Prishtinë, 9 nëntor 2024
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë mbrëmë në ceremoninë e festimit të 20-vjetorit të Skemës së Profesionistëve të Rinj (Young Cell Scheme).
Përgjatë fjalës së tij ai shprehu se ky projekt ka ndihmuar nё transformimin e administratës publike të Republikës së Kosovës duke qenë më shumë se thjesht një bursë, por edhe katalizator i zhvillimit tё institucioneve tona ashtu edhe vetë individёve tё pёrfshirё.
“Programi i skemёs sё Profesionistёve tё Rinj, pёrgjatё 14 raundeve tё organizuara nё dy dekadat e fundit ka mbёshtetur mbi 440 të rinj e të reja duke u mundёsuar atyre tё ndjekin studime të avancuara jashtë Kosovës. Pastaj, tё aplikojnё njohuritё e pёrfituara nё institucionet tona publike duke kontribuar kёshtu në ndërtimin e një Kosove më të fortë, më të drejtë dhe më të afërt me standardet evropiane.” tha zëvendëskryeministri Bislimi.
Ai shtoi se skema ka luajtur një rol me rёndёsi në avancimin e shumë proceseve kyçe brenda administratës publike, si një investim që vazhdon tё prodhojё institucione më të forta dhe procese më efikase. Theksoi se që nga raundi i XI-të, skema tashmë është e bashkëfinancuar edhe nga Qeveria.
“Ky program është plotësisht në linjë me prioritetet e Qeverisë për fuqizimin dhe arsimimin e të rinjve. Ne kemi rritur mbështetjen financiare dhe politike për këtë skemë, duke theksuar rolin qё ia atribuojmё në ndërtimin e kapaciteteve të administratës publike. Padyshim, sukseset, ndikimi i punës dhe angazhimi i bursistëve vërehet gjithandej, jo vetëm në administratë, por edhe në sektorët e shoqërisë civile, akademisë dhe biznesit privat.” u shpreh zëvendëskryeministri.
Në përfundim ai falënderoi partnerët që ndihmojnë në mundësimin e programit, veçanërisht Bashkimin Evropian, gjersa rikujtoi dhe hapjen e raundit të XV-të të skemës, duke i ftuar të rinjtë të aplikojnë për të shfrytëzuar 40 bursat nga thirrja e re.
Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi:
E nderuar zëvendësambasadore e Bashkimit Evropian, znj. Palatova,
E nderuar ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli,
I nderuari zëvendësrektor i Universitetit Aristotel të Selanikut, z. Yakintos,
I nderuari zëvendësdrejtor i Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Institutit Kombëtar të Francës për Shërbimin Publik,
I nderuar kryetar i kryeqytetit, Përparim Rama,
Të nderuar ambasadorë të Francës e Greqisë dhe përfaqësues të ambasadave të tjera,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,
Të nderuar bursistë të projektit të Skemës së Profesionistëve të Rinj,
Kam nderin e veçantё të hap festën e 20-vjetorit të Skemës së Profesionistëve të Rinj, një projekti tё rёndёsishёm si pёr BE-në ashtu edhe pёr Kosovёn. Njё projekti qё ka ndihmuar nё transformimin e administratës publike të Republikës së Kosovës, një program që është më tepër se thjesht një bursë; një program që shёrben si katalizator i zhvillimit si tё institucioneve tona ashtu edhe vetë individёve tё pёrfshirё.
Programi i skemёs sё Profesionistёve tё Rinj, pёrgjatё 14 raundeve tё organizuara nё dy dekadat e fundit ka mbёshtetur mbi 440 të rinj e të reja duke u mundёsuar atyre tё ndjekin studime të avancuara jashtë Kosovës. Pastaj, tё aplikojnё njohuritё e pёrfituara nё institucionet tona publike duke kontribuar kёshtu në ndërtimin e një Kosove më të fortë, më të drejtë dhe më të afërt me standardet evropiane.
