Prishtinë, 20 nëntor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen solemne të Selisë Qendrore të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Kurti tha se në botën e pluralizuar, në të cilën po jetojmë, roli i fesë nuk është zvogëluar. Ndryshe prej parashikimeve të hershme sociologjike për venitjen e fesë, sot ajo vazhdon të ekzistojë, si një nga dimensionet e shumta e të fuqishme të diversitetit shoqëror, përkatësisht pluralizmit moral të shoqërisë.
“Secila fe përmban korpus të tillë dijesh, të cilat, sado të kodifikuara të jenë, mund të interpretohen në rrethanat e reja shoqërore, me qëllim të përforcimit të vlerave të lirisë, e të drejtësisë, të barazisë e të dinjitetit njerëzor, të cilat sot i konsiderojmë vlera universale dhe të lidhura pashkëputshëm me humanizmin.” u shpreh kryeministri Kurti.
Në fjalën hyrëse, kryeministri ka përmendur përkrahjen e qeverisë për Shoqatën “Bereqeti”, duke theksuar se është mbështetur me 395 mijë euro për shpërndarjen e pakove ushqimore për familjet në nevojë, e gjithashtu në kuadër të mbështetjes së kuzhinave popullore “Bereqetin” dega në Pejë e kemi mbështetur me 70 mijë euro, “Bereqetin” dega në Mitrovicë me 74 mijë euro, e në total nga Pakoja për ringjallje ekonomike, Shoqatës Bamirëse ‘Bereqeti” i kemi dhënë mbi gjysmë milion euro, apo saktësisht 539 mijë euro.
“Shoqata ‘Bereqeti’ është shoqatë bamirëse, e besueshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe shumë e mirë për qytetarët e shtetit tonë të pavarur e demokratik”, tha kryeministri Kurti.
Duke përmendur edhe disa prej të arriturave konkrete të qeverisë, kryeministri Kurti shtoi se jemi të përkushtuar që t’i forcojmë vlerat e barazisë e drejtësisë, të lirisë e dinjitetit njerëzor, dhe t’i ndërtojmë edhe më tej urat e bashkëpunimit e progresin që se lë asnjëri mbrapa.
Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Efendi Tërnava, tha se në islam kujdesi për të varfrit, është një kujdes moral dhe fetar, gjersa falënderoi shtetin e Katarit dhe institucionet e vendit për ndihmën dhe mbështetjen.
Në këtë ngjarje kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gazmend Agusholli.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuar Myfti i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Efendi Tërnava,
I nderuari z. Muhamed al Menai, përfaqësues nga Katari, Drejtor për Çështje Fetare në Ministrinë e Vakëfeve dhe Çështjeve Islame,
I nderuari z. Behxhet Ajvazi, Drejtori i shoqatës “Bereqeti”,
I nderuari deputet, Gramoz Agusholli, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Në botën e pluralizuar, në të cilën po jetojmë, roli i fesë nuk është zvogëluar. Ndryshe prej parashikimeve të hershme sociologjike për venitjen e fesë, sot ajo vazhdon të ekzistojë, si një nga dimensionet e shumta e të fuqishme të diversitetit shoqëror, përkatësisht pluralizmit moral të shoqërisë.
Prandaj, edhe studiues të mirënjohur globalisht, si Habermas, Taylor e të tjerë, vazhdojnë të japin kontributin e tyre teorik për definimin e hapësirës që feja ka në shoqëritë bashkëkohore duke e tematizuar, njëkohësisht rolin që ajo mund të luajë në bashkë ekzistencën paqësore të diversitetit botëkuptimor, si dhe emancipimin e shoqërisë në përgjithësi.
Secila fe përmban korpus të tillë dijesh, të cilat, sado të kodifikuara të jenë, mund të interpretohen në rrethanat e reja shoqërore, me qëllim të përforcimit të vlerave të lirisë, e të drejtësisë, të barazisë e të dinjitetit njerëzor, të cilat sot i konsiderojmë vlera universale dhe të lidhura pashkëputshëm me humanizmin.
E Islami është një fe, e cila brenda vetes i përmban këto vlera, qoftë të jetuara në formë embrionale në përvojat e hershme profetike, qoftë si potencial diskursiv, të cilin duhet përpunuar në trajtat doktrinare të përputhshme me kontekstin dhe nevojat e kohës tonë.
