Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në natën hapëse të ‘’Prishtina Jazz Festival’’

15 Nëntor, 2024

 

Prishtinë, 15 nëntor 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në natën hapëse të festivalit të muzikës jazz “Prishtina Jazz Festival” që mbahet për çdo vit në Prishtinë dhe ku marrin pjesë muzikantë nga vende të ndryshme të botës.

Në një fjalë para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se është nder i veçantë të ndodhej aty dhe të vazhdojnë traditën e zhanrit më demokratik në muzikë në Kosovë.

Teksa foli për historikun e Jazz-it, veçoi pionerët dhe kontribuesit e këtij zhanri në Kosovë.

“Në Kosovë, që në vitet ’60-ta, elementet e jazz-it kanë filluan të interpretohen prej artistëve si, Abdurrahman Shala dhe këngëtarë të tjerë të njohur e ky zhanër ka nisur të rritet ndjeshëm gjatë dekadave të ardhshme, duke iu falënderuar kësaj radhe tash pionierëve tanë si, Sheki Hoxha dhe avangardistëve të gjeneratës së parë të muzikantëve jazz në Kosovë. Ndërkaq, intensiteti i jazz-it në Kosovë u shtua pas luftës, veçanërisht në dekadën e parë me kontributin e Jazz Fest Prishtina, që tashmë është bërë një vlerë identifikuese e muzikës në vendin tonë”, tha ai.

Kryeministri Kurti ftoi të gjithë qytetarët të ndjekin këto pesë ditë të jashtëzakonshme, ku do të kenë mundësinë të takojnë artistë nga Kosova dhe jashtë, të marrin pjesë në aktivitete edukative, përfshirë punëtoritë që festivali ofron.

Ndërkaq, për të gjithë ekipin që bën të mundur këtë festival, duke krijuar një hapësirë të veçantë për përvojën e jazz-it dhe bashkimin e njerëzve përmes muzikës, kryeministri iu shprehu urime të përzemërta dhe falënderime të sinqerta.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Faleminderit Alban,

I nderuar Drejtor i Festivalit “Prishtina Jazz Fest”, Armend Xhaferi,

Të nderuar muzikantë,

Të nderuar artdashës dhe të pranishëm,

Është nder për mua që ndodhem sonte këtu bashkë me juve dhe ta vazhdojmë traditën e zhanrit më demokratik në muzikë në Kosovë, pra Jazz Fest Prishtina. Vjen furishëm këtë vit edhe me një edicion fantastik, që sjell gjallëri dhe cilësi të shprehjes muzikore gjatë pesë ditëve të mbushura me performime dhe aktivitete.

Jazz-i, qysh e dimë të gjithë, ka lindur në New Orleans dhe atje mandej u zhvillua përtej kufijve amerikanë, duke iu falënderuar pionierëve si, Duke Ellington e Louis Armstrong dhe, të cilët e kanë sjellë edhe një frymë të re në këtë zhanër meqenëse kur zgjerohesh përtej atje ku lind, nuk mbetesh i njëjti më asnjëher. E në vitet e ’60-ta, figura si John Coltrane, Nina Simone dhe Charles Mingus, kanë përdorur jazz-in për t’i promovuar edhe të drejtat civile dhe paqen në shtet. Në vitet e ’70-ta dhe ’80-ta, mandej artistë si, Chick Corea dhe Herbie Hancock e kanë kombinuar edhe me rock e me funk, duke e kthyer jazz-in në një simbol global të kreativitetit artistik dhe të lidhjeve kulturore.

Edhe në Kosovë, që në vitet ’60-ta, elementet e jazz-it kanë filluan të interpretohen prej artistëve si, Abdurrahman Shala dhe këngëtarë të tjerë të njohur e ky zhanër ka nisur të rritet ndjeshëm gjatë dekadave të ardhshme, duke iu falënderuar kësaj radhe tash pionierëve tanë si, Sheki Hoxha dhe avangardistëve të gjeneratës së parë të muzikantëve jazz në Kosovë. Ndërkaq, intensiteti i jazz-it në Kosovë u shtua pas luftës, veçanërisht në dekadën e parë me kontributin e Jazz Fest Prishtina, që tashmë është bërë një vlerë identifikuese e muzikës në vendin tonë.

Në këto edicione të Jazz Fest, duhet të theksojmë një aspekt të rëndësishëm besoj: pse bëjmë muzikë dhe çfarë e bën improvizimin kaq të vlefshëm? Improvizimi në jazz na mëson që të mos jemi shumë të rahat, ose ndoshta të provojmë të jemi të rahat me mosrahati, sepse rehatia na largon prej dëgjimit të vërtetë. Dëgjimi është çelësi i çdo bashkëpunimi të shëndetshëm, si në muzikë, ashtu edhe në politikë.

E pjesëmarrja e Prishtina Jazz Orchestra në ditën e parë të festivalit, është një dëshmi e rëndësisë së jazz-it, si për kulturën ashtu edhe për shoqërinë tonë. Ky festival, falë punës së jashtëzakonshme të drejtorit dhe të komunitetit të jazz-it, ka ndihmuar në lartësimin shpirtëror dhe në komunikimin social, andaj edhe ngjarjet e fenomenet e këtilla kulturore do të kenë mbështetje nga Republika e Kosovës.

Ftoj të gjithë qytetarët, të cilët janë në Prishtinë, por jo vetëm që të ndjekin këto pesë ditë të jashtëzakonshme, ku do të kenë mundësinë të takojnë artistë si nga Kosova, po ashtu edhe nga jashtë, e të marrin pjesë në aktivitete edukative, përfshirë punëtoritë, të cilat festivali i ofron. Për të gjithë ekipin që bën të mundur këtë festival, duke krijuar një hapësirë të veçantë për përvojën e jazz-it dhe bashkimin e njerëzve përmes muzikës, urime të përzemërta dhe falënderime të sinqerta.

E pas edhe një dite tjetër jazz në politikë, besoj ta kem merituar sonte një jazz mbrëmje me muzikë.

Ju dëshiroj dëgjim dhe përjetim të këndshëm.

 

Last modified: 15 Nëntor, 2024

Comments are closed.