Prishtinë, 19 nëntor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën e Fondacionit Friedrich Ebert (FES), në të cilën u bë publikimi dhe prezantimi i Studimit për Rininë 2024.
Përgjatë fjalës së tij, kryeministri kujtoi vitin 2019, kur raportet si Studimi për Rininë 2018/2019 informuan programin tonë zgjedhor dhe më pas edhe programin tonë qeveritar. “Kjo qasje e politikbërjes së mbështetur në të dhëna na ka përcjellur që atëherë, dhe ka mundësuar që Kosova të ketë demokratizim dhe rritje ekonomike të jashtëzakonshme brenda fare pak viteve.” u shpreh kryeministri Kurti.
Kryeministri tha se historikisht, rinia ka qenë nismëtare e vendimeve dhe kthesave të mëdha, dhe e dimë rolin e saj në drejtimin e rrugës progresive e progresiste, duke shtuar se edhe rinia sot, kur pyeten për masa specifike, favorizojnë përgjithësisht politika të majta. “Si një vend që po rritet ekonomikisht shpejt, e majta apo ideali socialdemokrat në praktikë siguron që përfitimet të shpërndahen gjerësisht—posaçërisht te ata që kanë më së shumti nevojë.”, tha kryeministri.
E në sajë të politikave socialdemokrate dhe nismave qeveritare përgjatë këtij mandati, kryeministri theksoi të arriturat si rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto me mesatarisht 6.2%, dyfishimi i eksporteve, rritja me 2/3-tat të të hyrave tatimore, rritja e buxhetit të shtetit nga 2.4 miliardë euro në vitin 2021 në tash 3.6 miliardë euro në buxhetin e vitit të ardhshëm pra rritje prej 50 për qind brenda vetëm 4 viteve, dyfishim i të rinjve të punësuar, arsim i lartë pa pagesë dhe mbi 10 milionë euro bursa për studentët, shtesat për fëmijët dhe nënat lehona të cilat i dyfishuam e i trefishuam sivjet, më shumë se dyfishim i buxhetit të shtetit të dedikuar për blerjen e barnave esenciale, subvencionim i mbi 31 mijë familjeve që investojnë në efiçencën e energjisë apo rritje të pagës minimale dy herë brenda mandatit qeverisës, mes shumë tjerash.
“Ne e kuptojmë nevojën për të përmbushur hendekun midis aftësive dhe nevojave të tregut të punës, andaj edhe përmes reformave në sistemin arsimor, rritjes së buxhetit për arsimin, investimin në infrastrukturën arsimore, dhe programi i themelimit të 12 profileve të arsimit dual, sfidat në arsim edhe po adresohen edhe po zbuten. Synimi ynë është që për një diplomë shkolle a fakulteti patjetër të ketë një vend pune në ekonominë e shtetit tonë. E kjo po reflektohet në ngritje të nivelit të kënaqshmërisë te nxënësit dhe studentët, ndonëse ka ende shumë punë për t’u bërë.” tha kryeministri.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari Dr. Peter Hurrelbrink, drejtor i Friedrich Ebert Stiftung (FES) në Kosovë,
I nderuari z. Jorn Rohde, ambasador i Gjermanisë në Republikën tonë,
I nderuari z. Egzon Osmanaj menaxher i projektit të FES-it,
I nderuari Rektor i Universitetit të Prishtinës profesor Arben Hajrullahu,
E nderuara zonja Gresë Statovci dhe autorë të tjerë të këtij studimi,
Të nderuara deputete Arjeta Rexhepi dhe Arjeta Fejza,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Kam kënaqësinë të jem sot këtu me juve, me rastin e publikimit dhe prezantimit të Studimit për Rininë – Kosovë 2024. Përveç ekspertizës, shtrirjes dhe metodologjisë, kontinuiteti i tij është vlerë në vetvete sepse na mundëson ta gëzojmë progresin shoqëror dhe të kuptojmë sfidat e trashëgueshme. Kujtoj vitin 2019, kur raportet si Studimi për Rininë 2018/2019 informuan programin tonë zgjedhor dhe më pas edhe programin tonë qeveritar. Kjo qasje e politikbërjes së mbështetur në të dhëna na ka përcjellur që atëherë, dhe ka mundësuar që Kosova të ketë demokratizim dhe rritje ekonomike të jashtëzakonshme brenda fare pak viteve.
Është pak shqetësuese gjetja që sot një pjesë e të rinjve janë të painteresuar dhe painformuar për politikën. Historikisht, rinia ka qenë gjithmonë nismëtare e vendimeve dhe e kthesave të mëdha, dhe e dimë rolin e saj në drejtimin e rrugës progresive e progresiste. Por edhe rinia sot, kur pyeten për masa specifike, favorizojnë përgjithësisht politika të majta. Si një vend që po rritet ekonomikisht shpejt, e majta apo ideali socialdemokrat në praktikë, siguron që përfitimet të shpërndahen gjerësisht—posaçërisht tek ata që kanë më së shumti nevojë.
