Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti u takua me kryetarin e Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nexhmedin Ademi

9 Tetor, 2024

 

Prishtinë, 9 tetor 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua ditën e sotme me kryetarin e Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nexhmedin Ademi.

Përgjatë bashkëbisedimit të tyre, u trajtua rritja e bashkëpunimit ndërmjet komunitetit shqiptar të besimit islam në Preshevë dhe institucioneve tona, duke prekur aspektet fetare, kulturore dhe edukative.

U diskutua rreth sfidave me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe rëndësia e ruajtjes së identitetit kombëtar e fetar, dhe promovimit të harmonisë ndërfetare dhe ndëretnike në rajon. Kryeministri Kurti shprehu mbështetjen e tij e përkrahjen për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët ballafaqohen vazhdimisht me politikat shtypëse dhe diskriminuese të regjimit të Beogradit zyrtar.

Më tej, ai shprehu se qeveria jonë është e para e cila ka investuar e realizuar restaurime të xhamive në vend e treguar vëmendjen e saj ndaj të gjitha komuniteteve fetare. Kryeministri nënvizoi edhe bashkëpunimin e punën e frytshme të kësaj bashkësie, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ushtrimit të lirë të fesë dhe avokimit për çështjet kombëtare.

Last modified: 9 Tetor, 2024

Comments are closed.