Podujevë, 13 nëntor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pasditën e sotme mori pjesë në përurimin e objektit të ri të Urgjencës Mjekësore-Doha, në Podujevë, të cilët u mirëpritën nga kryetari i kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.
Me një shumë totale prej 1.7 milionë euro, bashkëpunim dhe bashkëfinancim i Komunës së Podujevës me 600 mijë euro dhe Organizatës Qatar Charity me 1.1 milion euro, ky objekt u përurua vetëm dy vjet pas fillimit të ndërtimit.
Në këtë përurim të rëndësishëm për qytetarët e Podujevës, kryeministri Kurti potencoi se kjo hapësirë me afërsisht 1600 metër katrorë, do të shërbejë për mirëqenien e qytetarëve që kanë nevojë, njëkohësisht kjo ka ndihmuar në lehtësimin e punës së stafit shëndetësor, si e tillë ka si pjesë përbërëse edhe ofrimin e disa prej shërbimeve parësore shëndetësore si Qendër e Mjekësisë Familjare.
Me një infrastrukturë moderne objekti i ri i Urgjencës Mjekësore, që ndodhet në pozicionimin strategjik në magjistralen Prishtinë-Podujevë, afër rrethrrotullimit të Shqiponjës në hyrje të qytetit të Podujevës, si edhe afërsinë me pikën kufitare në Merdare, do të ofrojë edhe shërbime tjera shëndetësore, përveç atyre të Urgjencës. Kjo urgjencë do të shërbejë jo vetëm për qytetin dhe mbarë vendin, por edhe për rajonin e veçanërisht bashkatdhetarët tanë nga Lugina, të cilët mund të përfitojnë nga ofrimi i shërbimeve mjekësore.
Kryeministri Kurti, përmendi edhe projektet e shumta humanitare dhe zhvillimore me të cilat ka operuar Qatar Charity, që nga viti 2013 pothuajse në secilën komunë të Kosovës, për të cilat ai u shpreh tejet falënderues ndaj Qatar Charity apo siç e quajti kryeministri, Katar dhe Bamirësi.
Në përmbyllje të fjalës së tij, teksa shprehu falenderimet dhe mirënjohen për këtë bashkëpunim, kryeministri theksoi ndër të tjera se Komuna e Podujevës, po vazhdon të ecë përpara drejt zhvillimit e progresit ngjashëm me komunat e tjera, dhe po njejtë sikuse komunat tjera edhe qyteti i Podujevës gëzon mbështetje të pareshtur nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Në fund ai uroi stafin mjekësor, për punë sa më të mbarë dhe efikase të cilët tashmë kanë mundësinë që të operojnë brenda një objekti modern me infrastrukturë dhe kushte të përshtatshme të punës.
Në këtë përurim të një rëndësie madhore siç e potencoi edhe kryeministri Kurti, ishin të pranishëm edhe ambasadori i shtetit të Katarit për Shqipëri dhe Kosovë, Jabor Ali Al Dosari, përfaqësuesit të lartë nga Organizata Qatar Charity, si dhe zyrtarë komunalë e staf mjekësor.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
E nderuara nënkryetare e Kuvendit të Republikës, znj. Saranda Bogujevci,
I nderuari kryetar i Komunës së Podujevës, z.Shpejtim Bulliqi,
I nderuari ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia,
I nderuari ambasador i shtetit të Katarit për Shqipëri dhe për Kosovë, Shkëlqesia juaj, Jabor Ali Al Dosari,
Të nderuar përfaqësues nga Organizata Qatar Charity, i nderuari Yousuf Al-Kuwari,
Të nderuar zyrtarë komunal nga Komuna e Podujevës,
Të nderuar staf mjekësor,
Zonja dhe zotërinj,
Podujeva po rikonfirmon se po ecën në rrugën e duhur e po finalizohen punë e projekte në interes të qytetarëve dhe për qytetarët. Urgjenca e re Mjekësore e qytetit të cilën po e inaugurojmë sot, është një projekt me vlerë me rëndësi madhore për qytetin.
Duke pasur parasysh pozicionimin strategjik përkatësisht edhe afërsinë me pikën kufitare në Merdarë, urgjenca do të na shërbejë jo vetëm për qytetin dhe mbarë vendin, por edhe për rajonin e veçanërisht për bashkatdhetarët tanë nga Lugina, të cilët mund të përfitojnë nga ofrimi i shërbimeve mjekësore. Sepse kjo hapësirë me afërsisht 1600 metra katrorë, ka si pjesë përbërëse edhe ofrimin e disa prej shërbimeve parësore shëndetësore si Qendër e Mjekësisë Familjare.
Përurimi i Urgjencës Mjekësore – Doha u realizua në bashkëfinancim mes Komunës së Podujevës e cila siç e tha edhe kryetari, kontribuoi me 600 mijë euro dhe Organizatës Qatar Charity që mbështeti investimin me vlerën prej gjithsej 1.1 milion euro, duke arritur shumën totale prej 1.7 milionë eurove. Punimet e ndërtimit u finalizuan brenda vetëm dy vitesh, gjersa ky është projekti i dytë i bashkëpunimit mes këtyre dyjave, pra Komunës dhe Fondacionit, pas nënshkrimit të marrëveshjes edhe për ndërtimin e Parkut Bujqësor në vitin e ardhshëm, i cili do të jetë i pari në vend me një hapësirë prej tetë hektarësh.