Potenciali humanist i Islamit merr formë vetëm brenda një paradigme të trefishtë: asaj teocentrike, me qendër Zotin, antropocentrike, me qendër njeriun, dhe biocentrike me qendër vetë jetën. Kjo sintezë triadike e bën Islamin unik në humanizmin e tij. Si zëvendës i Zotit në tokë, njeriu fiton peshën qendrore në rendin kozmik, por ky status, më shumë se privilegj është përgjegjësi e mveshur nga Zoti, pasi që atij i është deleguar përgjegjësia për t’u kujdesur për vetë jetën, pra jo vetëm të tijën. Prandaj, humanizmi islam është sa antropocentrik, aq edhe biocentrik.
E sfidat e reja, të nderuar të pranishëm, me të cilat po përballet bota sot, nuk i kanë vjetruar urtësitë tradicionale. Kështu për shembull, sot përballemi me një rrezik të ri në jetën publike, si ta zëmë ai i këtyre lajmeve të rrejshme. Në këtë temë, predikuesit fetarë mund të luajnë rolin e tyre në edukimin e komunitetit islam dhe të popullit mbarë, duke përdorur thirrjen kuranore, që njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm për informacionin që u jepet dhe se duhet ta verifikojnë atë para se ta marrin të besueshëm.
Në kultivimin e vlerave të barazisë sociale, islami mund të japë kontribut të çmueshëm me atë që antropologu dhe filozofi i njohur çeko-britanez, Ernest Gellner, e cilësonte si “monoteizëm rigoroz”, ku njerëzit janë plotësisht të barabartë para Zotit, dimension ky që i ka mbijetuar komprometimeve kulturore përgjatë historisë, pavarësisht trajtave të ndryshme doktrinare që islami ka marrë. Po që se sekularizohet si gjuhë, barazia para Zotit shndërrohet në barazi para ligjit. Ndërsa me diskursin kuranor për drejtësinë, po citoj: “Jini të drejtë edhe nëse është kundër jush”, mbaron citati, islami e edukon besimtarin se si nuk duhet të bëjë kompromis me drejtësinë, si vlerën qendrore në shoqërinë e në demokracisë tonë.
E Kosova do të vazhdojë të qeveriset pikërisht mbi këto vlera, pra vlerat e drejtësisë, lirisë, barazisë e të dinjitetit njerëzor. Dhe pikërisht mbi këto vlera duhet t’i ndërtojmë aleancat tona shoqërore. Këto vlera janë pikënisja dhe themeli i qeverisjes sonë, nga e cila, si rezultat kemi hartuar pakon më të madhe mbështetëse për qytetarët në Ballkan në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike si përqindje e Bruto Produktit Vendor sipas Raportit të Bankës Botërore 4.3%.
Kemi ndarë shtesa të njëhershme për pensionistë, studentë, punëtorë të sektorit publik dhe kemi bërë subvencionimin e rritjes së pagës për punëtorët në sektorin privat. Kemi mbështetur familjet përmes shtesave për mbi 62 mijë nëna lehona, mbi 400 mijë fëmijë, e punësimin e mbi 4 mijë personave. Dy herë radhazi i rritëm pensionet për mbi 304 mijë pensionmarrës, përveçse katër herë shtesa të njëhershme nga 100 euro.
Gjithashtu, jemi angazhuar mbi këto vlera që i përmenda, të dyfishojmë asistencën sociale për familjet me më së shumti nevojë gjatë muajve nëntor edhe dhjetor 2021, dhe prill e shtator 2022, dhe i kemi mbështetur ato përmes subvencionimit të blerjes së lëndës djegëse për ngrohje për muajin dhjetor të vitit të kaluar, me ç’rast asistencën e re sociale nga thirrjet e shumë qytetarëve, kemi larguar kriteret diskriminuese duke e nxitur aktivizimin në tregun e punës, ashtu që të parandalohet varësia nga skemat sociale të financuara nga shteti e të mos ngelet dikush pa asistencë nëse fatkeqësisht ka ngelë pa punë.
Gjithnjë në funksion të fuqizimit të vlerave të drejtësisë e të barazisë, në veçanti kemi ofruar trajnim në punë dhe mbështetje në punësim për 239 persona me aftësi të kufizuara prej të cilëve 120 gra e vajza dhe ajo që është shumë e rëndësishme i ftojmë qytetarët që sa më shumë të angazhohen e të përfshihen, është regjistrimi i Ndërmarrjeve Sociale. Pra, jo vetëm ndërmarrje private e ndërmarrje publike, por edhe ndërmarrje sociale, të cilat punësojnë persona nga kategoritë e cenueshme të shoqërisë.
