Prishtinë, 10 dhjetor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, morën pjesë në lansimin e sistemit të hallkave për mbikëqyrje elektronike.
Pasi pa nga afër demonstrimin që u prezantua, mënyrën se si funksionojnë hallkat për monitorim elektronik, kryeministri Kurti tha se hallkat apo byzylykët, të cilët do të vendosen në dorën ose këmbën e dhunuesit apo të dyshuarit, do të luftojmë suksesshëm si asnjëherë më parë dhunën në familje. Kështu, në rastet kur kryesi i dhunës i afrohet viktimës përkundër urdhrit mbrojtës, menjëherë do të lajmërohen niveli mbikëqyrës lokal dhe ai qendror i Policisë, duke u mundësuar atyre reagimin efikas dhe në kohë.
Ai më tej tha se ky sistem qenë kërkesë e kamotshme e policisë sonë në mënyrë që të ketë parandalime më efikase dhe hetime më të mira, duke theksuar se problemet më të mëdha janë shkaktuar për shkak të mosrespektimit të urdhrave mbrojtës.
Kryeministri Kurti përgëzoi Drejtorin e Policisë, dy ministrat dhe gjithë Policinë e Kosovës për këtë të arritur domethënëse, e cila pa dyshim do ta reduktojë jashtëzakonisht shumë dhunën në familje.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se në momentin që do të kemi një urdhër mbrojtës nga gjykata tashmë do të funksionojë sistemi për mbikëqyrjen elektronike.
“Ju e dini që ne në vazhdimësi kemi thënë që do të ndërmarrim secilin veprim për të mbrojtur jetën e vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës. Kemi ndërmarrë shumë veprime gjatë këtyre 16 ditëve kemi pasur shumë takime sensibilizuese gjithandej komunave të Republikës së Kosovës. Por mendoj që sot me këtë lansim kjo është ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e vajzave dhe grave në Republikën e Kosovës”, tha ministrja Haxhiu.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ky është edhe një sukses i policisë por edhe sistemit të drejtësisë drejt asaj që të parandalohet përsëritja e dhunës ndaj vajzave dhe grave tona por jo vetëm. Ai shtoi se ky sistem do të shfrytëzohet edhe për raste të tjera në parandalimin e veprave të ndryshme penale por roli primar është parandalimi i përsëritjes së dhunës ndaj grave tona.
Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, e ndoqëm demonstrimin që na u prezantua të mënyrës se si funksionojnë hallkat ose byzylykët për monitorim elektronik, të cilët do të vendosen në dorën ose këmbën e dhunuesit ose të dyshuarit, në anën tjetër gjithashtu edhe gjurmuesit, të cilët do t’i kenë viktimat, në mënyrë që ta luftojmë suksesshëm si asnjëherë më parë dhunën në familje.
Ka qenë kërkesë e kamotshëm që policia jonë, për të pasur parandalime më efikase, hetime më të mira dhe trajtime më gjithëpërfshirëse, të kalojë edhe në këtë fazë të hallkave për monitorim elektronik.
Në rast se do të ketë situatë të tilla, ku brenda një zone të caktuar viktimës i afrohet, i dyshuari ose dhunuesi potencialisht recidivist menjëherë do të lajmërohen të dy nivelet: edhe niveli lokal, edhe ai qendror i policisë dhe më pastaj janë procedura standarde për ndërhyrje.
Duhet të theksojmë që problemet më të mëdha i kemi për shkak se nuk respektohen urdhrat mbrojtës. Pra, defekti nuk është thjesht mungesa e hallkave për monitorim elektronik por mosrespektimi i urdhrave mbrojtës.
E tash meqenëse ka të tillë që do të vazhdojnë me mosrespektim të urdhrave mbrojtës ne e kemi bërë një hap gjigant në mbikëqyrje të të gjithë këtyre personave të cilët na i kanë mbushur lajmet në këto vitet e fundit me rastet e dhunës në familje, e kanë tronditur mbarë shoqërinë dhe kanë këputur jetë ose i kanë bërë ato të mjerueshme nëpër familjet e tyre.
Unë e përgëzoj Drejtorin e Policisë, dy ministrat dhe gjithë Policinë e Kosovës për këtë të arritur domethënëse, e cila pa dyshim se do ta reduktojë jashtëzakonisht shumë dhunën në familje.
Last modified: 10 Dhjetor, 2024