Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mbajti konferencë të përbashkët për media me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Shkëmbimit Tregtar dhe Bashkëpunimit e Veprimit Humanitar të Luksemburgut, Xavier Bettel.
Para fjalëve respektive të palëve, u nënshkrua një Memorandim i Mirëkuptimit mes Kosovës dhe Luksemburgut. Nga ana e Kosovës memorandumi u nënshkrua nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ndërsa nga pala e Luksemburgut u nënshkrua nga zëvendëskryeministri Bettel, në kapacitetin e tij edhe si ministër i Punëve të Jashtme dhe Shkëmbimit Tregtar.
Memorandumi i Mirëkuptimit përbëhet nga dy fonde për mbështetjen e sektorit privat: Fondeve të LuxAid Challenge dhe LuxAidDemonstration. Këto dy fonde synojnë të mbështesin sektorin privat vendor për të promovuar inovacionin dhe për të përshpejtuar arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Në adresimin e tij, zëvendëskryeministri Bislimi tha se: “Në katër vitet e fundit, dy shtetet tona gjenden edhe më pranë njëra-tjetrës. Shkëmbimet mes nesh dhe ndërlidhja mes kompanive të dy vendeve tona janë të rëndësishme për avancimin edhe më tej të raporteve mes Kosovës dhe Luksemburgut. Tek Kosova ju do të gjeni përherë një shtet partner, për të lëvizur bashkë drejt një ekonomie në rritje. Të kujdesemi që ta shfrytëzojmë në plotni potencialin që ofrohet nga ky bashkëpunim i yni drejt ndërtimit të një të ardhme të qëndrueshme për qytetarët tanë.”
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Bettel vlerësoi miqësinë dhe partneritetin me Kosovën duke thënë se kjo është një miqësi me besim reciprok. Ai shtoi se do të vizitojë përgjatë qëndrimit në Kosovë dhe projektet e përbashkëta të zbatuara dhe investimet e Luksemburgut në vendin tonë të cilat prekin fusha të ndryshme. Zëvendëskryeministri Bettel tha se Kosova që e sheh sot, nuk është e njëjta me atë të 10 viteve më parë dhe shprehu se është i sigurt se Kosova e pas 10 viteve do jetë edhe më zhvilluar dhe përparimtare. “Për të qenë pjesë e BE-së është shpesh një maratonë dhe jo një sprint, por tash jam i impresionuar nga sprinti i qeverisë suaj.” përfundoi zëvendëskryeministri Bettel.
Fjala e zëvendëskryeministrit Bislimi:
Shumë i nderuar Zëvendëskryeministër Xavier Bettel,
Të nderuar të pranishëm,
Përfaqësues të mediave, të dashur qytetarë,
Për mua është nder dhe kënaqësi e veçantë të mirëpres përsëri në Kosovë zëvendëskryeministrin Bettel dhe ekipin e tij, si dëshmi e partneritetit tonë të fuqishëm dhe marrëdhënieve të shkëlqyeshme bilaterale mes Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Republikës së Kosovës.
Takimet dhe bisedat e sotme ishin konfirmim i radhës i përkushtimit tonë për thellimin e marrëdhënieve dhe zgjerimit të mundësive për bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët. Dukati i Madh i Luksemburgut ka qenë dhe vazhdon të jetë mbështetës i palëkundur i Kosovës në të gjitha proceset tona shtetndërtuese. Përmes projekteve të ndryshme financiare, Luksemburgu deri më tani ka investuar rreth 100 milionë euro në Republikën e Kosovës, duke kontribuar kështu në zhvillimin dhe progresin tonë ekonomik dhe shoqëror.
Sot, Zëvendëskryeministri Bettel dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Hajdari, sapo nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për dy fonde për mbështetjen e sektorit privat: Fondeve të LuxAid Challenge dhe LuxAidDemonstration. Këto dy fonde synojnë të mbështesin sektorin privat vendor për të promovuar inovacionin dhe për të ndihmuar në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Në vazhdën e memorandumit të sapo nënshkruar, vijojnë përpjekjet tona të përbashkëta për të promovuar inovacionin brenda sektorit privat të Kosovës. Zhvillimi i një ekosistemi të inovacionit me mbështetjen e Luksemburgut i ofron bizneseve dhe ndërmarrësve tanë mjetet që u duhen për të ecur me kohën në periudhën digjitale.
Ministritë tona së bashku me Agjencinë për Zhvillim të Luksemburgut, janë duke zbatuar projekte që kanë qëllime të shumta: respektimin e parimeve demokratike dhe të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, përmirësimin e sistemit shëndetësor, digjitalizimin, mbështetjen e tranzicionit tonë drejt energjisë së gjelbër, aftësimit profesional, përmirësimin e sektorit shëndetësor, fusha këto që janë në harmoni të plotë edhe me Planin Kombëtar për Zhvillimit të Republikës sonë.
Në katër vitet e fundit, dy shtetet tona gjenden edhe më pranë njëra-tjetrës. Shkëmbimet mes nesh dhe ndërlidhja mes kompanive të dy vendeve tona janë të rëndësishme për avancimin edhe më tej të raporteve mes Kosovës dhe Luksemburgut. Tek Kosova ju do të gjeni përherë një shtet partner, për të lëvizur bashkë drejt një ekonomie në rritje. Të kujdesemi që ta shfrytëzojmë në plotni potencialin që ofrohet nga ky bashkëpunim i yni drejt ndërtimit të një të ardhme të qëndrueshme për qytetarët tanë.
Shumë faleminderit edhe njëherë për vizitën.
Last modified: 4 Nëntor, 2024