Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në ecjen tradicionale në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit

24 Tetor, 2024

 

Prishtinë, 24 tetor 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në manifestimin tradicional informativo – kulturor me moton “Zbulimi i hershëm-Mbijetesë”, që u mbajt në sheshin “Ibrahim Rugova”, nën patronatin e Presidentes së vendit, Vjosa Osmani – Sadriu, së bashku me Qendrën Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”.

Në këtë ceremoni, që mbahet në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit, kryeministri Kurti u shoqërua nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Pas fjalimit të presidentes së vendit, Vjosa Osmani – Sadriu, dhe Drejtores së Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, Nafije Latifi, kryeministri Kurti dhe të pranishmit, morën pjesë në ecjen tradicionale që filloi nga sheshi “Ibrahim Rugova” deri te sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Ky manifestim, që po mbahet për të dhjetën herë më radhë, ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit rreth kësaj sëmundjeje, por edhe për të shprehur mbështetjen ndaj kujtdo që përballet me kancerin.

Kanceri i gjirit është i shërueshëm, atëherë kur zbulohet herët. Për dallim nga viti 2022, në vitet 2023 dhe 2024 mbi 52% e rasteve që janë diagnostikuar janë raste në fazën e parë dhe të dytë. Pra, kjo nënkupton që janë zbuluar më herët, dhe suksesi në trajtim është shumë më i lartë. Nga kanceri i gjirit preken edhe burrat, edhe pse më rrallë: 0.5-1% të rasteve të kancerit të gjirit ndodhin tek burrat, ndërsa 1 në 8 gra diagnostikohen me kancer të gjirit. Nga ky vit, mamografia bëhet falas në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Last modified: 24 Tetor, 2024

Comments are closed.