Berlin, 14 tetor 2024
Në Berlin, në prag të Samitit të Procesit të Berlinit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim bilateral me ministrin e Shtetit për Evropë, Amerikë Veriore dhe Territore të Mbretërisë së Bashkuar, Stephen Doughty bashkë me të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.
U diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, fushat e ndryshme të bashkëpunimit ndërshtetëror, me theks tek ajo e mbrojtjes, proceset integruese Euro-Atlantike të Kosovës dhe mundësitë e reja në shërbim të thellimit të raporteve bilaterale.
Të dyja palët uruan Forcën e Sigurisë së Kosovës për suksesin në Garën “Cambrian Patrol” në Mbretërinë e Bashkuar, ku ekipi i FSK-së u radhit i dyti, duke u shpërblyer me medalje të argjendtë në mesin e ekipeve nga 36 shtete të ndryshme të botës.
Në 10-vjetorin e Samitit të Procesit të Berlinit, kryeministri theksoi që marrëdhëniet e mira fqinjësore janë kyçe për bashkëpunim e integrim rajonal.
Ai e falënderoi ministrin e shtetit Doughty dhe emisarin Lord Peach për rolin e rëndësishëm dhe mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj republikës sonë.
Last modified: 14 Tetor, 2024