Zyra e Kryeministrit

Zëvendëskryeministrja Rexhepi u takua me ministrin për Çështje të Bashkimit Evropian të Hungarisë, Janos Boka

19 Nëntor, 2024

 

Budapest, 19 nëntor 2024

Zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilija Rexhepi, u prit ditën e djeshme në Budapest nga ministri për Çështje të Bashkimit Evropian, Janos Boka me të cilin bisedoi për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë.

Zëvendëskryeministrja Rexhepi nënvizoi të arriturat e qeverisë së Republikës së Kosovës në zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit, të drejtat sociale dhe në ekonomi, si dhe konfirmoi angazhimin e plotë të qeverisë për gjithëpërfshirje dhe përkrahje të të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike.

Tutje, zëvendëskryeministrja Rexhepi theksoi nevojën për largimin e masave të BE-së të cilat mbeten në fuqi padrejtësisht. Po ashtu, zëvendëskryeministrja Rexhepi nënvizoi edhe rëndësinë e përkrahjes ndaj vendit tonë në avancimin në rrugëtimin e procesit drejt integrimit në BE përmes marrjes së statusit të vendit kandidat.

Zëvendëskryeministrja Rexhepi e falënderoi ministrin Boka për kontributin e Hungarisë ndër vite si dhe mbështetjen e saj edhe për ofrimin e bursave për studentët nga Republika e Kosovës pa dallim në kuadër të platformës Hungaricum Stipendium.

Zëvendëskryeministrja Rexhepi ftoi ministrin Boka për vizitë në Republikën e Kosovës për të parë së afërmi progresin e arritur dhe për të mësuar më shumë për dinamikat e përgjithshme që ndërlidhen edhe me mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë në Republikën e Kosovës.

Zëvendëskryeministrja Rexhepi po qëndron në një vizitë zyrtare në Hungari ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e nivelit të lartë për çështje të politikave sociale dhe demografisë që mbahet në kuadër të presidencës hungareze të BE-së e që do të zhvillohet në Budapest.

 

Last modified: 19 Nëntor, 2024

Comments are closed.