Zyra e Kryeministrit

Mbështetet punësimi i familjeve përfituese nga reforma e asistencës sociale

15 Nëntor, 2024

 

Prishtinë, 15 nëntor 2024

Qeveria e Republikës së Kosovës sot lansoi masën mbështetëse të punësimit të anëtarëve të aftë për punë në kuadër të pilotimit të reformës së asistencës sociale.

Në këtë takim ishin të pranishëm Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Drejtori i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Massimiliano Paolucci dhe Drejtorja e Departamentit për Aftësim Profesional në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, Jehona Rexha.

Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti duke vënë theks tek reforma që po realizohet, tha “po të shikohet në të kaluarën, ku, për shkak të kritereve diskriminuese, qytetarët ishin larguar nga skema e asistencës sociale edhe kur punësimi i tyre kishte zgjatur vetëm një muaj, reforma jonë jo vetëm që mbështet punësimin për gjashtë muaj, por gjithashtu nxit qëndrueshmërinë e punësimit edhe pas një periudhe shtesë prej gjashtë muajsh”.

Ai vijoi fjalën e tij duke theksuar se suksesi i nismave të ngjashme në të kaluarën është indikator që flet për domosdoshmërinë dhe ndikimin e skemës, të cilën po e lansojmë sot.

“Në vitin 2022 kishim lansuar skemën “Qeveria për Familjet”, e cila vazhdon zbatimin edhe sot e kësaj dite, që deri më tani ka mundësuar 4,100 familje, që nuk kishin asnjë të punësuar, tash ta kenë së paku një të punësuar”, u shpreh kryeministri.

Ndërsa, Ministri Murati ofroi më shumë detaje rreth masës duke thënë se pas heqjes së kritereve diskriminuese, tani po ofrohet mbështetja për integrimin e personave të aftë për punë në tregun e punës.

“Mbështetjen për këto familje po e fillojmë me masën e subvencionimit në pagë ku punëdhënësit i subvencionojmë 70% të pagës bruto të punëtorit të punësuar përmes kësaj mase, për 6 muaj me radhë, deri në maksimum prej 350 euro në muaj. Tutje, për punëdhënësit që angazhojnë punëtorin e njëjtë edhe për gjashtë muaj të tjerë, në përfundim të gjashtëmujorit të dytë të angazhimit, mund të përfitojnë një shumë të njëhershme në vlerë prej 20% të mesatares së pagave të punëtorit në gjashtë muajt e dytë”, njoftoi ministri Murati.

Drejtori i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Z. Massimiliano Paolucci përgëzoi Qeverinë e Kosovës për hapat e ndërmarrë për reformimin e skemës e asistencës sociale në Kosovë dhe shprehi gatishmërinë e Bankës Botërore për të vazhduar mbështetjen e Qeverisë në këtë proces. Ai shtoi se përmirësimi i cilësisë së jetesës për qytetarët e Kosovës është një prioritet thelbësor për Bankën Botërore dhe një parim udhëzues në partneritetin tonë me Qeverinë e Kosovës.

Kurse Jehona Rexha, Drejtore e Departamentit për Aftësim Profesional në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, tha se fillimi i Programit të Reformës së Asistencës Sociale përveç rëndësisë që ka në dimensionin e politikave sociale, mirëqenies dhe adresimit përmbajtjesor e substancial, kjo skemë si në formë ashtu edhe në përmbajtje tregon se fokusi me shumë vëmendje dhe përkushtim, është te përfituesit, duke ridizajnuar hapat dhe kriteret për personat dhe familjet përfituese, duke larguar kriteret diskriminuese dhe duke ulë mundësinë e keqpërdorimit të skemës.

Përveç bizneseve, nga kjo masë e punësimit, mund të përfitojnë edhe organizata joqeveritare. Anëtarët e aftë për punë që regjistrohen në zyrat e punësimit, do të përfitojnë këshillim të specializuar, ku vlerësohen aftësitë e tyre dhe krijohen plane individuale për punësim. Për ata që kanë nevojë për zhvillim aftësish, ofrohen programe për trajnimin dhe rritjen e shkathtësive, ndërkaq për ata që janë të gatshëm për të hyrë në tregun e punës, ofrohen incentiva si ato që porsa i përmenda, për të mbështetur punësimin e tyre.

