Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në Konferencën Rajonale “Praktikat më të Mira për Parandalimin e Korrupsionit – nga Politika në Veprim Rajonal për Parandalimin e Korrupsionit”

18 Nëntor, 2024

 

Prishtinë, 18 nëntor 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Konferencën Rajonale “Praktikat më të Mira për Parandalimin e Korrupsionit – nga Politika në Veprim Rajonal për Parandalimin e Korrupsionit”, i organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP, në Kosovë.

Në fjalën e tij në kuadër të ngjarjes, kryeministri Kurti tha fillimisht se minimi i demokracisë e i të drejtave dhe lirive të njeriut që vjen si pasojë e korrupsionit, ndikon edhe në rritje të përgjithshme ekonomike e të përparimit të shoqërisë, ndërsa jo shumë kohë më parë, konkretisht në vitet 2018-2019, Kosova është paraqitur në dokumentet politike të ekspertëve të Bashkimit Evropian si shtet i kapur.

“Korrupsioni në Kosovë ishte i strukturuar, duke filluar nga nivelet më të larta dhe përfshinte një gamë të gjerë agjencish shtetërore. Lidhjet horizontale ndërmjet disa degëve të shtetit dhe qeverisë, që përfshinin edhe aktorë ekonomikë nga sektori privat, po e shpërbënin shtetin si arbitër të pavarur të konflikteve shoqërore. Struktura administrative hierarkike ishin të kontrolluara politikisht dhe ishin llogaridhënëse ndaj linjës vertikale të pushtetit e jo ndaj qytetarëve, të cilëve institucionet publike duhet që t’i shërbejnë,” tha kryeministri.

Më tej, ai tha se këto tashmë i kemi ndalur dhe nuk do të kthehen më, gjersa pas vetëm një viti qeverisjeje të suksesshme, u patëm ngritur për 20 numra në Indeksin e perceptimit të Korrupsionit të Transparency International dhe jemi renditur të parët në rajon për sundim të ligjit sipas World Justice Project.
“Duke u përqendruar te fuqizimi i shtetit e jo i grupeve të interesit apo strukturave paralele dhe te pasurimi i qytetarit e jo i politikanëve dhe i familjeve të tyre, ne kemi arritur të konfimojmë besimin qytetar të evidentuar edhe në Pulsin Publik të UNDP-së të korrikut të vitit 2024 ku më shumë së 50% e qytetarëve tregojnë që i besojnë qeverisë së tyre dhe liderëve të shtetit,” shtoi kryeministri.

Kryeministri theksoi se sot korrupsioni nuk listohet më si një ndër problemet më të mëdha të shtetit siç ishte gjatë kohës së qeverive paraprake. Tha se ata që janë pasuruar në dëm të popullit do t’i përgjigjen Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, e cila do të hyjë në fuqi së shpejti si mekanizëm i fuqishëm i shoqërisë sonë demokratike për t’ia kthyer pasurinë popullit, pasurinë që ia zhvatën politikanët e që nuk iu përket atyre, por qytetarëve të vendit tonë.

Në përfundim kryeministri tha se korrupsioni në Kosovë ka qenë çështje sistemi, asnjëherë çështje kulture, pra mund të ketë qenë i lartë, por i koncentruar lart, e jo i shpërndarë në popull ku bëhet zakon e tipar kulturor i popullsisë. “Populli jonë e ka refuzu korrupsionin e institucioneve në të kaluarën, e sot në të tashmen ka arritur që në masë të konsiderueshme edhe të spastrohet ai prej institucioneve të sistemit, që vijnë prej tij e i kthehen si shërbim pikërisht atij,” përmbylli fjalën e tij kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Adea Pirdeni, Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-korrupsion në Republikën e Shqipërisë,
I nderuar z. Nuno Queiros, shef i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, UNDP,
E nderuara znj. Tea Blakaj Hoxha, këshilltarja ime ligjore e cila është përgjegjëse për koordinimin e strategjisë shtetërore kundër korrupsionit,
Të nderuar drejtues e përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore,
Të nderuar pjesëmarrës nga Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina,
Të nderuar përfaqësues të medias,
Zonja dhe zotërinj,

Korrupsioni e shpërfaq të kundërtën e asaj për çka ne qëndrojmë si shtet i pavarur dhe qeveri demokratike. Minimi i demokracisë e i të drejtave dhe lirive të njeriut që vjen si pasojë e korrupsionit, ndikon edhe në rritje të përgjithshme ekonomike e të përparimit të shoqërisë.

