Prishtinë, 21 tetor 2024
Organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ditën e sotme, u prezantua raporti final për Vlerësimin e Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024.
Në kuadër të prezantimit të raportit final të PKBGJ-së, mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri potencoi se barazia gjinore është në qendër të proceseve transformuese në Republikën tonë, gjersa raporti që prezantohet sot, tregon se si përmes punës së përbashkët, kemi përparuar në përmirësimin e kushteve në fusha si fuqizimi ekonomik dhe mirëqenia sociale, avancimi i barazisë gjinore përmes arsimit dhe shëndetësisë cilësore e gjithëpërfshirjes.
Mbi fuqizimin ekonomik dhe mirëqenien sociale, kryeministri theksoi se është ulur papunësia tek gratë nga 29.7% në 17.2%, kemi dhënë mbështetje direkte nëpunësimin e mbi 12 mijë grave, ndërkaq nga afër 14 mijë tërinj mes moshës 18-29 vjeç që janë punësuar përmesplatformës qeveritare Superpuna, 51% janë vajza, kemimbështetur mbi 2,600 të punësuar përmes programit”Qeveria për familjet” ku prej tyre 55% janë gra, kemindarë shtesa për afër 60 mijë nëna lehona e në sajë të kësajshtese dhe asaj për fëmijë, rreth 100 mijë gra kanë hapurllogari bankare për herë të parë në jetën e tyre si dhe kemi lansuar masën e punësimit për gratë që janë viktima të dhunës.
Gjithashtu përmendi dhe masat e politikat e ndërmarra në fushën e arsimit, shëndetësisë, drejtësisë dhe sigurisë. Në lidhje me këto fusha përmendi ndër të tjera Strategjinë e Arsimit dhe miratimin e Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, ndarjen e bursave për studime, udhëzimin administrativ për çmime nga i cili mamografia do të jetë falas përgjatë gjithë vitit, për herë të parë në shëndetësinë publike rikonstruktimi i gjirit ofrohet falas dhe protezat tashmë sigurohen me mbështetje nga Qeveria, pesëfishimi i buxhetit për vaksina për parandalim dhe sigurimi i vaksinave të reja të rëndësishme siç është ajo e HPV-së që parandalon kancerin e qafës së mitrës dhe avancimi ikornizës ligjore që mbron gratë nga dhuna në baza gjinore.
“Me përgjegjësi institucionale dhe vetëdije shoqërore, me përkushtim e punë, jemi bashkë në betejat për një Kosovë sa më barazimtare mes grave dhe burrave, një shoqëri edhe përparimtare dhe përparuese.” përmbylli fjalën e tij kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë e Republikës së Kosovës,
I nderuari z. Getoar Mjeku, zëvendësministër në Ministrinë e Ekonomisë,
I nderuari z. Arsim Ademi, zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
E nderuara znj. Edi Gusia, Ushtruese e Detyrës së Drejtores Ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore,
I nderuari z. Henrik Riby, Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e Suedisë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Programi i Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024 është drejtuar nga një mision: që barazia gjinore të jetë në qendër të proceseve transformuese në Republikën tonë. Qasja strategjike është në tri fusha kryesore — fuqizimi ekonomik dhe mirëqenia sociale, avancimi i barazisë gjinore përmes arsimit dhe shëndetësisë cilësore e gjithëpërfshirjes.
Njëkohësisht bëhet promovimi i të drejtave të barabarta në vendimmarrje, paqe, siguri dhe drejtësi. E të gjitha këto së bashku, përbëjnë platformë solide për barazinë gjinore. Raporti që prezantohet sot, tregon se si përmes punës së përbashkët, kemi përparuar në përmirësimin e kushteve në këto fusha.
Së pari, në fushën e fuqizimit ekonomik dhe të mirëqenies sociale, kemi punuar për krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë, e veçanërisht për gratë nga grupet e cenueshme.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga tre mujori i parë 2021 deri në tremujorin e fundit 2023, pra për dy vite e gjysmë, papunësia e përgjithshme ka rënë nga 25.8% në 10.7%. Kjo me punësim të ri dhe formalizim të punës; burrat nga 24.2% në 7.9%, ndërkaq gratë nga 29.7% në 17.2%.
Kemi dhënë mbështetje direkte në punësimin e mbi 12 mijëgrave, ndërkaq nga afër 14 mijë të rinj mes moshës 18-29 vjeç që janë punësuar përmes platformës qeveritare Superpuna, 51% janë vajza. Kemi mbështetur mbi 2,600 të punësuar përmes programit “Qeveria për familjet”, prej tyre 55% gra. Kemi ndarë shtesa për afër 60 mijë nëna lehona. Në sajë të kësaj shtese dhe asaj për fëmijë, rreth 100 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë në jetën e tyre.
Kemi lansuar masën e punësimit për gratë që janë viktima të dhunës. Përmes kësaj mase, qeveria do të subvencionojë 70% të pagës së të punësuarave për gjashtë muaj me radhë.
