Zyra e Kryeministrit

Mbahet takimi i shtatë i rregullt me kryetarët e komunave të Kosovës

8 Tetor, 2024

 

Prishtinë, 8 tetor 2024

Me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe zgjerimit të mëtutjeshëm të komunikimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, sot u zhvillua takimi i shtatë i rregullt me kryetarët e komunave të Kosovës, kryesuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me bashkëpraninë e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Në këtë takim, u ritheksuan arritjet e Qeverisë në këtë mandat, sikurse rritja e të punësuarve, rritja e Bruto Produktit Vendor, shpërndarja e rreth 1.3 miliardë euro te qytetarët dhe bizneset, rritja e pagës minimale dy herë brenda mandatit, e së fundmi edhe skemën e re pensionale me 20% rritje për mbi 304 mijë pensionistë. Sa i përket përfitimit direkt të komunave, Kryeministri Kurti përmendi fillimin e projektit për banim të përballueshëm në 13 komuna, e që deri tani janë nënshkruar 5 marrëveshje, si dhe ndërtimin e shtëpive nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, me mbi 130 shtëpi të ndërtuara dhe 200 të tjera në proces të ndërtimit, vetëm në katër komunat në veri të vendit.

Ndër temat e trajtuara në këtë mbledhje të përbashkët ishte edhe çështja e qenve endacakë, ku kryeministri shprehu se menaxhimi efikas kërkon koordinim të plotë midis dy niveleve dhe u shpreh i gatshëm që Qeveria të bashkë financojë bazuar në nevojat reale, duke i siguruar qytetarët nga sulmet e qenve endacakë. Në anën tjetër, projekti “Ndërlidhja e qytetarit me adresë zyrtare”, i cili synon përmirësimin e administratës publike dhe shërbimeve për qytetarët duke krijuar adresa unike dhe zyrtare, ishte temë tjetër e diskutimit.

“Kjo do të lehtësojë proceset e regjistrimit të adresave, do të rrisë sigurinë dhe do të ndihmojë planifikimin e qëndrueshëm të komunave. Me këtë sistem, qytetarët nuk do të kenë më nevojë për dokumente shtesë për regjistrim, fatura, por do të mund të deklarojnë adresën vetëm me emërtimet zyrtare të rrugëve, duke bërë administratën më të organizuar e gjithsesi edhe më efikase”, shtoi kryeministri Kurti.

Në lidhje me çështjen e kontratës kolektive, kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka për qëllim vendosjen e ligjshmërisë, andaj sipas tij çdo tendencë apo veprim në drejtim të zbatimit të kontratave jashtë fuqisë së ligjit dëmton punëtorin, sundimin e ligjit dhe Republikën. Ai shtoi se kjo çështje kërkon diskutim të hapur e të gjerë me punëtorët bashkë, për hartimin e pastaj zbatimin e kontratave kolektive që reflektojnë nevojën, mundin dhe të drejtën e punëtorit në Republikën e Kosovës.

Ndërkaq, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se është kënaqësi gjithmonë të organizojmë tryeza të tilla diskutimi. Siç tha ai, mundësia për ofrimin e zgjidhjeve janë kryetarët e komunave dhe niveli qendror, të cilët hartojnë politika dhe implementojnë programe, në mënyrë që jeta e qytetarëve të përmirësohet dhe të ngritet standardi i tyre i jetesës.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të faleminderit ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi,
Të nderuar kryetarë dhe nënkryetarë të komunave të Republikës së Kosovës,
I nderuari z. Agim Aliu, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës,
I nderuari z. Avni Ahmeti, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kadastrale të Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Mirë se po takohemi në takimin tonë të rregullt, është takimi i shtatë, për të diskutuar lidhur me progresin e projekteve në komunat tuaja, por edhe sfidat dhe gjetjen e zgjidhjeve të duhura për to.

Ndonëse pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet e reja në nivelin qendror, kjo nuk e përjashton faktin që diskutimi ynë duhet të jetë i fokusuar ashtu sikurse edhe preokupimi ynë, kah zgjidhjet që mund t’i ofrojmë, ngase ne e kemi për obligim të punojmë për qytetarët pa menduar për zgjedhjet dhe pa menduar veten tonë në radhë të parë. Interesi i qytetarëve dhe i shtetit, interesi i komunave dhe i Republikës, mbeten parësore, andaj edhe duhet ta fuqizojmë bashkëpunimin tonë për sa më shumë punë të mira në dobi të zhvillimit të Kosovës e mirëqenies së qytetarëve.

Situata ka ndryshuar në mënyrë pozitive. Në këtë vjeshtë Kosovën e kemi me 425 mijë të punësuar, ndërkaq në pranverën e vitit 2021 ishin 350 mijë të punësuar dhe besoj që ky punësim i shtuar padyshim që është reflektuar edhe në mirëqenien edhe në aktivitetin e popullsisë.

Ekonomia në këto vite që edhe ju edhe unë jemi në qeverisje, përkatësisht Bruto Produkti Vendor është rritur me 33%, ndërkaq buxheti i shtetit me 35%. Janë shpërndarë rreth 1.3 miliardë euro te qytetarët dhe te bizneset përmes masave të shumta pa krijuar borxhe të reja. Gjithashtu kemi edhe një rritje të pagës minimale dy herë, në 264 euro fillimisht e më pastaj edhe në 350 euro, ndërkaq tash kemi prezantuar edhe këtë skemën e re pensionale, me 20% rritje, ku mbi 304 mijë pensionistë përfitojnë nga kjo rritje, e cila ende nuk paraqet reformën pensionale që do të vijë në të ardhmen e afërt.

