Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mirëpriti delegacionin e Asamblesë Rajonale të Evropës, pjesë e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF)

11 Nëntor, 2024

 

Prishtinë, 11 nëntor 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti në takim një delegacion të Asamblesë Rajonale të Evropës, pjesë e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF), të kryesuar nga senatorja belge Anne Lambelin.

Gjatë takimit u konfirmuan vlerat e përbashkëta që Kosova dhe Asambleja Parlamentare të Frankofonisë ndajnë, sikurse janë diversiteti kulturor dhe gjuhësor, të drejtat e njeriut e solidariteti.

Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin dhe nënvizoi fushën e filmit si fushë me potencial të bashkëpunimit, dhe mësimin e gjuhës frënge si instrument për të njohur dhe përafruar edhe më shumë popujt e dy vendeve, si dhe për të rritur mobilitetin studentëve dhe profesionistëve në shërbim të shkëmbimeve kulturore, rritjes së kompetencave dhe zhvillimit socio-ekonomik. Ai shprehu vullnetin që institucionet publike arsimore të rrisin kapacitetet e mësimit të gjuhës frënge.

Anëtarët e delegacionit falënderuan kryeministrin për mikpritjen dhe takimin, dhe shprehën kënaqësinë që për herën e parë APF-ja zhvillon një vizitë të tillë disa ditësh në Kosovë.

Në këtë takim, bashkë me kryeministrin Kurti ishte edhe Kryesuesi i Delegacionit të Përhershëm të Kuvendit të Kosovës në APF, deputeti i Kuvendi të Kosovës, Dimal Basha dhe Sekretarja e Delegacionit të Përhershëm të Kuvendit të Kosovës në APF, Bukurije Rukolli. Nga viti 2022, Kuvendi i Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë (APF), dhe ka synim që të avancojë në të ardhmen drejt anëtarësimit të plotë.

Last modified: 11 Nëntor, 2024

Comments are closed.