Prishtinë, 16 tetor 2024
Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në Konferencën Ndërkombëtare mbi Dhunën Seksuale Lidhur me Konfliktin si folës kyç i konferencës.
Me temën “Avancimi i të Drejtave dhe Ndryshimi i Jetës për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale në Konflikt”, vetëm një ditë pas shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Grave Rurale, kryeministri Kurti theksoi se në këto 25 vjet, roli i organizatave të shoqërisë civile, veçanërisht të atyre të udhëhequra nga gratë, ishte jetik.
“Përkundër traumave të pashlyeshme, të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, kanë treguar forcë të jashtëzakonshme për të ndërtuar një jetë të re”, u shpreh kryeministri.
Ai tha se si shtet e shoqëri, ne po ecim përpara, teksa po punojmë për ballafaqimin me të kaluarën, me përkushtimin tonë të përbashkët për të luftuar padrejtësitë, dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të ndjeshme.
“Me këtë qëllim kemi miratuar për herë të parë pas përfundimit të luftës, Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale. Kemi filluar procesin e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, për çfarë e falënderoj në veçanti drejtorin Atdhe Hetemi, i cili gjithashtu është i pranishëm sot me ne. Për të garantuar ndjeshmërinë gjinore në këtë proces, jemi të lumtur e me fat, që në Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, është angazhuar edhe zonja Shyrete Tahiri Sylejmani. Për të lehtësuar sa më shumë procesin e aplikimit të të mbijetuarave në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, Qeveria do të vazhdojë financimin për katër organizatat e autorizuara”, tha kryeministri.
Në përmbyllje, kryeministri përshëndeti praninë e nobelistit Dr. Denis Mukwege, për të cilin siç u shpreh ai figura e tij na rikujton fuqinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit në përballjen me këto plagë të shoqërisë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj.Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,
E nderuara znj.Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
E nderuara znj.Feride Rushiti, Drejtore Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës,
E nderuara znj.Vasfije Krasniqi Goodman, e dërguara speciale e Presidentes për dhunën seksuale gjatë luftës,
E nderuara Shyhrete Tahiri Sulimani, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe gjithashtu e dërguara speciale.
I nderuari z.Denis Mukwege, aktivist për të drejtat e njeriut dhe laureat i çmimit “Nobel” për paqe,
E nderuara kryetare e mazhorancës e Alternativës, znj.Mimoza Kusari Lila,
Të nderuar deputetë, përfaqësues e drejtues të institucioneve të shtetit,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë dhe diplomatë të tjerë të vendeve të akredituara në republikën tonë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile,
Të dashura të mbijetuara dhe të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Sivjet shënojmë çerek shekulli të rrugëtimit të përbashkët në liri, e të përpjekjeve tona për të përballur dhe trajtuar plagët e luftës.
Në këto 25 vjet, ishte jetik roli i organizatave të shoqërisë civile, veçanërisht i atyre të udhëhequra nga gratë. Ato kanë dëshmuar se mbrojtja e të drejtave të njeriut, krahas së qeni detyrë institucionale, është mision humanitar, që kërkon përkushtim, guxim dhe empati. Përveç ofrimit të përkrahjes ndaj të mbijetuarave e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, organizatat e grave kanë kontribuar edhe në hartimin e politikave që avancojnë drejtësinë tranzicionale, e që reflektojnë realitetet dhe nevojat e të mbijetuarve.
Përkundër traumave të pashlyeshme, të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, kanë treguar forcë të jashtëzakonshme për të ndërtuar një jetë të re. Andaj krahas mbështetjes, të përhershme e të thellë e kemi mirënjohjen për to.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Si shtet e shoqëri, ne po ecim përpara, teksa po punojmë për ballafaqimin me të kaluarën, me përkushtimin tonë të përbashkët për të luftuar padrejtësitë dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të ndjeshme.
Me këtë qëllim kemi miratuar për herë të parë pas përfundimit të luftës, Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale. Kemi filluar procesin e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, për çfarë e falënderoj në veçanti drejtorin Atdhe Hetemi, i cili gjithashtu është i pranishëm sot me ne.
Për të garantuar ndjeshmërinë gjinore në këtë proces, jemi të lumtur e me fat, që në Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, është angazhuar edhe zonja Shyrete Tahiri Sylejmani.
Për të lehtësuar sa më shumë procesin e aplikimit të të mbijetuarave në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, Qeveria do të vazhdojë financimin për katër organizatat e autorizuara.
Bashkërisht, po forcojmë përpjekjet tona për të përkrahur të mbijetuarat e të mbijetuarit, për të vënë në vend drejtësinë.
Prania e Dr. Mukwege sot, na rikujton fuqinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit në përballjen me këto plagë të shoqërisë. Andaj, vazhdojmë këtë rrugë së bashku, me besimin se e ardhmja që po ndërtojmë, do të jetë më e mirë për të gjithë.
Gëzuar 25-vjetorin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës!
Ju falemnderit!
Last modified: 17 Tetor, 2024