Jo shumë kohë më parë, konkretisht në ato vitet 2018-2019, Kosova është paraqitur në dokumentet politike të ekspertëve të Bashkimit Evropian si shtet i kapur. Korrupsioni endemik e sistematik i krijuar shtrihej mbi tërë institucionet publike, duke u shpërndarë në formë të mitos e të mashtrimit, favorizimeve e privilegjeve, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe pasurimit të paligjshëm. Një shpërndarje e këtillë e korrupsionit në nivel institucional që rrezikonte të përhapej në tërë shoqërinë, nuk ka lejuar zhvillimin demokratik e as integrimin e Republikës së Kosovës në struktura evropiane e ndërkombëtare.
Këtë dukuri që e përjetuam para pak viteve nuk mund dhe nuk guxojmë as ta harrojmë e as ta falim. Pamundësia e zhvillimit dhe pasurimit të qytetarëve në dëm të grupeve të interesit ishte thelbi i qeverisjes, i demonstruar përmes përvetësimeve të kthyera në një sekret publik.

Korrupsioni në Kosovë ishte i strukturuar, duke filluar nga nivelet më të larta dhe përfshinte një gamë të gjerë agjencish shtetërore. Lidhjet horizontale ndërmjet disa degëve të shtetit dhe qeverisë, që përfshinin edhe aktorë ekonomikë nga sektori privat, po e shpërbënin shtetin si arbitër të pavarur të konflikteve shoqërore. Struktura administrative hierarkike ishin të kontrolluara politikisht dhe ishin llogaridhënëse ndaj linjës vertikale të pushtetit e jo ndaj qytetarëve, të cilëve institucionet publike duhet që t’i shërbejnë.

Pasonte pasivizimi institucional ku zyrtarët në sistem ishin kureshtarë vetëm se kush tamam nga pushteti kë e kishte sjellur në zyre administrative shteti këtë javë. Operatorët ekonomikë nuk konkurronin në tendera publik sa formoheshin prej vetë atyre. Në komunitetin e biznesit dihej qartë e saktë se cili tender e kishte formuar cilën firmë. Mbi të gjitha, këto dëmtonin demokracinë, varfëronin qytetarin dhe vendimmarrjen profesionale që i shërben Kosovës, zhvillimit të saj e ecjes përpara.

Këto tashmë i kemi ndalur. Këto më nuk do të kthehen dhe ajo epokë e zymtë për Kosovën ka përfunduar.

Pas vetëm një viti qeverisjeje të suksesshme, u patëm ngritur për 20 numra në Indeksin e perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Jemi renditur të parët në rajon për sundim të ligjit sipas World Justice Project. Duke u përqendruar te fuqizimi i shtetit e jo i grupeve të interesit apo strukturave paralele dhe te pasurimi i qytetarit e jo i politikanëve dhe i familjeve të tyre, ne kemi arritur të konfimojmë besimin qytetar të evidentuar edhe në Pulsin Publik të UNDP-së të korrikut të vitit 2024 ku më shumë së 50% e qytetarëve tregojnë që i besojnë qeverisë së tyre dhe liderëve të shtetit.
Matja dhe diagnostifikimi i korrupsionit janë elemente thelbësore për të realizuar vlerësime të situatës së anti-korrupsionit. Në rastin e Kosovës, sondazhe të ndryshme të opinionit publik, indekse dhe raporte ndërkombëtare dëshmonin se korrupsioni shihet si një nga fushat prioritare të cilat duhet të adresohen.
Tanimë, korrupsioni nuk listohet më si një ndër problemet më të mëdha të shtetit siç ishte gjatë kohës së qeverive paraprake. Derisa jemi rankuar si të parët në Ballkanin Perëndimor, të dytët në Evropë dhe të tretët në botë për përmirësim në fushën e të drejtave politike dhe lirive civile sipas Freedom House, jemi rankuar si të parët në Ballkanin Perëndimor edhe për demokracinë elektorale sipas V-Dem Institute, pra për cilësinë e mbajtjes së zgjedhjeve periodike.

