NATO dhe BE ku edhe Kroacia bën pjesë, për çka e falënderoi dhe shtetin kroat për përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Në vijim, u trajtua edhe sulmi i fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, për çka Kryeministri Kurti e njoftoi Kryetarin e Kuvendit të Kroacisë, Gordan Jandroković, për synimet destruktive të sulmit dhe dëmtimit të infrastrukturës kritike, si dhe për hetimet të cilat po vazhdojnë e kanë sjellë deri tash konfiskimin e armatimit, uniformave dhe emblemave të ushtrisë, shumica dërmuese prej të cilave janë të Serbisë dhe 20 tjera të Rusisë, e që tregojnë për përfshirje të Serbisë dhe aktorëve të tjerë të jashtëm.

Last modified: 13 Dhjetor, 2024

Comments are closed.