Prishtinë, 7 tetor 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, priti në takim shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, Giovanni Pietro Barbano.
Kryeministri Kurti vlerësoi marrëdhëniet me EULEX-in si reagues i dytë i sigurisë në vend e në këtë prizëm veçanërisht edhe atë në raport me bashkëpunimin me Policinë e Kosovës.
Kryeministri Kurti theksoi dhe gatishmërinë e vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në fushat si ajo e forenzikës përmes Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës. U diskutua edhe çështja e lajmeve të rreme dhe dezinformimit e cila u konsiderua si tejet shqetësuese.
Më tej, u nënvizua se incidentet ndëretnike janë gjithnjë e në rënie të dukshme, në veçanti gjatë këtij mandati qeverisës. Të dy palët mbeten të përkushtuara në gjithëpërfshirjen e të gjitha komuniteteve dhe harmonisë sa më të gjerë ndëretnike.
Kryeministri Kurti e falënderoi shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, për takimin duke shprehur rëndësinë e fuqizimit të bashkëpunimit.
Last modified: 7 Tetor, 2024