Sarajevë, 6 dhjetor 2024
Në Sarajevë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, krahas takimeve me drejtues të institucioneve, ka zhvilluar takime edhe me drejtues të partive politike në Bosnjë dhe Hercegovinë, përkatësisht me Kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik (SDA), Bakir Izetbegović dhe Kryetarin e Partisë për Bosnjën dhe Hercegovinën (Stranzka za BiH), Semir Efendić.
Kryeministri fillimisht u mirëprit nga Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Izetbegović me të cilin diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, zhvillimet në të dy vende dhe mundësitë dhe sfidat e përbashkëta. Kryetari Izetbegović e falënderoi për vizitën, me ç’rast i dhuroi kryeministrit librin e babait të tij, ish presidentit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Alija Izetbegović, “Alija Izetbegoviq: Vepra 3”.
Pastaj, u mirëprit nga Kryetari Partisë për Bosnjën dhe Hercegovinën, Semir Efendić. Edhe me të diskutuan për raportet ndërmjet dy vendeve dhe për rritjen e bashkëpunimit. Z. Efendić e falënderoi kryeministrin për vizitën dhe për vendimin e Qeverisë që të mundësojë udhëtimin e lirshëm të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës me letërnjoftim në Kosovë duke filluar nga 1 janari 2025.
Pas këtyre takimeve, kryeministri Kurti do të marrë pjesë si folës kryesor në një diskutim rreth bashkëpunimit dhe marrëdhënieve rajonale të organizuar nga organizata joqeveritare, “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.
Last modified: 6 Dhjetor, 2024