Prishtinë, 25 tetor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe bashkë me Ambasadorin e Francës në Kosovës, Olivier Guérot, mori pjesë në ceremoninë e lansimit të projektit GENESIS, bashkëpunim ndërmjet Festivalit Anibar dhe Institutit Francez në Kosovë në mbështetje nga Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës.
Duke e cilësuar këtë si një nismë e cila i ndihmon të rinjtë e Kosovës të zhvillojnë aftësitë e tyre në industrinë kreative, kryeministri tha se ajo gjithashtu forcon bashkëpunimin tonë me Francën, një shtet partner e mik, veçanërisht me Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme si dhe me Institutin Francez në Kosovë.
Në fjalën e tij, kryeministri tha se Qeveria e Republikës së Kosovës qëndron e përkushtuar për ngritjen e kapaciteteve dhe mbështetjen e artit të pavarur në vendin tonë, duke përmendur këtu masat konkrete, si miratimi i Ligjit të ri për Kulturën dhe rritjen e buxhetit për skenën e pavarur nga një milion euro sa ishte në vitin e 2019, në nëntë milionë euro tash kur po flasim.
Projekti GENESIS, me fokusin e tij në edukimin dhe fuqizimin e të rinjve, është një dëshmi e qartë se kultura jonë po shkon edhe drejt pavarësisë edhe drejt inovacionit. Ky projekt përforcon edhe më tej lidhjen me skenën e pavarur dhe partnerët ndërkombëtarë, si Franca, duke krijuar ura të reja ndërveprimi dhe duke sjellë edhe përvoja të vlefshme për rininë tonë.
Në fund të fjalës, kryeministri u zotua se Qeveria do të vazhdojë punën për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori, si një pjesë e rëndësishme e rritjes kulturore dhe ekonomike të vendit tonë, derisa theksoi faktin se gjashtë ministri janë bashkuar për të hartuar strategjinë e Ekonomisë Kreative, përmes së cilës do të shtohet potenciali kreativ i individëve dhe i industrive kulturore, duke dizajnuar veprime të cilat e transformojnë vendin tonë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari Vullnet Sanaja, Drejtor Ekzekutiv i Anibarit,
I nderuari Hajrulla Çeku, ministër Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
I nderuari Olivier Guérot, Ambasador i Francës në Kosovë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Është një kënaqësi e veçantë që të jem bashkë me juve këtu sot për të shënuar nisjen e projektit GENESIS. Një nismë e cila i ndihmon të rinjtë e Kosovës të zhvillojnë aftësitë e tyre në industrinë kreative. E gjithashtu edhe forcon bashkëpunimin tonë me Francën, një shtet partner e mik, veçanërisht me Ministrinë për Evropë dhe Punë të Jashtme si dhe me Institutin Francez në Kosovë.
Faza e zhvillimit kulturor në të cilën ndodhet Kosova, kërkon gjithnjë e më shumë ngjarje dhe bashkëpunime të këtilla. Rrjetëzimi ynë tani është jo vetëm dëshirë, por edhe energji dhe plane përmes së cilëve ne i tregojmë botës që jemi jo vetëm bashkëpunëtor, por edhe kontribues të denjë në miqësitë tona ndërkombëtare.
Anibar, si pjesë e këtij ekosistemi, është një nga këta kontribues. Ekipi i tij vazhdimisht angazhohet brenda dhe jashtë vendit, duke përdorur të gjitha burimet infrastrukturore dhe njerëzore që zotëron. Kjo duket qartë jo vetëm përmes Festivalit të Anibarit, por edhe përmes aktiviteteve gjatë vitit. Ato vazhdojnë të zhvillojnë kulturën në Kosovë, si një faktor ekonomik dhe social i cili rrit mirëqenien e qytetarëve, që nuk është vetëm thjeshtë materiale, por është edhe emocionale, shpirtërore, intelektuale e kështu me radhë.
Qeveria e Republikës së Kosovës qëndron e përkushtuar për ngritjen e kapaciteteve dhe mbështetjen e artit të pavarur në vendin tonë. Kjo përmes masave konkrete, si miratimi i Ligjit të ri për Kulturën dhe rritja e buxhetit për skenën e pavarur nga një milion euro sa ishte në vitin 2019, në nëntë milionë euro tash që po flas. Pra për pesë vjet kemi nëntë fishim të buxhetit nga një milion në nëntë milionë për skenën e pavarur kulturo-artistike. E jemi të lumtur që Anibari është një nga organizatat e para që gëzon mbështetje institucionale për zhvillim organizativ me kohëzgjatje tre vjeçare, instrument që po zbatohet për herë të parë nga qeveria jonë. Ne mbetemi të palëkundur dhe plotësisht të dedikuar për të krijuar një bazë të fortë për rritjen e mëtejshme të sektorit kulturor dhe krijues.
Projekti GENESIS, me fokusin e tij në edukimin dhe fuqizimin e të rinjve, është një dëshmi e qartë se kultura jonë po shkon edhe drejt pavarësisë edhe drejt inovacionit. Ky projekt përforcon edhe më tej lidhjen me skenën e pavarur dhe partnerët ndërkombëtarë, si Franca, duke krijuar ura të reja ndërveprimi dhe duke sjellë edhe përvoja të vlefshme për rininë tonë.
Qeveria do të vazhdojë punën për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori, si një pjesë e rëndësishme e rritjes kulturore dhe ekonomike të vendit tonë. Së fundi, gjashtë ministri të Qeverisë tonë janë bashkuar për të hartuar strategjinë e Ekonomisë Kreative. Me të, do të shtojmë potencialin kreativ të individëve dhe të industrive kulturore, duke dizajnuar veprime të cilat transformojnë vendin tonë institucionalisht dhe për të mirë. Me këtë rast duam që të arrijmë synimin e përbashkët, krijimin e vendit tonë në një qendër rajonale të inovacionit dhe të prodhimit kulturor. Pavarësisht se mund të mos dukemi të mëdhenj unë besoj se së bashku mund të bëjmë gjërat shumë të mëdha dhe GENESIS është vetëm fillimi i asaj që mund të arrihet kur investojmë në talentet e së ardhmes.
Në veçanti e falënderoj Vullnet Sanaja për angazhimin e tij të palodhshëm dhe për këtë dashamirësi të pashtershme që e ka në punën që bën me aq pasion, saqë edhe unë i them jo Vullnet Sanaja, po Sefaja.
Ju falemnderit.
Last modified: 25 Tetor, 2024