Një arritje tjetër e rëndësishme, ku përfitojnë komunat në mënyrë direkte, është fillimi i projektit për banim të përballueshëm në 13 komuna. Janë përzgjedhur lokacionet sipas kritereve të vendosura nga ministria, kurse deri tani janë nënshkruar 5 marrëveshje, Gjilan, Pejë, Podujevë, Istog dhe Kamenicë, dhe jemi shumë afër nënshkrimit me Obiliq dhe me Shtime. Vlen të përmendet edhe ndërtimi i shtëpive nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nëpër komuna, me mbi 130 shtëpi të ndërtuara dhe 200 të tjera në proces të ndërtimit, e këto të fundit vetëm në katër komunat në veri të vendit.

Përtej infrastrukturës dhe ndërtimit, rëndësi i kushtojmë edukimit të gjeneratave të reja, përmes nismave si arsimi dual në shkolla, ku sot i kemi 12 profile me mbi 1500 nxënës në 14 komuna anembanë Kosovës. Ju inkurajoj të gjithëve që e keni tashmë mësimin dual, ta rrisim bashkërisht numrin e nxënësve, numrin e profileve, numrin e shkollave, ndërkaq ju të nderuar kryetarë e nënkryetarë të komunave që nuk keni ende sistemin e arsimit dual, është mirë që sa më parë të fillojmë një bashkëbisedim që ai të vendoset edhe aty ku ende nuk është.

Investimet në komuna, kanë patur për qëllim edhe ruajtjen e përkujdesin ndaj trashëgimisë kulturore dhe unë ju falënderoj të gjithëve për bashkëpunimin që kemi në këtë aspekt, sepse trashëgimia kulturore ndodhet në thelb të historisë së popullit tonë. Janë mbi 9 milionë euro të cilat janë alokuar për projektet kulturore, ku përfshihen dhjetëra objekte të restauruara.

Gjithashtu edhe organizimi i Lojërave Mesdhetare dihet që i sjellë komunave mbi 200 milionë euro investim, ngase ato janë gjithashtu nikoqire të këtij organizimi, ku do të marrin pjesë rreth 5000 sportistë.

Nga viti 2021 deri në vitin 2024, janë regjistruar mbi 40 mijë biznese të reja në Kosovë. Ndërkaq, në fushën e bujqësisë, janë mbështetur me 300 milionë euro fermerët. Nga bizneset e deri te fermerët, nuk ka asnjë shtresë, në asnjë komunë, në të cilën nuk është ndjerë mbështetja financiare dhe tjetërfare.

Këto masa dhe politika tregojnë një përkushtim timin si kryeministër e të qeverisë tonë të përbashkët, për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, për krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve, pa asnjë dallim.

Jam i bindur që me të njëjtin angazhim, mund të bëjmë më të mirën edhe në këto muaj të mbetur të këtij viti, me synim që punët e mbara t’i vazhdojmë dhe sfidat t’i tejkalojmë së bashku.

Ne jemi këtu për t’iu ndihmuar e për t’iu përkrahur, andaj edhe për këtë le ta intensifikojmë dialogun dhe bashkëpunimin.

Ndër temat që duam t’i trajtojmë në këtë mbledhje të përbashkët tonën, është një çështje e cila është bërë më e rëndë me kalimin e kohës, e kjo është e qenve endacakë, përkatësisht menaxhimi efikas, i cili kërkon koordinim të plotë të dy niveleve. Duhet të kuptojmë që ministritë e linjës dhe komunat duhet të përcaktojnë vend lokacionet për ndërtimin e qendrave të trajtimit të përkohshëm. Komunat duhet të vazhdojnë fushatën me kastrim, sterilizim dhe vaksinim, si dhe të menaxhojnë shitjen e mbarështimin e pakontrolluar, duke i dhënë fund luftërave me qen. Informacionet tregojnë se në disa komuna organizohen luftëra me qen dhe si rezultat krijohen laboratorë shumimi. Qentë më pas braktisen dhe sulmojnë. Qeveria është e gatshme të bashkëfinancojë bazuar në nevojat reale, duke i siguruar qytetarët nga sulmet e qenve endacakë, të cilët janë bërë lajme gati të përditshme në vendin tonë.

Po ashtu, një çështje për të cilën i gëzohemi, është edhe projekti “Ndërlidhja e qytetarit me adresë zyrtare”. Ky projekt synon përmirësimin e administratës publike dhe shërbimeve për qytetarët, duke krijuar adresa unike dhe zyrtare. Kjo do të lehtësojë proceset e regjistrimit të adresave, do të rrisë sigurinë dhe do të ndihmojë planifikimin e qëndrueshëm të komunave. Me këtë sistem, qytetarët nuk do të kenë më nevojë për dokumente shtesë për regjistrim, fatura, por do të mund të deklarojnë adresën vetëm me emërtimet zyrtare të rrugëve, duke bërë administratën më të organizuar e gjithsesi edhe më efikase.

Me kërkesë të Asociacionit të Komunave të Kosovës, është kërkuar që në këtë mbledhje të diskutohet edhe çështja e kontratës kolektive, për të cilën, t’iu vë në vëmendje që edhe në këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës ka për qëllim vendosjen e ligjshmërisë. Çdo tendencë apo veprim në drejtim të zbatimit të kontratave jashtë fuqisë së ligjit, e dëmton punëtorin, e dëmton sundimin e ligjit dhe shtetin tonë. Ne duam diskutim të hapur e të gjerë me punëtorët, bashkë për hartimin e pastaj zbatimin e kontratave kolektive, të cilat reflektojnë nevojën, mundin dhe të drejtën e punëtorit në Republikën e Kosovës.

Ju faleminderit për bashkëpunimin, për pjesëmarrjen, për vëmendjen dhe pa humbur kohë po ia kaloj fjalën fillimisht ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqit.

Last modified: 8 Tetor, 2024

Comments are closed.