Berlin, 14 tetor 2024
10-vjetori i Procesit të Berlinit u shënua me Samitin e këtij procesi pikërisht në kryeqendrën e Gjermanisë, ku liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor u mirëpritën nga Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të tjerë nga institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare, përfaqësues nga Mbretëria e Bashkuar dhe nga organizata rajonale si dhe ato ndërkombëtare.
Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan një marrëveshje të re, të pestën në tri samitet e mbajtura deri më tani, për qasje dhe pranim në studime në institucionet e arsimit të lartë, dhe Deklaratën e Përbashkët për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025-2028. Në samit u miratuan edhe tre deklarata, përfshirë atë për Ritheksimin e Marrëdhënieve të Mira Fqinjësore dhe Bashkëpunimin Rajonal, Standardet Rajonale mbi Verifikimin e Investimeve të Huaja Direkte në Ballkanin Perëndimor Gjashtë, si dhe për Qasjen dhe Bashkëpunimin në Infrastrukturën e Hulumtimit dhe Inovacionit.
Në kuadër të sesioneve të samitit, Kryeministri Kurti njoftoi se ndonëse entiteti i Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinës refuzon ratifikimin e marrëveshjes së mobilitetit për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, Kosova duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë me letërnjoftime të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Gjatë diskutimeve, theksoi rëndësinë e Procesit të Berlinit, Tregut të Përbashkët, sigurisë së Evropës dhe ndikimet nga jashtë, avancimit në rrugëtimin drejt integrimit evropian, bashkëpunimit rajonal dhe Plani i Rritjes.
“Pas dy muajsh do të shënojmë dy vjet prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Ndërsa ne deklarojmë se zgjerimi është përsëri në agjendë, ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit. Në këto tre vite e gjysmë të fundit, kemi shënuar rritje të jashtëzakonshme ekonomike, progres demokratik dhe stabilitet institucional, duke menaxhuar suksesshëm disa kërcënime serioze të sigurisë”, tha kryeministri Kurti gjatë sesionit të parë të diskutimit.
Ndërkohë në sesionin e dytë të Samitit të Procesit të Berlinit u diskutua rreth Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, Energjinë dhe Lidhshmërinë. Kryeministri Kurti shprehu angazhimin e Kosovës në përballje me pasojat e ndryshimeve klimatike dhe përkushtimin për tranzicionin drejt energjisë së gjelbër.
“Përkushtimi ynë ndaj rritjes së qëndrueshme dhe qëndrueshmërisë klimatike është i qartë. Megjithatë, qasja në financimin klimatik është vendimtare për arritjen e këtyre synimeve ambicioze. Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor duhet të na ndihmojë për të ecur drejt një tranzicioni të drejtë”, u shpreh kryeministri.
Punimet e Samitit u përmbyllën me drekën e përbashkët të punës të të gjithë liderëve me përfaqësuesit evropianë dhe Kancelarin Scholz.
Last modified: 15 Tetor, 2024