Kamenicë, 26 nëntor 2024
Kanë nisur sot punimet në stadiumin e parë të atletikës në Kosovë, i cili po ndërtohet në Komunën e Kamenicës. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sporti, Daulina Osmani, morën pjesë në vendosjen e gurthemelit.
Me vlerë investimi prej 3.5 milionë euro, ky projekt do të krijojë kushte moderne për atletët tanë. Stadiumi do të ketë tetë shtigje vrapimi, një shteg ndihmës prej 100 metrash dhe pajisje të plota për të gjitha disiplinat e atletikës. Ai jo vetëm që do t’ju shërbejë sportistëve për stërvitje dhe gara, por njëherësh do ta bëjë Kamenicën qendër të atletikës në Kosovë dhe në rajon.
“Klubi i Atletikës Rogana, një nga klubet ikonike të këtij sporti, është shembull i përkushtimit dhe pasionit për atletikën. Me këtë investim, tash, klubi do të ketë mundësi të rrisë më tej kapacitetet e tij, të përgatisë sportistë të rinj dhe të organizojë gara cilësore që do të frymëzojnë e gëzojnë komunitetin lokal. Ky projekt simbolizon dedikimin tonë për të zhvilluar sportin në tërë Kosovën dhe për t’i dhënë atletikës vendin që e meriton”, tha kryeministri Kurti.
Ai falënderoi Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunën e Kamenicës dhe Federatën e Atletikës së Kosovës për bashkëpunimin në lidhje me këtë projekt.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari Kryetar i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj,
E nderuara zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani,
Të nderuara deputete të Kuvendit të Republikës, Arta Bajralia dhe Mirlinda Tishukaj,
I nderuari Kryetar i Federatës së Atletikës në Kosovë, Halil Sylejmani
I nderuari Kryetar i Klubit Atletik “Rogana”, Zijadin Kryeziu,
Të dashur banorë të Kamenicës,
Qytetarë të Republikës,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Të nderuar të pranishëm,
Sot po nisim punimet në stadiumin e parë të atletikës në Kosovë. Kjo shënon një moment të rëndësishëm për sportin në vendin tonë e në veçanti për mbretëreshën e sporteve – atletikën.
Me vlerë investimi prej 3.5 milionë euro, ky projekt do të krijojë kushte moderne për atletët tanë. Stadiumi do të ketë 8 shtigje vrapimi, një shteg ndihmës prej 100 metrash dhe pajisje të plota për të gjitha disiplinat e atletikës. Ai jo vetëm që do t’ju shërbejë sportistëve për stërvitje dhe gara, por njëherësh do ta bëjë Kamenicën qendër të atletikës në Kosovë dhe më gjerë.
Klubi i Atletikës Rogana, një nga klubet ikonike të këtij sporti, është shembull i përkushtimit dhe pasionit për atletikën. Me këtë investim, tash, klubi do të ketë mundësi të rrisë më tej kapacitetet e tij, të përgatisë sportistë të rinj dhe të organizojë gara cilësore që do të frymëzojnë e gëzojnë komunitetin lokal.
Ky projekt simbolizon dedikimin tonë për të zhvilluar sportin në tërë Kosovën dhe për t’i dhënë atletikës vendin që e meriton.
Falënderoj Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunën e Kamenicës dhe Federatën e Atletikës së Kosovës për bashkëpunimin dhe jetësimin e këtij projekti.
Uroj që çdo hap që bëhet në këtë stadium të jetë hap drejt rezultateve të mëdha sportive dhe drejt medaljeve që na presin. Le të punojmë mbarë si qeverisje bashkë dhe shpejt si në Atletikë.
Ju falemnderit shumë!
Last modified: 26 Nëntor, 2024