Skema ka luajtur një rol me rёndёsi në avancimin e proceseve kyçe brenda administratës publike. Përmes kontributit të bursistëve, janë arritur përparime të dukshme përshembull në: koordinimin e procesit të integrimit evropian, përfshirë hartimin dhe zbatimin e Agjendës së Reformave dhe procesit të Stabilizim-Asocimit, liberalizimin e vizave, si dhe aplikimin për anëtarësim në BE; modernizimin e menaxhimit tё financave publike, duke rritur efikasitetin dhe transparencën në përdorimin e fondeve publike pёrfshirё fondet e IPA-s dhe programet e tjera të BE-së; forcimin e politikave të sundimit të ligjit duke mbёshtetur reformat në drejtësi dhe institucione të tjera kyçe; zhvillimin e politikave për tregun e përbashkët dhe kriteret ekonomike, duke ndihmuar në ndërtimin e një ekonomie më të qëndrueshme dhe konkurruese; forcimin e politikave të privatësisë dhe transparencën institucionale, duke përmirësuar mbrojtjen e të dhënave dhe qasjen e qytetarëve në informacione dhe të dhëna publike, dhe shumë fusha të tjera.
Këto arritje shёrbejnё si rikonfirmim se investimi në njerëz shpaguhet gjithmonё. Nё rastin e skemёs, ky investim vazhdon tё prodhojё institucione më të forta dhe procese më efikase.
Përderisa në fillim ky projekt është financuar vetëm nga fondet e BE-së, duke filluar nga raundi i XI-të, Qeveria e Kosovës ka nisur bashkëfinancimin e tij, duke e integruar atë plotësisht në kornizën ligjore të administratës publike. Në të ardhmen, synojmë ta replikojmë këtë model suksesi edhe në sektorë të tjerë, dhe në bashkëpunim me më shumë partnerë zhvillimorë. Kёshtu synojmё ta zgjerojmё ndikimin e kёtij instrumenti në reformën tonë të administratës publike.
Ky program është plotësisht në linjë me prioritetet e Qeverisë për fuqizimin dhe arsimimin e të rinjve. Ne kemi rritur mbështetjen financiare dhe politike për këtë skemë, duke theksuar rolin qё ia atribuojmё në ndërtimin e kapaciteteve të administratës publike.
Padyshim, sukseset, ndikimi i punës dhe angazhimi i bursistëve vërehet gjithandej, jo vetëm në administratë, por edhe në sektorët e shoqërisë civile, akademisë dhe biznesit privat. Edhe ata tё cilёt pas periudhёs sё kontributit tё tyre brenda administratёs publike kanё vendosur tё vazhdojnё karrierёn e tyre nё sektorin privat apo atё të organizatave joqeveritare, vazhdojnё tё kontribuojnё nё pёrforcimin ekonomik e shoqёror tё Republikës sonë.
Tё nderuar tё pranishёm,
Mё lejoni qё tani tё prezantoj edhe njё informatё me rёndёsi, gjegjёsisht hapjen e raundit të XV-të të skemës. Me kёtё rast, ftoj të gjithë të rinjtë ambiciozë tё vendit që ta shfrytëzojnë këtë mundësi të jashtëzakonshme. Programi tani ofron 40 bursa, duke krijuar mundësi për të fituar njohuri të reja dhe për t’u bërë pjesё e ndërtimit tё një të ardhmeje të ndritur për të gjithë ne.
Falënderoj këtë rast Bashkimin Evropian për vizionin dhe përkushtimin e tyre të palëkundur. Faleminderit gjithashtu edhe të gjithë partnerëve. Sot mё lejoni tё pёrmend partnerёt tanё nga Universiteti Aristotel i Selanikut dhe Instituti Kombëtar i Francёs pёr Shёrbimin Publik dhe mentorëve që e kanë bërë këtë projekt një histori suksesi. Por mbi të gjitha, faleminderit juve bursistë, të të gjitha gjeneratave, që keni dëshmuar se institucionet janë të forta vetëm kur drejtohen nga njerëz të përgatitur, me integritet dhe vizion.
Në fund, ju ftoj të gjithëve të përhapni sa më shumë lajmin për hapjen e këtij raundi të ri. Le të punojmë bashkë që të rinjtë më të talentuar të vendit të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe ta kthejnë atë si instrument në shërbim të shtetit dhe shoqërisë.
Shumë faleminderit dhe njëherë për këtë përvjetor dhe shpresoj që raundi i ardhshëm të jetë shumë i suksesshëm.
Last modified: 9 Nëntor, 2024