Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në shënimin e 25- vjetorit të themelimit të BQK-së

15 Nëntor, 2024

 

Prishtinë, 15 nëntor 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sonte mori pjesë në shënimin e 25-vjetorit të themelimit të BQK-së. Para të pranishmëve e në adresimin e tij, kryeministri Kurti tha se është gëzim i posaçëm dhe nder i veçantë që ishte sonte aty me ta përderisa shënojmë 25-vjetorin e themelimit të BQK-së, duke kujtuar të kaluarën, por gjithherë me mendjen tek objektivat e së ardhmes.

Që nga fillimi i funksionimit të BQK-së, sipas kryeministrit, qëllimi kryesor i këtij institucioni ka qenë ndërtimi i një sistemi e sektori financiar edhe të shëndoshë dhe të qëndrueshëm. “Përgjatë këtyre 25 vjetëve, BQK ka përjetuar dhe ka treguar një zhvillim progresiv duke kontribuar kësisoj edhe në rritjen ekonomike të vendit tonë. Kjo është realizuar përmes përkushtimit institucional si dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtar ku mbështetja e tyre ka qenë tejet domethënëse përgjatë gjithë procesit” u shpreh ai.
Tutje, kryeministri theksoi se Banka Qendrore e Kosovës është e vetmja Bankë Qendrore në kontinentin tonë, e cila mund ta rivalizojë Bankën Qendrore Evropiane për nga dashuria për valutën euro, e të cilën e ka dëshmuar përgjatë këtij një viti si asnjëherë tjetër e si askush tjetër.

E ngjarja e sotme, siç tha më tej ai, nuk është vetëm festë për arritjet e BQK-së por edhe platformë ku mund të diskutojmë punën që na pret në të ardhmen. Për fund, kryeministri Kurti falënderoi partnerët tanë ndërkombëtarë që ishin aty dhe që kanë qenë me ne edhe në të kaluarën përgjatë këtij çerek shekulli.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar z. Ahmet Ismaili, Guvernator i BQK-së,
I nderuari z Alfred Kammer, Drejtori i Departamentit Evropian të Fondit Monetar Ndërkombëtar,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të shteteve mike të akredituara në Republikën e Kosovës,
Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të institucioneve financiare të bankave komerciale në Kosovë,
Të nderuar guvernatorë dhe zëvendësguvernatorë që na keni nderuar me pjesëmarrjen tuaj sonte,
Të nderuar punëtorë të BQK-së,
Të nderuar të pranishëm
Zonja dhe zotërinj,

Është gëzim i posaçëm dhe nder i veçantë që jam sonte këtu me ju përderisa shënojmë 25 vjetorin e themelimit të BQK-së, duke kujtuar të kaluarën, por gjithherë me mendjen tek objektivat e së ardhmes.

Që nga fillimi i funksionimit të BQK-së, qëllimi kryesor i këtij institucioni ka qenë ndërtimi i një sistemi e sektori financiar edhe të shëndoshë dhe të qëndrueshëm. Përgjatë këtyre 25 viteve, BQK ka përjetuar dhe ka treguar një zhvillim progresiv duke kontribuar kësisoj edhe në rritjen ekonomike të vendit tonë. Kjo është realizuar përmes përkushtimit institucional si dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtar ku mbështetja e tyre ka qenë tejet domethënëse përgjatë gjithë procesit.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm që funksionimi i mirëfilltë i sistemit financiar të një shteti shërben edhe si pasqyrë e ekonomisë së tij. Pra, një sistem financiar i shëndoshë nënkupton reputacion më të mirë, që mandej përkthehet me më shumë investime. Tash kur Kosova është vendosur në hartën botërore të shteteve serioze me politika të qëndrueshme përmes vlerësimit kreditor nga Agjencia e Vlerësimit Kreditor Fitch Rating, integrimi në Zonën Unike Evropiane të Pagesave – SEPA është hapi i radhës që na pret. Ky kapitull i ri në zhvillimin e qëndrueshëm financiar të Kosovës parashihet të reduktojë kohën dhe koston e transfereve ndërkombëtare duke shtuar efikasitetin dhe integrimin financiar të Kosovës me vendet e BE-së, si dhe duke hapur mundësi për rritje të mëtejshme ekonomike dhe investime të huaja.

E ka mundësi që një ndër shkaktarët e këtij suksesi të viteve të fundit mbase është fakti që ministri i Financave ka punuar disa vjen në BQK ndërkaq guvernator i BQK-së ka qenë drejtor i Thesarit të shtetit për disa vjet te Ministria e Financave.

Të nderuar të pranishëm,

Banka Qendrore e Kosovës është e vetmja Bankë Qendrore në kontinentin tonë, e cila mund ta rivalizojë Bankën Qendrore Evropiane për nga dashuria për valutën euro, e të cilën e ka dëshmuar përgjatë këtij një viti si asnjëherë tjetër e si askush tjetër.

E ngjarja e sotme nuk është vetëm festë për arritjet e BQK-së por edhe platformë ku mund të diskutojmë punën që na pret në të ardhmen. Andaj do të doja që për fund, të falënderoj partnerët tanë ndërkombëtarë që janë këtu së bashku me ne dhe që kanë qenë me ne edhe në të kaluarën përgjatë këtij çerek shekulli. Tashmë, kur kemi një rrugë të qartë përpara, angazhimi i të gjithë neve është jetik në arritjen e objektivave të përbashkëta sa më shpejtë.

Ju faleminderit.

 

Last modified: 15 Nëntor, 2024

Comments are closed.