Në luftën kundër krimit të organizuar kemi arritur me sukses të mbyllim 37 rrugë ilegale dhe të shkatërrojmë 124 grupe kriminale përmes Policisë së përkushtuar e profesionale të Republikës së Kosovës. Nga 3202 të arrestuar, 301 janë zyrtarë publikë. Për më tepër, janë shkatërruar edhe 18 laboratorë droge e 6 laboratore të kripto valutave. 37 milionë euro mallra dhe asete janë sekuestruar dhe konfiskuar nga operacionet e doganës së Kosovës. Kemi miratuar Ligjin e ri kundër pastrimit të parave e financimit të terrorizmit, i cili njëkohësisht është edhe parakusht i fundit për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në SEPA – Zonën e Vetme të Pagesave Evropiane.

Mbi të gjitha, kemi liruar veriun e vendit tonë nga bandat kriminale, të cilat mbështeteshin, financoheshin e dirigjoheshin nga Beogradi zyrtar, dhe terrori i tyre mbi qytetarët ka marrë fund. E kemi hapur veriun për zhvillim ekonomik përmes hapjes së bizneseve të reja me mallra të shumta dhe cilësore. Dhe për këtë i falënderoj të gjithë operatorët ekonomikë të cilët janë aktivë atje në shërbim të qytetarëve pa dallim. Pra, rend, ligj dhe efikasitet çdo kund për zhvillim ekonomik e demokratik.

Të nderuar të pranishëm,

Korrupsioni në Kosovë kishte nxitur ruajtjen e rrjeteve informale, ku një hierarki informale e klientelizmit mbivendosej me hierarkinë zyrtare të shtetit. Ekspertët e Bashkimit Evropian thonin në raportet e tyre të vitit 2018 që, po citoj: “Në Kosovë, ku papunësia ka arritur një shifër alarmante prej 30%, politikanët janë klasa më e pasur në vend. Shumë biznese të mëdha janë zgjeruar ndjeshëm falë mbështetjes së politikanëve, të cilët marrin miliona në këmbim të ‘përpjekjeve’ të tyre.” Kjo është prej Raportit të Progresit të vitit 2018.

Me qeverisjen tonë papunësia në fund të vitit 2023 është në nivelin prej 10,7%, kurse ata që janë pasuruar në dëm të popullit do t’i përgjigjen Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme e cila do të hyjë në fuqi së shpejti. I punuar sipas standardeve të Komisionit të Venecias, Ligji për Byronë do jetë mekanizëm i fuqishëm i shoqërisë sonë demokratike për t’ia kthyer pasurinë popullit, pasurinë që ia zhvatën politikanët e që nuk iu përket atyre, por qytetarëve të vendit tonë. Natyrisht, kjo nëse ligji nuk do t’i nënshtrohet pritjes 10 mujore apo edhe njëvjeçare të kontrollit kushtetues të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka shërbyer për të vonuar pothuajse çdo reformë të nisur e për të mbajtur në fuqi për pasojë elementet qeverisëse të kohës së vjetër.
Përkushtimi ynë në luftim të korrupsionit ishte i shtrirë në disa dimensione: digjitalizim i shërbimeve nisur nga administrata publike dhe rekrutimi i zyrtarëve në baza të meritokracisë e dijes, i lidhjes ndërmjet sistemeve ashtu që tenderët të mos shkojnë në duart e atyre me dosje kriminale; i reformimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës të zhytur në korporatizëm sipas Komisionit të Venecias; dhe themelimit të Fondit Sovran për zhvillim të hovshëm e demokratizim shtetëror.

