Prishtinë, 14 nëntor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe profesionistë shëndetësorë, vizituan punimet në Klinikën e Hemato-Onkologjisë dhe Klinikën e Nefrologjisë, projekt ky që synon arritjen e standardeve më të larta të kujdesit shëndetësor në vend.
Ky investim ka një vlerë totale prej 4,299,293.31 euro, ku përfshin ndërtimin e një objekti modern me tri nivele:
• Bodrumi: 1056 m² për depo materiale dhe shërbime teknike, që mbështesin aktivitetet e klinikës;
• Përdhesa: 1094 m², ku do të vendoset Klinika e Nefrologjisë dhe shërbimet përkatëse;
• Kati i Parë: 1610 m², ku do të jetë Klinika e Hemato-Onkologjisë, përfshirë zonat e izoluara dhe mbi-ndërtimin mbi repartin ekzistues të Dializës.
Me përfundimin e këtij projekti, do të ofrohen dy shërbime të reja:
• Shërbimi i Plazmaferezës, një procedurë që do të ndihmojë në trajtimin e pacientëve me sëmundje të veshkave;
• Transplantimi Autolog i Palcës Kockore për trajtimin e leukemisë akute, i cili do të mundësojë që pacientët të trajtohen në vendin e tyre pa nevojë për t’u transferuar jashtë Kosovës.
“Ky projekt e ka vlerën totale afër prej afër 4.3 milionë euro edhe do të ofrojë shërbime me standardet më të larta shëndetësore dhe për trajtimin e pacientëve me këto dy sëmundje, të cilët tash do të fillojnë të trajtohen edhe në Republikën tonë, e jo qytetarët në vend se të shkojnë në spital për shërim të mendojnë se me cilën aviokompani do të udhëtojnë jashtë vendit, siç ka ndodhur në këto më shumë se dy dekada. Pra do të ketë qasje në shërbime të reja, të cilët aktualisht nuk janë të disponueshme në vendin tonë. Ky është kapërcimi më i rëndësishëm që po bëhet në investimet në shëndetësi”, u shpreh kryeministri Kurti pas vizitës.
Ai shprehu falënderim për bashkëpunim ndërmjet QKUK-së, ShSKUK-së, drejtorëve të klinikave, stafit shëndetësor, edhe mjekëve edhe infermierëve.
Ky projekt është planifikuar fillimisht të përfundojë brenda 48 muajve, më pas është përshpejtuar në 36 muaj dhe, sipas njoftimeve të fundit, pritet të përfundojë për 24 muaj apo 2 vjet.
Kjo ecuri e shpejtë reflekton përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të ShSKUK-së, për të përmbushur nevojat e pacientëve sa më shpejt me aparatura të avancuara, shërbime të reja dhe me infrastrukturë moderne.
Prononcimi i plotë për media i kryeministrit Kurti:
Jemi këtu bashkë me drejtorët e ShSKUK-së dhe QKUK-së, Elvirin edhe Osmanin, jemi bashkë me deputetët e Kuvendit Haxhiun dhe Vendenisin dhe me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia për një projekt tejet të rëndësishëm e që është ndërtimi i Klinikave të Nefrologjisë dhe Hematoonkologjisë këtu në QKUK.
Ky projekt e ka vlerën totale afër prej afër 4.3 milionë euro edhe do të ofrojë shërbime me standardet më të larta shëndetësore dhe për trajtimin e pacientëve me këto dy sëmundje të cilët tash do të fillojnë të trajtohen edhe në Republikën tonë, e jo qytetarët në vend se të shkojnë në spital për shërim të mendojnë se me cilën aviokompani do të udhëtojnë jashtë vendit siç ka ndodhur në këto më shumë se dy dekada. Pra do të ketë qasje në shërbime të reja të cilët aktualisht nuk janë të disponueshme në vendin tonë. Ky është kapërcimi më i rëndësishëm që po bëhet në investimet në shëndetësi, siç morëm vesh edhe nga menaxherja e këtij projekti, do t’i ketë tri nivele ndërtesa, podrumin, do ta ketë përdhesën dhe katin e parë meqë rast nefrologjia e zë hapësirën prej 1094 metra katrorë në përdhesë. Hematoonokologjia që është në katin e parë sipërfaqen prej 1610 metra në katrorë dhe investimi ka sipërfaqen e përgjithshme prej 3760 metra katrorë. Afati i kontratës 48 muaj, kohëzgjatjen e implementimit 36 muaj dhe neve këtu na thanë që ky afat do të shkurtohet dhe në fakt synimi është që të përmbyllet për 24 muaj d.m.th. në vend të 36 muajve për 24 muaj që i bjen në vend të tri viteve vetëm dy vjet. Punimet siç po e shihni janë në proces, do të dëgjoheshin përndryshe çekiçët e punëtorëve, por ata po e shohin se këtu janë mikrofonat edhe kamerat edhe po e kanë njëfarë mirëkuptimi nga distanca.
Tjetra, është me rëndësi të theksohet që në bodrum do t’i kemi disa zona kryesore, depon për materialet shpenzuese, diagnostikën për Nefrologji dhe Hematoonkologji, prioritet dhe shërbimet teknike të përbashkëta, dhe korridorin e ngrohtë për lidhje me repartin ekzistues të dializës siç edhe na e shpjegoi menaxheri.
Ndërkaq, në përdhesë është Reparti i Nefrologjisë, edhe aty do të jetë edhe hyrja kryesore dhe përmbajtjet e përbashkëta për komunikim vertikal, si dhe lidhja e drejtpërdrejtë me Repartin e Dializës, përmes korridorit. Ndërkaq, kati i parë është Reparti Hematoonkologjisë, me përmbajtjet përcjellëse përfshirë edhe këtë ndërtimin mbi përdhesën ekzistuese, dializa ekzistuese në këtë zonën e izolimit.
Janë shërbimet e reja që janë synimi jonë, sepse zhvillimi, investimi bëhet me pacientin në qendër, është shërbimi plazmaferezës, që për herë të parë do të ofrohet në Kosovë, dhe po angazhohemi që të ofrohet edhe biopsia e veshkës. Dhe tjetra është transplantimi autolog i palcës kockore për leukemitë akute, një mundësi që më parë siç e fillova këtë fjalë timen i dërgonte pacientët tanë ashtë vendit për trajtim, por me përfundimin e këtij projekti do të zhvillohet brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Atëherë, unë i përgëzoj edhe QKUK-në, edhe ShSKUK-në, edhe drejtoreshën edhe jemi shumë falënderues për këtë bashkëpunim që e kemi midis QKUK-së, ShSKUK-së, drejtorëve të klinikave, stafit shëndetësor, edhe mjekëve edhe infermierëve, Ministrisë së Shëndetësisë, deputetëve të Kuvendit, ku na është bashkuar edhe Fatmire Kollçaku Mulhaxha, dhe gjithashtu edhe njëkohësisht punë kryesit të cilët pra do të punojnë me efikasitet edhe cilësi të paparë më herët për shkak se planifikimin tre vjeçar do ta bëjnë për dy vjet.
Faleminderit shumë!
Last modified: 14 Nëntor, 2024