Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në prezantimin e edicionit të pestë të Librit të Bardhë të Këshillit të Investitorëve Evropianë

2 Dhjetor, 2024

 

Prishtinë, 2 dhjetor 2024

Është mbajtur sot prezantimi i edicionit të pestë të Librit të Bardhë të Këshillit të Investitorëve Evropianë, ngjarje kjo në të cilën mori pjesë edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Fillimisht, në fjalën e tij, kryeministri tha se kjo ngjarje e ky prezantim është dëshmi e rikonfirmimit të angazhimit tonë të përbashkët për të përmirësuar panoramën ekonomike të Kosovës.

Teksa falënderoi Këshillin e Investitorëve Evropianë dhe anëtarët e tij për angazhimin e tyre, kryeministri Kurti vlerësoi se Publikimi i Librit të Bardhë 2024, është një dokument i vlefshëm plot me analiza e të dhëna i përgatitur nga Këshilli i Investitorëve Evropianë, që përmban edhe rekomandime që janë të rëndësishme për ne si Qeveri edhe për të gjitha institucionet e tjera shtetërore.

“Kosova, si një shtet i ri, evropian dhe me moshë mesatare të re, po tregon çdo ditë se demokracia dhe zhvillimi mund të ecin paralelisht e bashkë me njëri-tjetrin. Edhe raportet ndërkombëtare të organizatave si, World Justice Project, Transparency International, Freedom House, Gallup, V-Dem Institute, si dhe Banka Botërore e Fondi Monetar Ndërkombëtar, janë tregues e dëshmues të progresit dhe qëndrueshmërisë së progresit në vendin tonë dhe nivelit të lartë të arritjeve, sidomos në vitet e fundit. Kjo është arsyeja pse shteti ynë po sulmohet, pse duan të na e ndalin hovin. Por nuk do t’ia dalin.” tha kryeministri përgjatë fjalës së tij.

Ai trajtoi edhe përparimet dhe zhvillimet që janë bërë në aspektin e zhvillimit ekonomik në katër vitet e fundit si rritja mesatare ekonomike, dyfishimi i eksporteve, përmirësimi i raportit eksport-import, rritje e investimeve të huaja, rritje e punësimit e si rezultat ulje e papunësisë, pagë minimale e re, përkrahje direkte për punësimin e mbi 12 mijë grave, borxh publik të ulët duke qenë më i ulëti në Evropë, dhe rritje të shpenzimeve kapitale.
“Në fjalimin tim në Librin e parë të Bardhë të prezantuar gjatë qeverisjes sonë në dhjetor të vitit 2021, pra vetëm nëntë muaj pas fillimit të mandatit tonë qeverisës, pata thënë se “Ekonomia e Kosovës është jo vetëm e uritur por edhe e etur për investime.” E pata theksuar këtë, sepse vendi ynë kishte nevojë për kalimin kah zhvillimi ekonomik, e për këtë na duhej rritje e investimeve, që prekte drejtpërdrejt mandej edhe rritjen e punësimit edhe rritjen e produktivitetit, sepse na duhet të rrisim edhe produktivitetin përbrenda rritjes së ekonomisë. Sot, tri vite më vonë, të gjithë indikatorët ekonomikë të Kosovës, tregojnë që e kemi arritur këtë dhe se jemi në rrugë të mbarë. Kemi punuar drejt dhe me politika të qëlluara, që kanë sjellë ndikim pozitiv në ekonominë e vendit dhe jetën e qytetarëve.” theksoi kryeministri.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari z. Genond Mesareja, Kryetar i Bordit të Këshillit të Investitorëve Evropian,
I nderuar Drejtor i BERZh-it, z. Sergiy Maslichenko,
I nderuari Drejtor Menaxhues i Këshillit të Investitorëve Evropian, z. Emrush Ujkani,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Investitorëve Evropian,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Prezantimi i edicionit të pestë të Librit të Bardhë të Këshillit të Investitorëve Evropian është rikonfirmim i angazhimit tonë të përbashkët për të përmirësuar panoramën ekonomike të Kosovës. Andaj, është kënaqësi të mblidhemi bashkë këtu, të diskutojmë me njëri-tjetrin dhe t’i shpijmë përpara idetë e reja e të dobishme për zhvillimin e vendit.

