Prishtinë, 30 tetor 2024
Sot, pas takimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ku pranoi Raportin Vjetor për Vendin për vitin 2024, u mbajt një konferencë e përbashkët për media e Zëvendëskryeministrit të Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, dhe Ambasadorit Orav, në të cilën u trajtuan të gjeturat e raportit si dhe arritjet dhe prioritetet e Republikës së Kosovës për të tashmen dhe të ardhmen.
Në adresimin e tij zëvendëskryeministri tha se: “Raporti i vendit për këtë vit tregon se Qeveria ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt Bashkimit Evropian. Në agjendën e integrimit evropian, Kosova është vlerësuar për prioritizimin politik që i është bërë këtij procesi si dhe janë theksuar arritjet në zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane ERA II dhe Programin Kombëtar për Integrim Evropian, ku në 3 vitet e fundit kemi pasur një nivel të lartë të zbatimit tyre me mbi 70%.”
Ai shtoi se Komisioni Evropian po ashtu përgëzon Kosovën për përgatitjen dhe miratimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes për vitet 2024-2027, e vlerësuar si një agjendë relevante, ambicioze, dhe që synon të përmbushë qëllimet e instrumentit të ri për reforma dhe rritje ekonomike.
Përmendi edhe të arriturat në kuadër të bllokut të kritereve politike, atyre ekonomike, politikave sociale, sektoriale dhe agjenda e gjelbër.
“Ne e mirëpresim vlerësimin e progresit nga Komisioni Evropian, por edhe më shumë i mirëpresim rekomandimet e këtij raporti të cilat do merren seriozisht për periudhën e ardhshme. Implementimi i rekomandimeve nga raporti është i rëndësishëm për ne, jo vetëm në prizmin e progresit në integrim evropian, por edhe drejt zhvillimit të mëtutjeshëm të vendit tonë. Do të vazhdojmë zbatimin e rekomandimeve, por edhe prioritizimin politik të agjendës së integrimit evropian, pavarësisht masave të padrejta që janë në fuqi.” tha zëvendëskryeministri, duke shtuar se Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe bazuar në rekomandimet e Përfaqësuesit të Lartë, z. Borrell, presim që Këshilli ta marrë një vendim të shpejtë për heqjen e tyre.
“Kosova ka dëshmuar se është aleate e besueshme e Bashkimit Evropian dhe beson fort në të ardhmen e saj evropiane. Si shembull i demokracisë në rajon, kemi treguar përkushtimin tonë sa herë që na është dhënë një mundësi e barabartë. Tani është koha që edhe Bashkimi Evropian të tregojë se e sheh Kosovën si pjesë të saj, duke mbajtur procesin e integrimit meritokratik dhe duke avancuar Kosovën në status të kandidatit.” përmbylli fjalën e tij zëvendëskryeministri Bislimi.
Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi në konferencën për media:
I nderuari Ambasador Orav,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të medias,
Faleminderit që jeni sot me ne, në këtë moment kur po pranojmë nga Komisioni Evropian Raportin e Vendit për vitin 2024.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian, ka qenë dhe mbetet shtyllë kyçe e sigurisë, stabilitetit, paqes dhe mirëqenies në Evropë. Sot, paketa e zgjerimit përfshin 10 shtete, nga 7 sa ishim pak vite më herët, duke dëshmuar angazhimin e përhershëm strategjik të Bashkimit Evropian për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Evropë. Me udhëheqësinë e re në Bashkimin Evropian, ky orientim për vendet e përfshira përbën një momentum të ri për përkushtim drejt përmbushjes së vlerave evropiane.
Si shtet i përfshirë në pakon e zgjerimit, Kosova beson dhe përfaqëson vlerat evropiane të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, sundimit të ligjit, e të drejtave të njeriut. Prandaj, sot kur ne po pranojmë raportin vjetor të vendit, është një ditë e një rëndësie të veçantë sepse arrijmë të shohim ku është kryer punë e mirë nga Republika e Kosovës dhe ku duhet të vendosim fokusin tani e tutje.
Raporti i vendit për këtë vit tregon se Qeveria ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze të reformave drejt Bashkimit Evropian. Në agjendën e integrimit evropian, Kosova është vlerësuar për prioritizimin politik që i është bërë këtij procesi si dhe janë theksuar arritjet në zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane ERA II dhe Programin Kombëtar për Integrim Evropian, ku në 3 vitet e fundit kemi pasur një nivel të lartë të zbatimit tyre me mbi 70%.
Raporti e përgëzon Kosovën për politikën e saj të jashtme ndaj luftës në Ukrainë, për vendosjen e masave dhe sanksioneve ndaj Rusisë në përputhje të plotë me ato të Bashkimit Evropian, si dhe për progresin e shënuar në përafrimin e politikës së vizave me atë të Bashkimit Evropian.
Raporti po ashtu vlerëson pozitivisht zhvillimet në agjendën e bashkëpunimit rajonal, duke veçuar përfaqësimin e Kosovës në CEFTA dhe përparimin në ndërtimin e Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM), si një nga arritjet më të mëdha të Procesit të Berlinit. Përkushtimi i Kosovës për të funksionalizuar këtë treg dhe qasja e saj proaktive kanë ndihmuar në kapërcimin e sfidave të mëhershme dhe kanë krijuar një momentum të ri në këtë proces, i cili tashmë është edhe i përfshirë në shtyllën e dytë të Planit të Rritjes.
Komisioni Evropian po ashtu përgëzon Kosovën për përgatitjen dhe miratimin e Agjendës së Reformave për vitet 2024-2027, e vlerësuar si një agjendë relevante, ambicioze, dhe që synon të përmbushë qëllimet e instrumentit të ri për reforma dhe rritje ekonomike. Ky vlerësim buron nga përkushtimi i Kosovës në avancim të agjendës evropiane por edhe në bashkëpunim rajonal.