Në kuadër të Pakos së ringjalljes ekonomike, “Bereqetin” e kemi mbështetur me 395 mijë euro për shpërndarjen e pakove ushqimore për familjet në nevojë, e gjithashtu në kuadër të mbështetjes së kuzhinave popullore, “Bereqetin” dega në Pejë e kemi mbështetur me 70 mijë euro, “Bereqetin” dega në Mitrovicë me 74 mijë euro, e në total nga Pakoja për ringjallje ekonomike, Shoqatës Bamirëse ‘Bereqeti” i kemi dhënë mbi gjysmë milion euro, apo saktësisht 539 mijë euro. Kjo tregon besimin që kemi ne në Shoqatën ‘Bereqeti”. Shoqata ‘Bereqeti” është shoqatë bamirëse, e besueshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe shumë e mirë për qytetarët e shtetit tonë të pavarur e demokratik.
Të nderuar të pranishëm,
Edhe në vendet e zhvilluara edhe në vendin tone, një ndër sfidat që po shtohet është banimi i përballueshëm, dhe si qeverisje socialdemokrate, në programin tonë kemi paraparë edhe banimin e përballueshëm social, për çfarë e kemi kryer fizibilitetin, kemi hartuar ligjin, janë përzgjedhur lokacionet në 13 komuna, është duke u bërë projektimi, janë nënshkruar 5 marrëveshje me Gjilan, Pejë, Podujevë, Istog e Kamenicë dhe jemi shumë afër me Obiliqin dhe me Shtimen.
Ndërkaq, për banimin social pas përfundimit të fizibilitetit dhe hartimit të ligjit, e kemi nënshkruar një marrëveshje për kredi në vlerë 25 milionë euro. Këto janë disa të arritura konkrete, për të cilat pikënisje e themel i kanë ato vlerat të cilat i përmenda në fillim e që i ndajmë bashkë.
Por, sigurisht që nuk bën të ndalemi me kaq. Duhet të jemi të përkushtuar që t’i forcojmë këto vlera të barazisë e të drejtësisë, të lirisë e dinjitetit njerëzor, dhe t’i ndërtojmë edhe më tej urat e bashkëpunimit e progresin që se lë asnjë njeri mbrapa.
Shoqëria nuk matet nga pasuria që e grumbullon, por nga mënyra se si ajo kujdeset për më të dobëtit. Bamirësia nuk është thjesht një akt dhurimi, është forca që i lidh zemrat, që e mbron dinjitetin e secilit pa dallim.
Profeti Muhamed ka thënë, po e citoj “Kush i lehtëson dikujt një vështirësi, Zoti do t’ia lehtësoj atij një vështirësi më të madhe”, mbaron citati. Kjo na kujton se çdo akt i mirë është një investim në të ardhmen tonë të përbashkët.
E Kurani famëlartë përshkuan bamirësinë si një farë e cila e shumëfishon të mirën.
Te Bekare, Surja 2, Ajeti 261: “Ata që japin nga pasuria e tyre për hir të Zotit janë si fara e mbjellë që nxjerrë shtatë kallinj dhe secili kalli ka njëqind fara”, mbaron citati. Por, bamirësia të nderuar të pranishëm, nuk ka të bëjë veç me pasurinë. Edhe një buzëqeshje është bamirësi, një fjalë e mirë është bamirësi, një hap drejt dikujt që ka nevojë është bamirësi. Në këto gjeste të vogla qëndron fuqia për të ndryshuar jetën e një individi dhe ndoshta edhe të një shoqërie të tërë.
Bamirësia nuk pakëson, ajo shumëfishon. Nuk dobëson, ajo forcon dhe mbi të gjitha bamirësia nuk është thjesht për ata që e marrin, por edhe për ata që e japin. Në fund të fundit ajo që japim është ajo që mbetet një trashëgimi që nuk fshihet kurrë. Mirënjohje e thellë shtetit të Katarit, Bashkësisë Islame të Kosovës, e të gjithëve, bashkë, secilës e secilit, na u shtroftë bereqeti.
Faleminderit!
Last modified: 21 Nëntor, 2024