Së pari dua të falënderoj Këshillin e Investitorëve Evropian dhe anëtarët e tij, duke përfshirë kompanitë që e mbushin këtë angazhim dhe udhëtimin tonë plot me punë, përvoja dhe jetë.

Publikimi i Librit të Bardhë 2024, njohur ndryshe si White Book 2024, përveç që është një dokument i vlefshëm plot me analiza e të dhëna, i përgatitur nga Këshilli i Investitorëve Evropian, përmban në të njëjtën kohë rekomandime që janë të rëndësishme edhe për neve si Qeveri e Republikës dhe për institucionet e tjera të shtetit. Këto rekomandime do të na ndihmojnë në përmirësimin e mëtejshëm të legjislacionit dhe politikave tona që ndërlidhen posaçërisht me zhvillimin e sektorit privat.

Kompanitë që ju përfaqësoni kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit privat në veçanti, por edhe të Republikës sonë në përgjithësi. Vlerësojmë shumë vendosmërinë e disa prej këtyre kompanive, të cilat gjithashtu janë anëtarë tuaj, që kanë zgjedhur të zgjerojnë shërbimet e tyre edhe në pjesën veriore të vendit, me qëllim të ofrimit të shërbimeve gjithëpërfshirëse e cilësore për të gjithë qytetarët e vendit tonë, pa dallim.

Përveçse janë aktivë si organizatë edhe në Këshillin Kombëtar për Ekonomi dhe Investime dhe në shumë aktivitete e mekanizma të tjerë, vlerësoj në mënyrë të veçantë rolin e Këshillit të Investitorëve Evropian, për angazhimin dhe avokimin e vazhdueshëm për Republikën e Kosovës.

Por, përpara se të vazhdoj më tej, nuk mund të tejkalojmë këto sulme, me të cilat po përballet vendi ynë.

Të premten e kaluar, një sulm terrorist e kriminal, i cili e shpiu luftën hibride drejt sulmit kinetik, sepse synonte infrastrukturën kritike, me qëllim destabilizimin e vendit tonë dhe cenimin e sigurisë së qytetarëve e frikësimin e popullsisë, por edhe përçarjen e komuniteteve. Ata u përpoqën të na privojnë nga uji i pijshëm, nga energjia elektrike dhe nga ngrohja në mes të dimrit, duke synuar një kolaps total të jetës sonë të përditshme dhe të sigurisë sonë. Sulme të manualit rus, sulme kundër shtetit dhe qytetarëve të vendit. Paçka se dikë atje në Beograd e brengos Republika demokratike dhe sovrane e Kosovës, e cila po zhvillohet dhe përparon me hapa të shpejtë, ata nuk ia arritën qëllimit të tyre përmes këtij sulmi, sepse Republika jonë është e fortë dhe institucionet tona janë profesionale e me integritet.

Kosova është shembull i suksesit i ndërhyrjes së NATO-s kundër një regjimi brutal, i cili po kryente gjenocid në Kosovë. E tash, Kosova, si një shtet i ri, evropian dhe me moshë mesatare të re, po tregon çdo ditë se demokracia dhe zhvillimi mund të ecin paralelisht e bashkë me njëri-tjetrin. Edhe raportet ndërkombëtare të organizatave si, World Justice Project, Transparency International, Freedom House, Gallup, V-Dem Institute, si dhe Banka Botërore e Fondi Monetar Ndërkombëtar, janë tregues e dëshmues të progresit dhe qëndrueshmërisë së progresit në vendin tonë dhe nivelit të lartë të arritjeve, sidomos në vitet e fundit. Kjo është arsyeja pse shteti ynë po sulmohet, pse duan të na e ndalin hovin. Por nuk do t’ia dalin.

Të nderuar të pranishëm,

Nga organizatat që përmenda më herët, World Justice Project ka vlerësuar se Kosova ka arritur përparimin më të madh në sundimin e ligjit në rajon. E kjo është në të mirën edhe të investitorëve të huaj edhe atyre vendorë. Shteti nuk ndërhyn në bizneset tuaja. Qeveria ju ndihmon, duke siguruar sundimin e ligjit dhe barazinë para ligjit.

