Washington DC, 6 dhjetor 2024
Qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vizitën zyrtare të Zëvendëskryeministrit të Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, vijoi me takimin me kongresmenin amerikan, Keith Self.
Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e palëkundur dhe përkrahjen ndaj Kosovës në etapat shtetndërtuese. Së bashku, diskutuan mbi progresin demokratik, rritjen ekonomike dhe zhvillimin e Kosovës.
U diskutua edhe rëndësia e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës dhe mbështetjes së partnerëve e miqve tanë amerikanë në këtë rrugëtim, veçanërisht për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Kërcënimet e sigurisë ishin një ndër aspektet e diskutuara përgjatë takimit, ku edhe kongresmeni Keith Self shprehu shqetësimin e tij lidhur me sulmin e fundit terrorist në infrastrukturë kritike në kanalin e Ibër Lepencit. Zëvendëskryeministri theksoi rrezikun që paraqet Serbia përmes akteve të agresionit dhe sulmeve të vazhdueshme terroriste ndaj Republikës së Kosovës.
Last modified: 6 Dhjetor, 2024