Prishtinë, 25 nëntor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmjen e sotme e përmbylli me pjesëmarrjen e tij në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’Mal”.
“Në këtë dokumentar “Ajo‘Mal”, të Uta Ibrahimit, pamë një grup vajza të reja, nën udhëheqjen e kësaj ikone tonë, e cila i kapërcen kufijtë e vetes dhe na thotë që edhe ne të tjerët mund të provojmë e të bëjmë diçka të ngjashme, dhe kjo fuqi vjen nga potenciali i jashtëzakonshëm që është diku në të ardhmen, e ne e aktualizojmë për shkak se besojmë.” tha kryeministri në fillimin e fjalës së tij.
Kryeministri shtoi se Kosova, është e rrethuar me bukuri natyrore mbresëlënëse – nga majat madhështore të Sharrit në juglindje, e deri tek Alpet Shqiptare në perëndim, që paraqesin thesaret e çmuara të vendit tone që përmes këtij dokumentari, po ndriçohen jo vetëm si destinacione, por e marrin edhe një dimension të ri si hapësira ku formohen karaktere, kultivohen ëndrra dhe ndërtohet e ardhmja.
“Malësia jonë me bjeshkë e vargmale të thepisura, shpeshherë ka qenë mburojë e popullit shqiptar, me gra e burra fisnikë. Përveçse këto bjeshkë na japin bukuri dhe frymëzim, ata na e rikujtojnë edhe një detyrim për t’i mbrojtur e ruajtur ato për brezin tonë, por edhe për brezat e ardhshëm. Duhet të kujdesemi për natyrën dhe malet tona, sikurse kujdesemi për shtëpitë tona dhe trupat tanë, sepse shkatërrimi i tyre nuk është vetëm humbje e bukurive natyrore apo e destinacioneve turistike, por edhe mohim i trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore si dhe rrezikim i mjedisit jetësor e i shëndetit të popullsisë.” tha kryeministri gjersa përmendi edhe sukseset e numërta të bjeshkatares Uta Ibrahimi.
Tutje kryeministri tha se “Ajo‘Mal” le të jetë një frymëzim për të gjithë ne, që të punojmë për një Kosovë më të fortë, më të gjelbër dhe më të bashkuar; ku të gjithë, sidomos vajzat dhe gratë, të kenë mundësinë të ngjiten në majat e tyre personale dhe profesionale.
Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri Kurti shprehu falenderimet e tij për Utën, për punën e saj të pandalshme dhe për krenarinë që na e dhuron çdo herë kur ngre flamurin e shtetit tonë dhe të kombit shqiptar në majat më të larta të botës.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Në këtë dokumentar “Ajo‘Mal”, të Uta Ibrahimit, pamë një grup vajza të reja, nën udhëheqjen e kësaj ikone tonë, e cila i kapërcen kufijtë e vetes dhe na thotë që edhe ne të tjerët mund të provojmë e të bëjmë diçka të ngjashme, dhe kjo fuqi vjen nga potenciali i jashtëzakonshëm që është diku në të ardhmen, e ne e aktualizojmë për shkak se besojmë.
Kosova, vendi ynë, është i rrethuar me bukuri natyrore mbresëlënëse – nga majat madhështore të Sharrit në juglindje, e deri tek Alpet Shqiptare në perëndim, që paraqesin thesaret e çmuara të vendit tonë.
E përmes këtij dokumentari, ato po ndriçohen jo vetëm si destinacione, por e marrin edhe një dimension të ri si hapësira ku formohen karaktere, kultivohen ëndrra dhe ndërtohet e ardhmja.
Përderisa jemi shumë të preokupuar me shoqërinë brenda shoqërisë, është tejet e rëndësishme ta provojmë e sprovojmë veten edhe si shoqëri në natyrë dhe mbase kur jemi të dominuar prej orëve të shumta. teksa sytë i kemi picërruar në ekranet e telefonave tonë dhe jemi bërë qenie centripetale, të provojmë pak të bëhemi edhe centrifugale, duke dalur në natyrë të jemi edhe si shigjeta të ëndrrave tona, të dëshirave me të cilat nuk bën të bëjmë kompromise dhe në këtë mënyrë ta pasurojmë jetën tonë dhe të krijojmë raporte të reja si njerëz me natyrën, me ajrin, me ujin, me tokën, me gjethet e drunjtë, me motin, me majat, me fushat, e jo vetëm raporte shoqërore në këtë ekonominë ngulfatëse të gjërave që përjetojnë njerëzit.
Uta, është shqiptarja e parë e cila e ka ngjitur majën më të lartë në botë – Mount Everestin, maja më e lartë në botë me mbi 8000 metra lartësi mbidetare. Tani ajo është në prag të përfundimit të projektit madhor të ngjitjes së majës së 14-të, veçse është shndërruar në simbol të guximit dhe të triumfit. Me përfundimin e majës së 14-të, Uta bëhet gruaja e 13-të në botë që arrin t’i përfundojë të gjitha. Për më tepër, ajo është vetmja në Ballkan, përfshirë gra e burra, që i ka realizuar më shumë se gjashtë maja. Këto janë triumfe të mëdha që i ngritin vlerat Republikës tonë e për mua, si aktivist politik dhe si Kryeministër i Republikës, më gëzon fakti që përmes angazhimit të Utës si bjeshkatare dhe mentore, ajo e ka rihapur rrugën që gratë e reja të kenë vetëbesimin që të synojnë t’i rikthehen malit. Uta qartazi shfaq fuqinë e gruas shqiptare dhe vendosmërinë e saj për të arritur majat e suksesit.
Të nderuar të pranishëm,
Malësia jonë me bjeshkë e vargmale të thepisura, shpeshherë ka qenë mburojë e popullit shqiptar, me gra e burra fisnikë. Përveçse këto bjeshkë na japin bukuri dhe frymëzim, ata na e rikujtojnë edhe një detyrim për t’i mbrojtur e ruajtur ato për brezin tonë, por edhe për brezat e ardhshëm. Duhet të kujdesemi për natyrën dhe malet tona, sikurse kujdesemi për shtëpitë tona dhe trupat tanë, sepse shkatërrimi i tyre nuk është vetëm humbje e bukurive natyrore apo e destinacioneve turistike, por edhe mohim i trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore si dhe rrezikim i mjedisit jetësor e i shëndetit të popullsisë.
Veçanërisht sot, ku jemi mbledhur bashkë sonte, edhe me këtë fillim të 16-të ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, është një rikujtim për të gjithë neve që duhet të kujdesemi më shumë për njëri-tjetrin, e të solidarizohemi në çdo moment kur është e nevojshme.
Le të jetë “Ajo‘Mal” një frymëzim për të gjithë ne, që të punojmë për një Kosovë më të fortë, më të gjelbër dhe më të bashkuar; ku të gjithë, sidomos vajzat dhe gratë, të kenë mundësinë të ngjiten në majat e tyre personale dhe profesionale.
Dua të falënderoj Utën për punën e saj të pandalshme dhe për krenarinë që na e dhuron çdo herë kur ngre flamurin e shtetit tonë dhe të kombit shqiptar në majat më të larta të botës. Një falënderim i veçantë po ashtu për të gjitha ato e ata, që e bënë të mundur realizimin e këtij projekti dhe dokumentari. E teksa e pashë Utën dhe vajzat e tjera mu kujtua një varg në një kontekst tjetër të poetit tonë të madh Ervin Hatibi, të cilin po e përshtati pak sonte, “Malet përkulen para saj”.
Ju faleminderit.
Last modified: 26 Nëntor, 2024