Prishtinë, 23 tetor 2024
Të nderuar Zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të dashur qytetarë,
Të nderuar punonjës të mediave,
Javën e kaluar ishim në Berlin dhe në Samitin e Procesit të Berlin. Republika e Kosovës është angazhuar shumë qe 10 vjet për Procesin e Berlinit në mënyrë që atë ta kurorëzojmë suksesshëm siç edhe bëmë. Doli të jetë një proces i suksesshëm i cili ka afruar vendet e rajonit me njëra-tjetrën dhe të gjitha së bashku në Bashkimin Evropian. Në Berlin kemi nënshkruar marrëveshjen e pestë në tri samite të këtij procesi. Ndërkohë që paralajmëruam vendimin për t’i dhënë fund pritjes gati dy vjeçare që Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime të nënshkruar po ashtu në Berlin, saktësisht me 3 nëntor të vitit 2022 – duke u mundësuar kështu qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës që të udhëtojnë me letërnjoftime në drejtim të Kosovës, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, pra nga 1 janari i vitit 2025.
Marrëveshja e re për Qasjen në Arsimin e Lartë dhe Pranimin për të Studiuar në Ballkanin Perëndimit, që e nënshkruam në Berlin më 14 tetor, është në vazhdimësi të marrëveshjes për Njohjen Reciproke të diplomave për institucionet e arsimit të lartë. Marrëveshja lehtëson procedurat e aplikimit për ata që duan të ndjekin studimet në institucionet e akredituara të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor, mbi bazën e kushteve dhe kritereve të njëjta. Pra, me këtë marrëveshje, pas ratifikimit dhe procedurave ligjore përkatëse në vendet nënshkruese, një nxënës që sapo ka përfunduar shkollën e mesme apo një student që dëshiron të vijojë studimet master do ta ketë më të lehtë të fillojë studimet në institucionet publike të arsimit të lartë në njërin nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo do ta rrisë mobilitetin sikurse edhe mundësitë për qytetarët tanë brenda për brenda rajonit tonë.
Në Berlin po ashtu nënshkruam deklaratën për Tregun e Përbashkët Rajonal 2024-2028 dhe miratuam Planin e ri të Veprimit që tashmë është shtyllë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor nga i cili Republika jonë përfiton deri në 882.6 milionë euro. Veprimet e këtij plani janë të orientuara drejt avancimit të katër lirive, krijimit të një mjedisi të favorshëm për bizneset, zhvillimit të kapitalit njerëzor, digjitalizimit dhe inovacionit. Zbatimi i këtyre masave mund të sjellë një rritje prej 10% në ekonomitë e shteteve të rajonit, si dhe të afrojë rajonin me Tregun Unik të BE-së.
Më tej, në kryeqendrën e Republikës Federale të Gjermanisë miratuam edhe tri deklarata:
• Deklaratën e Përbashkët për Ritheksimin e Marrëdhënieve të Mira Fqinjësore dhe Bashkëpunimin Rajonal;
• Atë mbi Standardet e Verifikimit të Investimeve të Huaja Direkte në Rajonin e Ballkanit Perëndimor Gjashtë; dhe
• Deklaratën mbi Qasjen në Infrastrukturat e Hulumtimit dhe Inovacionit dhe Bashkëpunimin;
Kemi qenë dhe do të jemi mbështetës të palëkundur dhe anëtar fort aktiv i Procesit të Berlinit, që afirmon dhe avokon hapur dhe pareshtur për bashkëpunim më të madh rajonal të bazuar në vlerat dhe rregullat e BE-së. E në këtë fundjavë do të mirëpresim edhe Presidenten e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen, pikërisht për të diskutuar zbatimin e Planit të Reformave dhe të Rritjes, përfitimet për Kosovën dhe qytetarët tanë.
E në republikën tonë zhvillimi i sektorit të komunikimeve elektronike po merr hov të ri. Në shkallë regjioni, Kosova e ka përqindjen më të lartë të shtrirjes së rrjetit dhe të shërbimeve të internetit në amvisëri dhe biznese.
Duke e mbështetur me kredi, operatorin publik e nxorëm nga humnera dhe po e udhëheqim drejt zhvillimit. Telekomi i Kosovës, në partneritet me gjigantët e teknologjisë, nga Suedia dhe Kroacia, po i modernizon shërbimet e telefonisë mobile 4G/5G në tërë vendin tonë. Po thuajse çdo ditë mund të shihni njoftime nga Telekomi dhe Ministria jonë e Ekonomisë në lidhje me modernizimin e shërbimeve të Valës në komunat e vendit tonë anë e mbanë, përfshirë komunat veriore, si rezultat i investimeve të cilat po bëhen.
Këto investime përveçse se po përmirësojnë shërbimet e operatorit tonë publik, kanë prodhuar efekte pozitive edhe në sektorin privat. Me ç’rast edhe operatori tjetër po e zgjeron shtrirjen e rrjetit të shërbimeve 5G. Nga kjo konkurrencë që po nxitet nga ndërmarrja publike pa dyshim që qytetarët dhe bizneset tona do të përfitojnë në shërbime dhe oferta. Falë këtyre zhvillimeve, Kosova po integrohet edhe më tej në hartën botërore të shërbimeve të internetit. Këtë javë, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka lëshuar autorizimin e përgjithshëm për kompaninë Starlink, që ofron shërbime satelitore të qasjes në internet. Ky autorizim paraqet një hap të rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për qasjen në internet në çdo lokacion e cep të territorit të Republikës së Kosovës. Starlink ndër të tjerash është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mbarë botën në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve të tjera të emergjencave kombëtare.
Zhvillimi i sektorit të komunikimeve elektronike në vendin tonë do të vazhdojë mbi parimin e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës e në të mirë të bizneseve, institucioneve dhe secilit qytetar, pa dallim. Komunikimet elektronike janë e drejtë e secilit qytetar të vendit tonë. Ato po ashtu janë mundësi e të bërit biznes për kompanitë tona dhe investitorë privatë të dëshmuar që vijnë nga shtetet tona mike.
E po në këtë javë, teksa jemi vetëm në ditën e tretë të saj, pati një zhvillim tjetër me rëndësi për kulturën e filmin dhe për shërbimin tonë diplomatik. Të hënën u nënshkrua marrëveshja për bashkëprodhim kinematografik mes Kosovës dhe Bullgarisë, e cila krijon mundësi të reja për produksionet filmike, artistët dhe kineastët tanë. Kurse dje, përuruam objektin e ri të Konsullatës sonë në Strasburg që tashmë është pronë e shtetit dhe shtëpi e përhershme e Republikës sonë. Pra, po vazhdojmë me blerjen e objekteve të ambasadave tona në shtetet kyçe për shërbimin tonë diplomatik. Pas blerjes së objektit të ambasadës në ShBA, në Mbretërinë e Bashkuar, në Kroaci, Senegal dhe tash në Strasburg të Francës, në proces të blerjes janë objektet e ambasadave të Kosovës në Itali, Turqi, Francë, Gjermani dhe Kanada.
Ju faleminderit!
Last modified: 23 Tetor, 2024