Zyra e Kryeministrit

Përurohen investimet e reja në Klinikën e Radiologjisë

9 Dhjetor, 2024

 

Prishtinë, 9 dhjetor 2024

Sot, në Klinikën e Radiologjisë u përurua hapësira e re pritëse, sporteli dhe sistemi digjital i radhëve.

Për herë të parë, u instalua sistemi digjital i pritjes, i cili shmang tollovitë dhe organizon më mirë rrjedhën e pacientëve. Ky sistem është pjesë e një projekti që përfshin 15 klinika të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), me vlerë 80 mijë euro.

Transformimi i hapësirave pritëse dhe sportelit në Radiologji është pjesë e një investimi më të gjerë që përfshin edhe renovimet në sportelet e Klinikës së Kirurgjisë, kirurgjisë plastike, urologjisë, kirurgjisë torakale, vaskulare dhe neurokirurgjisë, si dhe Klinikën e Biokimisë. Vlera e këtyre investimeve arrin në 393 mijë euro.

Me këtë rast, Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, dhe drejtues të ShSKUK-së dhe QKUK-së, vizitoi hapësirat e transformuara në Klinikën e Radiologjisë.

Gjatë vizitës, Kryeministri ndaloi edhe në Klinikën e Mjekësisë Nukleare, ku është instaluar dhe funksionalizuar pajisja më e avancuar diagnostikuese në rajon – SPECT/CT Any-scan Trio, pajisja e vetme me tre detektorë për ekzaminime të detajuara. Vlera e kësaj pajisjeje është 850 mijë euro, duke e bërë Kosovën vendin e vetëm në rajon që zotëron një teknologji të tillë.

Në të njëjtën klinikë, është funksionalizuar edhe shërbimi i PET/CT, përmes pajisjes së pranuar si donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, falë angazhimit të ish-Presidentes Atifete Jahjaga dhe Presidentes Osmani.

Qeveria e Kosovës mbetet e angazhuar për krijimin e kushteve moderne në shëndetësinë publike, me pajisje të avancuara dhe qasje më të lehtë për qytetarët në shërbimet shëndetësore.

Pronocimi i plotë për media i kryeministrit Kurti:

Ju faleminderit që keni ardhur sot këtu në Klinikën e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Jam bashkë me disa doktorë, të cilët gjithashtu i kanë edhe funksionet e tyre zyrtare institucionale, me ministrin Arben Vitinë, pastaj me drejtorët e ShSKUK-së edhe të QKUK-së, Elvir Azizin dhe Osman Hajdarin, me doktoreshën, deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, cila njëkohësisht e drejton Komisionin për Shëndetësi në legjislativin tonë. Gjithashtu, është edhe doktori Fakir Spahiu, me të cilin më herët ishim tek Shërbimi Klinik i Mjekësisë Nukleare dhe pamë aty teknologjinë më të re, me të cilën është pajisur mjekësia nukleare në Kosovë dhe gjithashtu edhe doktoreshën Shkëndije Nuza, e cila është drejtoreshë e kësaj Klinikës së Radiologjisë.

Këtu ku ndodhemi, kemi bërë adaptimin e korridoreve dhe pritoreve. Përveç Klinikës së Radiologjisë, gjithashtu edhe në Biokimi Mjekësore dhe në kirurgji vlera e gjithmbarshme është diç më shumë se 393 mijë euro dhe punimet janë kryer mbi 90 për qind në të tri këto klinika, e plotësisht, pikërisht këtu ku ndodhemi tash në Radiologji.

Pra, kemi pasur për qëllim rregullimin e pritoreve dhe të korridoreve për pacientë dhe familje në hollet e këtyre tri klinikave, radiologji, biokimi dhe kirurgji, me ç’rast i kemi trajtuar të gjithë elementet e enterierit që e bëjnë edhe punën cilësore të mjekëve, specialistëve dhe infermierëve, por gjithashtu edhe trajtimin sa më të dinjitetshëm e të suksesshëm të pacientëve. Pra, kemi trajtuar muret, plafonin, dyert, parmakët e shkallëve dhe gjithashtu, dyert në dalje në korridore, ndriçimin, ventilimin, klimatizimin, priza dhe instalimet elektrike dhe shtatë copë sportele të reja, të cilët kanë ardhur dhe janë instaluar këtu, në mënyrë që gjithçka të jetë sa më efikase edhe cilësore. Ndërkaq, dyshemeja edhe shkallët kanë pasur një pastrim të thellë.

Para se të vijmë këtu në Radiologji, ishim në shërbimin Klinik Mjekësisë Nukleare, ku jemi pajisur me një aparaturë, e cila është e vetmja në rajonin e Ballkanit. Aparati i ri quhet SPECT/CT, me vlerë prej 850 mijë euro. Është blerë nga buxheti i shtetit, edhe pse kishte kërkesa qysh nga viti 2018, nuk është blerë asnjëherë. SPECT/CT-ja përdorë izotopet radioaktive për të krijuar imazhe funksionale dhe për të treguar se si funksionojnë, si organet, ashtu edhe indet në trupin e njeriut, paralelisht pra me CT-në, që krijon imazhe strukturore në detaje të larta për anatominë e trupit dhe kombinimi i këtyre të dy teknikave ndihmon në diagnostikimin më të saktë. Janë kryer edhe trajnimet e nevojshme për stafin lidhur me këto funksione dhe këtë aparaturë kaq moderne, me ç ‘rast kemi edhe investime shtesë nga donacionet, të cilat kanë kompletuar gamën e shërbimeve në Shërbimin Klinik të Mjekësisë Nukleare.

Siç e dini, më herët, para disa muajve më saktësisht, është lëshuar PET/CT-ja, donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërmjetësuar nga ish Presidentja Jahjaga dhe Presidentja Osmani. Dhe, tash si shtesë e kemi këtë SPECT/CT-në me vlerë prej 850 mijë eurove, që është lajm i mirë, si për punëtorët shëndetësorë, gjithashtu edhe për pacientët aktualë e potencialë në vendin tonë.

Faleminderit.

 

Last modified: 9 Dhjetor, 2024

Comments are closed.