Tek blloku i kritereve politike, raporti nxjerr në pah arritje kyçe në sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e barazisë gjinore. Për përpjekjet kundër korrupsionit, është nënvizuar themelimi i Njësisë Speciale Hetimore në Policinë e Kosovës dhe Ligji për Prokurorinë Speciale. Këto politika kanë forcuar transparencën dhe llogaridhënien në qeverisje. Ndërkaq, avancimet në fushën e barazisë gjinore, si buxhetimi me ndjeshmëri gjinore dhe përfaqësimi i shtuar i grave në nivelin komunal, dëshmojnë angazhimin e Qeverisë së Kosovës për qeverisje gjithëpërfshirëse dhe të drejtë.
Arritje të tjera, që theksohen janë: zgjerimi i shërbimeve publike digjitale përmes platformës e-Kosova në 180 shërbime në total, përmirësimi i respektimit të të drejtave të njeriut, angazhimi i rritur me shoqërinë civile, e shumë të arritura të tjera të cilat shpalosin përkushtimin tonë për një të ardhme të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe me zhvillim të qëndrueshëm, ashtu siç janë edhe vlerat edhe standardet e Bashkimit Evropian.
Tek blloku i kritereve ekonomike, raporti vlerëson se Kosova ka shënuar rritje të fortë ekonomike, duke dëshmuar qëndrueshmëri përballë sfidave të jashtme si inflacioni global por dhe recesioni ekonomik. Kjo vjen si rrjedhojë e përmirësimit të mbledhjes së të hyrave buxhetore dhe menaxhimit fiskal, që ka çuar edhe në uljen e deficitit buxhetor. Për më shumë, vlerësohet pozitivisht edhe menaxhimi i financave publike dhe angazhimi për politika të përgjegjshme fiskale që synojnë si zgjerimin e bazës tatimore ashtu dhe uljen e informalitetit.
Sa i përket politikave sociale, raporti thekson zgjerimin e ndihmës sociale për grupet e cenueshme dhe rritjen e mirëqenies së fëmijëve dhe nënave përmes reformave të rëndësishme ligjore. Zbatimi i Skemës së Garancisë për të Rinjtë dhe iniciativat për trajnim profesional përmenden si hapa të rëndësishëm për uljen e papunësisë së të rinjve dhe përmirësimin e aftësive të fuqisë punëtore. Të gjitha këto së bashku, pasqyrojnë angazhimin e Kosovës për të ndërtuar një kornizë sociale gjithëpërfshirëse, në përputhje me standardet e BE-së.
Tek politikat sektoriale dhe agjenda e gjelbër, Kosova ka shënuar progres në fushën e energjisë ku ankandi i suksesshëm për energji solare përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe uljes së varësisë nga qymyri, duke u përafruar kështu me qëllimet mjedisore të Bashkimit Evropian. Për më tepër, miratimi i Ligjit për Ndryshime Klimatike vendos një kornizë të qartë për qeverisjen mjedisore, duke përcaktuar mekanizma për monitorimin dhe raportimin e emetimeve të gazrave serrë në përputhje me rregulloret klimatike të Bashkimit Evropian. Në këtë sektor, janë miratuar ligje dhe strategji që përfshijnë burimet e ripërtërishme të energjisë, performancën energjetike të ndërtesave, ndryshimet klimatike, dhe zhvillimin e transportit dhe tregut të përbashkët bujqësor.
Ne e mirëpresim vlerësimin e progresit nga Komisioni Evropian, por edhe më shumë i mirëpresim rekomandimet e këtij raporti të cilat do merren seriozisht për periudhën e ardhshme. Implementimi i rekomandimeve nga raporti është i rëndësishëm për ne, jo vetëm në prizmin e progresit në integrim evropian, por edhe drejt zhvillimit të mëtutjeshëm të vendit tonë.
Do të vazhdojmë zbatimin e rekomandimeve, por edhe prioritizimin politik të agjendës së integrimit evropian, pavarësisht masave të padrejta që janë në fuqi. Ne i karakterizojmë ato si të padrejta sepse, së pari është rekomanduar largimi i tyre tashmë dhe pavarësisht këtij rekomandimi ato prapë qëndrojnë në fuqi, dhe së dyti i konsiderojmë si në kundërshtim edhe me vetë parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian, duke dëmtuar kështu mbase vetë kredibilitetin e BE-së karshi qytetarëve tanë. Ritheksojmë se Kosova tashmë i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe bazuar në rekomandimet e Përfaqësuesit të Lartë, z. Borrell, presim që Këshilli ta marrë një vendim të shpejtë për heqjen e tyre.
Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar qytetarë,
Kosova ka dëshmuar se është aleate e besueshme e Bashkimit Evropian dhe beson fort në të ardhmen e saj evropiane. Si shembull i demokracisë në rajon, kemi treguar përkushtimin tonë sa herë që na është dhënë një mundësi e barabartë. Tani është koha që edhe Bashkimi Evropian të tregojë se e sheh Kosovën si pjesë të saj, duke mbajtur procesin e integrimit meritokratik dhe duke avancuar Kosovën në status të kandidatit. Kjo do të fuqizonte përkushtimin tonë edhe më tej ndaj agjendës evropiane, duke e bërë rrugën tonë drejt BE-së edhe më të qartë e rezultatet edhe më të prekshme. Krejt në fund më lejoni të ritheksoj se: Kosova nuk ka e as nuk kërkon alternativë tjetër dhe mbetet e vendosur në rrugëtimin e saj drejt BE-së.
Faleminderit edhe një herë!
Last modified: 30 Tetor, 2024