Gjatë tri viteve të fundit, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto ishte mesatarisht 6.2%, eksportet u dyfishuan dhe kishim rritje të dukshme me 2/3-tat të të hyrave tatimore, pa ndryshime të mëdha në politikën fiskale. Buxheti i shtetit, në vitin 2021, ishte 2.4 miliardë euro. Vitin e ardhshëm, ai do të jetë 3.6 miliardë euro. Buxheti të cilin e gjetëm si qeveri dhe buxheti i cili na gjen të gjithëve bashkë vitin e ardhshëm, kanë një rritje prej 50 për qind brenda vetëm 4 viteve.
Të gjitha këto, kur kalojnë nëpër prizmin socialdemokrat dhe parimet e qeverisjes së mirë, shndërrohen në disa efekte që po i ndajmë me juve. Dyfishim i të rinjve të punësuar, dhe mbështetje financiare për bizneset që i punësojnë ato e ata. Arsim i lartë pa pagesë dhe mbi 10 milionë euro bursa për studentët. E këtu në veçanti do të kisha potencuar 4,881 bursa për studentë në fushat STEM, shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, prej të cilave 4,611 apo 94% ishin për vajza. Shtesa muaj pas muaji tash e tri vjet për fëmijët nën moshën 16 vjeçare, të cilat i dyfishuam e i trefishuam sivjet. Dhe deri më tani kemi mbi 400 mijë fëmijë dhe mbi 62 mijë nëna lehona të cilat përfitojnë. Më shumë se dyfishim i buxhetit të shtetit të dedikuar për blerjen e barnave esenciale, më saktësisht nga 24 milionë euro në 63 milionë euro, që është një rritje prej mbi 150 për qind. Subvencionim i mbi 31 mijë familjeve që investojnë në efiçencën e energjisë. Rritje të pagës minimale dy herë brenda mandatit qeverisës. Merreni me mend paga minimale ka qenë 130 euro për ata që janë nën 35 vjeç, ndërkaq 170 euro për ata që janë mbi 35 vjeç. Ka pas diskriminim për rininë. Dhe tash në vend se 130 e 170 euro është 350 euro.
Ne e kuptojmë nevojën për të përmbushur hendekun midis aftësive dhe nevojave të tregut të punës, andaj edhe përmes reformave në sistemin arsimor, rritjes së buxhetit për arsimin, investimin në infrastrukturën arsimore, dhe programi i themelimit të 12 profileve të arsimit dual, sfidat në arsim edhe po adresohen edhe po zbuten. Synimi ynë është që për një diplomë shkolle a fakulteti patjetër të ketë një vend pune në ekonominë e shtetit tonë. E kjo po reflektohet në ngritje të nivelit të kënaqshmërisë te nxënësit dhe studentët, ndonëse ka ende shumë punë për t’u bërë. Fakti që vetëm gjysma e të rinjve në Kosovë punon në profesionin e tyre për çka janë arsimuar, e nënvizon më tutje rëndësinë që arsimi të jetë ndërdisiplinar dhe t’i jap të rinjve shkathtësi së transferueshme.
Diçka që vazhdon të dominojë në vendin tonë është përkushtimi ndaj vlerave evropiane. 89% të të rinjve tanë e dëshirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në këtë rast, rruga është po aq e vlefshme sa edhe destinacioni. Për reformat e brendshme që do ta rrisin standardin e jetesës në Kosovë, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Evropian, Kosova do të përfitojë deri në 882 milionë euro.
Ndër lajmet më pozitive të viteve të fundit padyshim se ka qenë liberalizimi i vizave për zonën Shengen, përfitimet e së cilës janë të pamatshme. Konsiderojmë që mobiliteti i të rinjve në Evropë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për formësimin e tyre personal e për ngritjen e tyre profesionale. Andaj edhe financojmë mijëra bursa dhe grante për të studiuar jashtë vendit ose për të na përfaqësuar në ngjarje, konferenca dhe gara evropiane, me qëllim që të kthehen dhe të japin kontribut edhe më të madh në Kosovë.
Pra jemi të vendosur që të punojmë që të kthehen ata që shkuan, të mos kenë nevojë të shkojnë ata që planifikojnë diçka të tillë, por mbi të gjitha që këtë ta bëjmë jo me fjalët që i themi, por me rezultatet që i kemi. Konkretisht ekonomia e Kosovës, rritja ekonomike, demokracia e Kosovës, progresi demokratik, është i tillë që tregon se ky vend ia vlen fort të jetosh, të banosh e të punosh në të e për të.
Ne i jemi mirënjohës Fondacionit Friedrich Ebert dhe studiuesve të përkushtuar që bënë të mundur këtë hulumtim. Sot, e kemi një mjet të çmuar—një pasqyrë të qartë dhe të bazuar në të dhëna mbi gjendjen, por edhe prirjet e brezit të ri.
Ju faleminderit.
Last modified: 19 Nëntor, 2024