Por, le ta theksojmë që Qatar Charity, është prezente në Kosovë që nga viti 2013, edhe më herët ka pasur aktivitete që janë realizuar edhe përmes organizatave të ndryshme joqeveritare, e gjatë vitit 2022 janë realizuar projekte në vlerë prej 5.5 miilionë euro, ndërkaq në vitin 2021 janë realizuar projekte në vlerë prej 5 milionë euro. Qatar Charity, zyra në Kosovë, përveç me institucionet e nivelit qendror e komunal, ka bashkëpunim edhe me Bashkësinë Islame në Kosovë. Aktivitetet e Qatar Charity, janë të fokusuara në disa fusha të cilat unë po i përmendi shkurtimisht, është mbështetja financiare për bonjakët, nga kjo hapësirë me afërsisht 1600 metër katrorë personat në nevojë dhe familjet me të ardhura të ulta, e këtu përfshihet edhe mbështetja financiare mujore për familjet me asistencë sociale, pagesa e faturave të energjisë elektrike për 866 familje për një vit, e të tjera.
Mandej, kemi pasur nga Qatar Charity, edhe projekte zhvillimore, ndërtimin e 40-të shtëpive në Mitrovicë, shpërndarjen e granteve në Mitrovicë për serrat bujqësore, dyqanet tregtare, bletë, hapja e puseve e të tjera. Pastaj, projekte në shëndetësi ku përfshihet edhe ndërtimi i një Qendre të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, në fshatin Softaj, mjete e pajisje të dhurara nga Katari me rastin e pandemisë COVID-19, që nuk e harrojmë asnjëherë, barna për Komunën e Deçanit, me rastin e helmimit të 900 personave atje në vitin 2021, e të tjera.
Pastaj, e kemi Qendren për Trajnime “Infinit”, e cila merret me trajnimin profesional të të rinjëve, në fusha të ndryshme, e kjo qender menaxhohet nga Qatar Charity, ka trajnuar deri më tash rreth 5 mijë të rinj nga Kosova, dhe siç e theksova projektet me Bashkësinë Islame të Kosovës, që kanë të bëjnë me ndërtimin e objekteve të ndryshme fetare, siç janë ndërtimi i objektit të Shoqatës “Bereqeti”, që vepron në kuadër të BIK-ut, në vlerë prej 2.5 milionë dollarë dhe ndërtimin e një Vakëfi në Gjilan në vlerë prej 1.5 milionë dollarë.
Prandaj, Qatar Charity, i themi faleminderit për këtë që përurojmë sot, por edhe për shumë e shumë projekte të tjera për të cilat jemi mirënjohës. Charity, do të thotë bamirësi dhe Qatar dhe Charity, Katar dhe bamirësi, kanë filluar të bëhen sinonime në Kosovë me gjithë këto projekte të shumë fushave të cilat janë edhe humanitare edhe zhvillimore.
E shpreh kënaqësinë dhe falënderimin tim, për këtë bashkëpunim sa produktiv aq edhe efektiv, që po sjell përfundimin e projekteve me shpejtësi dhe me cilësi, e të cilat padyshim se janë të rëndësishëm për qytetin, ndërkaq në rastin konkret, Komuna e Podujevës po vazhdon të ecë përpara me punimet dhe zbatimin edhe të shumë projekteve të tjera, si infrastruktura, shëndetësia e arsimi. E në këtë rrugëtim drejt zhvillimit e progresit, njëjtë sikur se në të gjitha komunat e tjera pa përjashtim, edhe komuna e Podujevës gëzon mbështetjen e pareshtur të Qeverisë së Republikës. Në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, i kemi alokuar gjithsej 788 milionë euro për komunat e Kosovës, gjersa buxheti kaloi sic e keni parë edhe miratimin në lexim të parë në seancën e fundit të Kuvendit.
Krahas urimit për kryetarin Shpejtim Bulliqi për realizimin e këtij projekti dhe mirënjohës për Organizatën Qatar Charity apo Bamirësia e Katarit, në mbështetjen dhe jetësimit e tij, shpreh edhe urimin për punë sa më të mbarë dhe efikase edhe për stafin mjekësor, nga shefi i Urgjencës, Dr.Arben Beqiri e deri te secili mjek dhe punonjës i angazhuar, të cilët tash mund të operojnë brenda një hapësire të gjerë e objekti modern shëndetësor, me infrastrukturë dhe kushte të përshtatshme.
Andaj, urime të gjithë mjekëve, infermierëve, pacientëve. U urojmë që të mos kenë nevojë të vijnë këtu, por do të kujdesemi bashkërisht që nëse vijnë atëherë të shërohen plotësisht e sa më shpejtë.
Ju faleminderit!
Last modified: 13 Nëntor, 2024