Për fat të keq e në dëm të shtetit të Kosovës, sistemi gjyqësor e prokurorial nuk mund të zhvillohet me hapat e zhvillimit me të cilat po ecë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe shteti ynë demokratik. Ende ballafaqohemi me hetime jo efikase, aktakuza të dobëta, aktgjykime liruese kundrejt krimit e për më keq, dënime të buta ndaj dhunuesve e kriminelëve që lëndojnë familjen, shoqërinë e shtetin e porsa dalin nga burgu përsërisin veprat e tyre kriminale. Pavarësia e pushtetit gjyqësor në vendimmarrje është e qartë dhe si e këtillë është sinjal pozitiv i një demokracie të fuqishme. Ne duam gjyqësor të pavarur e profesional dhe prokurori të ndershme e aktive. Por pavarësia nuk nënkupton mungesë të llogaridhënies. Gjyqësori nuk është i pavarur nga shteti, është i pavarur nga shtyllat e tjera të pushtetit, jo nga shteti, është në shërbim të shtetit, edhe qytetarëve, të cilët e mbushin buxhetin e Republikës sonë, prej të cilës financohet gjithçka mandej. Publiku duhet kthyer besimin në sistemin gjyqësor e prokurorial, të cilin po e kërkon për më shumë se dy dekada. Besimi në sistemin e drejtësisë fatkeqësisht nuk e ka as gjysmën e mbështetjes që e gëzon qeveria e Kosovës. Mbështetja për Qeverinë e Kosovës në maj sivjet sipas sondazhit të UNDP-së është 53.3% apo gati sa dyfishi për gjykatat, 27.1%, dhe më shumë se dyfishi për Zyrën e Prokurorit 26.5%. E në një shtet ku më shumë se gjysma e popullsisë e përkrahin qeverinë, besimi për sistemin e drejtësisë do të duhej të jetë afër 100% e jo rrotull çerekut siç është aktualisht.
Ne nuk mund dhe nuk duam të ndërhyjmë në vendimmarrje por duam të marrim masa në kuadër të kompetencave tona për ta digjitalizuar sistemin gjyqësor e prokurorial, e për t’i siguruar qytetarit qasjen elektronike në lëndë. Digjitalizimi siguron transparencën e proceseve, llogaridhënien e zyrtarëve, por gjithashtu edhe cilësinë e shërbimeve. Nëpërmjet digjitalizimit ne arrijmë objektivitet në sistem, ashtu që për vepra përafërsisht të njëjta në kontekste përafërsisht të ngjashme, nuk do të kemi gjykime të ndryshme e ndëshkime edhe më të ndryshme. Prandaj digjitalizimi është kontributi rrënjësor për unifikimin e sistemit dhe për universalitetin e shërbimeve. Dhe në këtë pikë ne insistojmë vazhdimisht. Kësisoj edhe llogaridhënia e gjyqësorit rritet por edhe besimi i publikut ndaj tij. Si çdo shtet tjetër evropian edhe Republika e Kosovës do të digjitalizojë shërbimet për qëllim të transparencës së plotë. Me miratimin e Strategjisë Shtetërore kundër Korrupsionit deri në fund të këtij viti, do të nisim së bashku këtë mision. Reformë themelore në gjyqësor e prokurorim publik, përmes digjitalizimit e transparencës pra për efikasitet e për llogaridhënie.

Të nderuar të pranishëm, kolegë dhe ekspertë,

Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm një çështje ligjore; ajo është çështje edhe e drejtësisë sociale dhe zhvillimit ekonomik. Një shoqëri demokratike, ku qytetarët kanë besim te institucionet e tyre, është baza për një mirëqenie dhe progres të qëndrueshëm. Duke pasur gjithmonë në fokus qytetarin dhe lidhjen e tij apo të saj me shtetin, kemi investuar në potencial njerëzor, kapacitet financiar e stabilitet në ndërmarrjet publike të rrënuara e të zhvatura nga pushtetet paraprake.

Ndërmarrjet publike, Republika e Kosovës dhe pasuritë e saj janë potencial i yni i pamatshëm për zhvillim ekonomik. Por pasuritë tona në radhë të parë duhet ruajtur e kultivuar. Zhvillimi ekonomik përmes investimit në biznes është i domosdoshëm, por jo në dëm të pakthyeshëm të mjedisit në Kosovë. Mirëmbajtja e shtetit dhe natyrës është kujdes ndaj qytetarit e gjeneratave që vijnë pas nesh. Prandaj Kosovën në radhë të parë duhet ta duash e pastaj ta qeverisësh e ta përfaqësosh.

Në emër të rritjes së kapaciteteve të ndërmarrjeve publike, kemi parë edhe rezultatet e para qysh në vitin e parë. Kompania Energjetike e Kosovës ka shënuar fitim prej mbi 100 milionë euro gjatë menaxhimit në vitin 2021.

Sot, menaxhmenti dhe bordi i drejtorëve të Telekomit, me vendosmëri dhe profesionalizëm të plotë, vazhdojnë të luftojnë disa beteja arbitrazhi si rezultat i kontratave të mëparshme, me korporata të dyshimta, të cilat kanë imponuar detyrime të mëdha financiare për ndërmarrjet publike përmes kushteve të pafavorshme.