Në këtë takim ishin të pranishëm 42 këshilltarë të punësimit të rekrutuar rishtazi që do të angazhohen në komuna të ndryshme të Kosovës për të mbështetur integrimin në tregun e punës për familjet në asistencë sociale.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Faleminderit i nderuar Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, z.Hekuran Murati,
E nderuara Drejtore e Departamentit për Aftësim Profesional në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, znj.Jehona Rexha,
I nderuari Drejtor i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, z.Massimiliano Paolucci,
I nderuari Drejtor në Departamentin e Skemave Sociale, z.Mentor Morina,
Të nderuar këshilltarë të punësimit,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuara media,

Në lansimin e projektit për reformën e asistencës sociale, premtuam një program, i cili synon barazinë dhe nxitjen e punësimit. Premtimin për reformë, që pikësynim ka barazinë shoqërore, e kemi realizuar duke hequr kriteret diskriminuese dhe duke prezantuar teste të reja të varfërisë. Ku si rezultat, në fillim të këtij muaji, 1,824 familje në nevojë përfituan mbështetje financiare, duke u bërë kështu pjesë e grupit të parë të përfituesve.

Premtimin e dytë, atë për nxitjen e punësimit, po e realizojmë duke mos larguar automatikisht nga skema ata që punësohen, por duke inkurajuar dhe mbështetur integrimin e tyre në tregun e punës. Pra, nëse në të kaluarën, familjet në asistencë sociale, punësimin e kanë parë si kërcënim për largim nga skema e asistencës sociale, sot duhet ta shohin si mundësi që të sigurojnë të ardhurat e nevojshme për të mos pasur më nevojë për skemën.

Andaj, sot para jush po prezantojmë skemën “Mbështetja e punësimit për familjet në asistencë sociale”, e cila realizohet në dy faza. Faza e parë përfshinë subvencionimin e 70% të pagës së punëtorit për gjashtë muaj me radhë, ku kjo nuk është e gjitha. Si mbështetje shtesë, nëse punësimi vazhdon edhe për gjashtë muaj të tjerë, punëdhënësi do të përfitojë gjithashtu një pagesë të njëhershme.

Po të shikohet në të kaluarën, ku, për shkak të kritereve diskriminuese, qytetarët ishin larguar nga skema e asistencës sociale edhe kur punësimi i tyre, ta zëmë, kishte zgjatur vetëm një muaj, reforma jonë jo vetëm që mbështet punësimin për gjashtë muaj, por njëkohësisht nxit qëndrueshmërinë e punësimit edhe pas një periudhe shtesë prej gjashtë muajsh.

Më tej, anëtarët e aftë për punë që regjistrohen në zyrat e punësimit, do të përfitojnë këshillim të specializuar, ku vlerësohen aftësitë e tyre dhe krijohen plane individuale për punësim. Për ata që kanë nevojë për zhvillim aftësish, ofrohen programe për trajnimin dhe rritjen e shkathtësive, ndërkaq për ata që janë të gatshëm për të hyrë në tregun e punës, ofrohen incentiva si ato që porsa i përmenda, për të mbështetur punësimin e tyre.

Suksesi i nismave të ngjashme në të kaluarën është indikator që flet për domosdoshmërinë dhe ndikimin e skemës, të cilën po e lansojmë sot. Si Qeveri, në vitin 2022 kishim lansuar skemën “Qeveria për Familjet”, e cila vazhdon zbatimin edhe sot e kësaj dite, që deri më tani ka mundësuar 4,100 familje, që nuk kishin asnjë të punësuar, tash ta kenë së paku një të punësuar.

Se Qeveria është për familjet, e dëshmon përkushtimi dhe puna e vazhdueshme, e dëshmojnë shtesat për fëmijë, shtesat për lehona, subvencionimi i energjisë, rritja e pensioneve dhe rritja e pagave, e se Qeveria është për secilën familje pa dallim, e vërtetojnë skema si kjo e sotmja, që shtrijnë ndikimin edhe tek ato familje që e kanë pasur të pamundur ta ndjejnë dorën e shtetit në të kaluarën.

Tani, do t’ia kaloj sërish fjalën Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Z. Hekuran Murati për të na shpjeguar dhe ofruar më shumë detaje lidhur me këtë skemë të sotme tejet të rëndësishme për shoqërinë tonë.

Last modified: 15 Nëntor, 2024

Comments are closed.