E dimë se tre vitet e fundit kanë qenë vite sfiduese globalisht. Paqja dhe siguria për një kohë tejet të gjatë janë marrë të mirëqena në Evropë, e posaçërisht në Evropën Perëndimore, por sidomos ne në Kosovë e dimë që ato nuk janë të garantuara.

Por, jemi me fat dhe falënderues që në mes të këtyre sfidave, Bashkimi Evropian na ka ofruar një mundësi të paparë për të përshpejtuar integrimin tonë. Ne po tregojmë gatishmërinë tonë për anëtarësim në Bashkim Evropian çdo ditë, e Bashkimi Evropian tani duhet të tregojë gatishmërinë e tij për ta pranuar përparimin tonë në një proces të bazuar në meritokraci.

Kemi bërë përparime në zgjerimin e qasjes në financime për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe kemi marrë vlerësimin tonë të parë kreditor. Kosova ka qenë pioniere në përfshirjen e shërbimeve në marrëveshjen EFTA dhe tani do të përfaqësohet plotësisht në CEFTA, duke promovuar tregtinë dhe bashkëpunimin mbi përplasjet politike.

Gjatë tre viteve të fundit të qeverisjes, kemi arritur një rritje mesatare ekonomike prej 6.36%. Ky proces, i cili është duke u shprehur edhe në dyfishimin e eksporteve dhe përmirësimin e raportit eksport-import nga 1:9 në 1:6 dhe duke i rritur investimet e huaja në një mesatare prej 664.3 milionë euro për vitet 2021-2023, që është më shumë se dyfishi i mesatares së periudhës 2007-2020, padyshim që është proces i progresit dhe si i tillë duhet ruajtur, mbrojtur dhe shpjerë më tej.

Numri i vendeve aktive të punës në Kosovë ka arritur në 430 mijë, duke shënuar një rritje prej afër 23% që nga viti 2021, ndërkaq papunësia ka rënë nga 25.8% në 10.7%. Kemi përkrahur direkt punësimin e mbi 12 mijë grave dhe kemi vendosur një pagë minimale të re prej 350 euro.

Borxhi publik i vendit tonë është më i ulëti në Evropë, vetëm 17%, dhe shpenzimet kapitale në vitin që shkoi ishin 561 milionë euro, me një rritje prej 23% gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2024.

Në fjalimin tim në Librin e parë të Bardhë të prezantuar gjatë qeverisjes sonë në dhjetor të vitit 2021, pra vetëm nëntë muaj pas fillimit të mandatit tonë qeverisës, pata thënë se “Ekonomia e Kosovës është jo vetëm e uritur por edhe e etur për investime.” E pata theksuar këtë, sepse vendi ynë kishte nevojë për kalimin kah zhvillimi ekonomik, e për këtë na duhej rritje e investimeve, që prekte drejtpërdrejt mandej edhe rritjen e punësimit edhe rritjen e produktivitetit, sepse na duhet të rrisim edhe produktivitetin përbrenda rritjes së ekonomisë. Sot, tri vite më vonë, të gjithë indikatorët ekonomikë të Kosovës, tregojnë që e kemi arritur këtë dhe se jemi në rrugë të mbarë. Kemi punuar drejt dhe me politika të qëlluara, që kanë sjellë ndikim pozitiv në ekonominë e vendit dhe jetën e qytetarëve.

Trajektorja është ajo e duhura, politikat tona po synojnë e po arrijnë zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të vërtetë në jetën e qytetarëve të Kosovës.

Duhet të vazhdojmë të ecim bashkë në këtë rrugëtim që ka plot sfida, por që është i drejtë. Ju falënderoj për besimin dhe partneritetin tuaj të vazhdueshëm, ndërsa ndërtojmë me njëri-tjetrin e krah njëri-tjetrit rrugën drejt një të ardhmeje të begatë e me shumë prosperitet për Kosovën.

Tek Qeveria e Republikës së Kosovës, investitorët e kanë edhe partnerin e tyre e jo vetëm Kosovën si treg të tyre. Për këtë zotohem si Kryeministër i Republikës së Kosovës.

Ju falemnderit.

Last modified: 2 Dhjetor, 2024

Comments are closed.