Në të kaluarën, kompania përballej me dhjetëra miliona euro borxhe të papaguara ndaj kontraktorëve të ndryshëm, përfshirë Autoritetin Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, si dhe Administratën Tatimore — këto barra tani janë eliminuar. Sot, Telekomi i Kosovës është financiarisht i qëndrueshëm, me 7.1 milionë euro fitime financiare vitin e kaluar, që është një rimëkëmbje domethënëse nga humbjet financiare të viteve të shkuara, që arrinin edhe mbi 50 milionë euro në vit.

Të gjitha këto përmirësime në performancë pasqyrohen në opinionin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Së bashku me stabilitetin financiar, Telekomi i Kosovës po ofron shërbime më të mira, më të shpejta dhe më të besueshme për të gjithë qytetarët anembanë Kosovës. Telekomi ka zëvendësuar teknologjinë e vjetruar dhe të papërkrahur e cila ishte përditësuar për herë të fundit në vitin 2015, me një sistem modern të gatshëm për 5G. Deri në fund të muajit, do të ketë të përditësuara stacionet BTS në të gjitha komunat e Kosovës, duke siguruar shërbime të besueshme 5G dhe 4G+.

Si rezultat, Vala po sjell mbulim me shpejtësi të lartë në çdo cep të vendit, përfshirë veriun edhe zonat rurale, shumë prej të cilave për herë të parë.
Kështu, me investim financiar të mençur e ngritje të kapaciteteve profesionale shënohen sukseset. Të gjitha këto ndërmarrje, në të cilat investimi do të shkojë e do të rritet do të bëhen një ditë pjesë e Fondit Sovran në vendin tonë – mekanizmit modern për zhvillim, demokratizim e konkurrueshmëri me ekonomi më të mëdha e më të suksesshme botërore. Të gjithë së bashku duhet t’i gëzohemi këtij kapitulli të ri e të investojmë me përgjegjshmëri e integritet në shoqërinë tonë, për një të ardhme më të mirë e më të suksesshme larg dukurive të këqija si korrupsioni dhe keqqeverisja.

Dhe krejt në fund, definicioni më i thjeshtë po mbase edhe më i mirë i demokracisë, është ligji mbi politikën, jo lidhjet informale e të tjera, jo struktura paralele e hierarki alternative, por ashtu siç janë institucionet e shtetit që përballen me korrupsion përmes fuqisë së ligjit të drejtë. E në anën tjetër të gjithë zyrtarët shtetërorë duhet të udhëheqin edhe me shembullin e tyre. Njerëzit që punojnë për shtetin janë përgjithësisht njerëz të klasës së mesme. Kush e ka qejf shumë pasurimin, le ta provojnë shkathtësinë edhe fatin në biznes. Sektori publik është për t’i shërbyer të tjerëve, jo vetes. Ata që e kanë pasion shërbimin, shkojnë në sektor publik. Ata që e kanë pasion pasurimin shkojnë në sektor privat. Nuk kish qenë mirë askush, asnjë politikan, asnjë zyrtar me na e maltretu shtetin me pasion për pasurim, duke provuar një post publik. Kjo është tejet e rëndësishme për vitet e dekadat që vijnë. Legjitim është pasurimi, por jo në sektorin publik. Në sektorin publik përgjithësisht janë njerëzit e edukuar mirë e të klasës së mesme, edhe duhet të pasurohet shteti e popullsia, dhe jo individët. Por, me këtë rast duhet theksuar se ne jemi shumë falënderues, si institucione të shtetit të popullit të Kosovës, kurrë nuk do të arrinim në këtë pikë sikur korrupsioni sistemik të arrihej të bëhej dukuri kulturore. Korrupsioni në Kosovë ka qenë çështje sistemi, asnjëherë çështje kulture, pra mund të ketë qenë i lartë, por i koncentruar lart, e jo i shpërndarë në popull ku bëhet zakon e tipar kulturor i popullsisë.
Populli jonë e ka refuzu korrupsionin e institucioneve në të kaluarën, e sot në të tashmen ka arritur që në masë të konsiderueshme edhe të spastrohet ai prej institucioneve të sistemit, që vijnë prej tij e i kthehen si shërbim pikërisht atij.

Ju faleminderit.

Last modified: 18 Nëntor, 2024

Comments are closed.