Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në Forumin e Liderëve Politikë në RIT Kosovo

9 Dhjetor, 2024

 

Prishtinë, 9 dhjetor 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në Forumin e Liderëve Politikë, në kuadër të një sërë diskutimesh me kandidatë për Kryeministër nga të gjitha partitë kryesore politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e ardhshme të Republikës së Kosovës, organizuar nga RIT Kosovo, “The Rochester Institute of Technology Kosovo”.

Kryeministri tha se është nder dhe kënaqësi të jetë pjesë e këtij programi unik dhe të rëndësishëm. Gjatë fjalës së tij hyrëse dhe diskutimit me studentë, në theks ishin qeverisja gati katër vjeçare dhe përballja me sfidat e paprecedenta gjatë mandatit, që përfshijnë ballafaqimin me pandeminë COVID-19, krizën globale energjetike dhe çrregullimit të tregut si pasojë e agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë.

Ai tha se Qeveria ka shfaqur maturi në përballjen me krizat globale dhe sfidat që janë paraqitur përgjatë mandatit, duke hartuar dhe zbatuar pakon më të madhe mbështetëse për qytetarët në Ballkan në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike si përqindje e BPV-së, (4.3%), sipas Raportit të Bankës Botërore, pa krijuar borxhe të reja dhe vazhduar të ketë rritje të qëndrueshme ekonomike çdo vit – me një rritje mesatare vjetor prej 6.36% të BPV.

Përkundër këtyre sfidave të nivelit global, Kosova ka shënuar rritje ekonomike që është përcjellë me rritje të eksporteve, të punësimit, të pagave në sektorin publik, të pensioneve për të gjitha kategoritë e pensionistëve, paga minimale është rritur për herët të parë në më shumë se një dekadë, si dhe janë prezantuar politika mbështetëse për familjet, siç janë shtesat për nënat e reja dhe fëmijët, dhe janë mbështetur bizneset, me theks prodhuesit vendorë.

Në të njëjtën kohë është shënuar progres i madh demokratik, duke u bërë kështu shembull që zhvillimi ekonomik dhe progresi demokratik ecin bashkë dhe dëshmi e tezës së nobelistëve në ekonomi, Daron Acemoglu, Simon Johnson, dhe James A. Robinson të cilët në librin e tyre të fundit argumentojnë se demokracia qartazi i bën mirë rritjes së ekonomisë, ofrimit të shërbimeve publike dhe reduktimit të pabarazive në arsim, shëndetësi dhe në mundësi.

Pas adresimit fillestar, kryeministri iu përgjigj pyetjeve të studentëve pjesëmarrës.

Last modified: 9 Dhjetor, 2024

Comments are closed.