Masat afirmative, siç janë përjashtimi nga tarifat për regjistrimin e pronës së përbashkët në emër të të dy bashkëshortëve, janë dëshmi konkrete e përparimit. Kemi parë rritje të ndjeshme në numrin e pronave të regjistruara në emër të dy bashkëshortëve, një hap kyç drejt barazisë ekonomike. Ndërsa rritja e kapaciteteve për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, është edhe një hap thelbësor drejt qasjes së barabartë në fonde publike.
Në fushën e arsimit, Strategjia e Arsimit dhe miratimi i Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme janë bazë drejt përmirësimeve të rëndësishme. Arsimin e lartë publik e kemi bërë falas. Për tri vite, kemi ndarë mbi 10 milionë euro mbështetje për studentët. Nga mbi 10,200 bursa për studentë, mbi 4880 bursa prej tyre janë ndarë për studentë në fushat STEM, pra shkencë, teknologji, inxhinieri dhematematikë, me shumicën dërmuese prej tyre për gra dhe vajza.
Mirëqenia e gjithmbarshme e qytetareve dhe qytetarëve tanë është objektivi ynë për të cilin punojmë pa u ndalur, fort e drejt. Kur bëhet fjalë për shëndetin e grave dhe vajzave, kërkohet kujdes i shtuar, me veprime individuale, shoqërore dhe institucionale.
Duke qenë në muajin tetor, do të theksoj veçanërisht se me udhëzimin administrativ për çmime, mamografia do të jetë falas përgjatë gjithë vitit. Për herë të parë në shëndetësinë publike, rikonstruktimi i gjirit ofrohet falas dhe protezat tashmë sigurohen me mbështetje nga Qeveria.
Gjithashtu, kemi pesëfishuar buxhetin për vaksina për parandalim dhe kemi siguruar vaksina të reja të rëndësishme siç është ajo e HPV-së që parandalon kancerin e qafës së mitrës.
Në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, kemi arritur rezultate të prekshme përmes avancimit të kornizës ligjore që mbron gratë nga dhuna në baza gjinore, për të cilat do të flitet më detajisht në vazhdimin e këtij takimi.
Sidoqoftë, raporti na tregon se ka fusha që kërkojnë më shumë vëmendje për të garantuar barazi të plotë gjinore. Këto janë hapësira ku duhet të bëjmë më shumë, për të siguruar që asnjë sektor të mos mbetet jashtë nga avancimi i barazisë gjinore, e që gratë dhe burrat të kenë qasje të barabartë në të gjitha burimet dhe mundësitë.
Ndërsa Kosova vazhdon të zhvillohet, dalin në pah sfida të reja të cilat kanë ndikime të dallueshme gjinore. Andaj, Programi i Ri për Barazinë Gjinore, duhet hartuar si përgjigje ndaj nevojave të grave dhe vajzave, si dhe burrave dhe djemve në vendin tonë. Ai duhet të jetë vizionar, duke adresuar nevojat e sotme dhe kompleksitetet e së nesërmes.
Programi i ri duhet të jetë i ndjeshëm ndaj përvojave të ndryshme të të gjithë njerëzve, sidomos të atyre që përballen me forma të shumta dhe të shumëfishta të diskriminimit. Nga gratë me aftësi të kufizuara deri te komunitetet joshumicë, programi duhet të përshtatet për të reflektuar realitetet e jetës së të gjitha komuniteteve.
Së fundmi, programi i ri duhet të shoqërohet me mekanizma të fortë për mbikëqyrje dhe llogaridhënie. Nuk mund të përballojmë të humbasim vrullin për shkak të ngecjes në zbatim apo mungesës së raportimit.
Të nderuara të pranishme,
Raporti na kujton se përparimi është i mundur vetëm përmes përkushtimit të përbashkët nga të gjitha palët — institucionet qeveritare, shoqëria civile, sektori privat dhe organizatat partnere ndërkombëtare.
Barazia gjinore kërkon transformimin e normave dhe stereotipeve të dëmshme gjinore. Andaj duhet përfshirë më shumë burra dhe djem si avokues dhe aleatë, që nxisin sjellje pozitive dhe sfidojnë maskulinitetin toksik.
Përmes kësaj pune të përbashkët, po dëshmojmë se barazia gjinore është shtyllë thelbësore e të drejtave të njeriut dhe rruga për zhvillimin e qëndrueshëm të Republikës së Kosovës. Andaj, duhet të vazhdojmë të forcojmë mekanizmat ekzistues, të përfshijmë të gjitha grupet shoqërore, dhe të angazhohemi që çdo qytetar i Kosovës, pa dallim gjinie, të ketë mundësi të barabartë për të kontribuar dhe për të përfituar nga përparimi i vendit tonë.
Me përgjegjësi institucionale dhe vetëdije shoqërore, me përkushtim e punë, jemi bashkë në betejat për një Kosovësa më barazimtare mes grave dhe burrave, një shoqëri edhe përparimtare dhe përparuese.
Ju faleminderit!
Last modified: 22 Tetor, 2024