Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti u takua me Nënsekretarin e Përgjithshëm dhe Administratorin e Asociuar të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Haoliang Xu

26 Shtator, 2024

 

New York, 26 shtator 2024

Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, takimi i radhës i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte me Nënsekretarin e Përgjithshëm dhe Administratorin e Asociuar të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Haoliang Xu.

Kryeministri Kurti vlerësoi partneritetin dhe bashkëpunimin e ngushtë me UNDP-në në shumë projekte e fusha me interes të përbashkët. Më tej, e njohu Nënsekretarin me aktualitetin në vend dhe progresin që ka njohur vendi në tre vitet e fundit të qeverisjes. Nga rritja ekonomike dhe shpërndarja e barabartë e saj te të gjithë qytetarët pa dallim, shtesat për nënat dhe fëmijët, mbështetja e bizneseve, rritja e vendeve të punës sidomos për gratë dhe të rinjtë, sundimi i ligjit e luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai shtoi se arritjet dhe zhvillimin që po përjeton vendi, u dëshmuan edhe përmes rankimeve e matjeve ndërkombëtare. Kryeministri shprehu mirënjohjen për mbështetjen nga ana e UNDP- së edhe në programe që prekin transformimin digjital, transparencën dhe qeverisjen e mirë.

U theksuan projektet zhvillimore në pjesën veriore të Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimi me UNDP në këtë aspekt. Kryeministri theksoi nxitjen e të bërit biznes përmes incentivave të Qeverisë, si dhe projektet infrastrukturore që do përkrahen në kuadër të organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030. Të njëjtat, theksoi Kryeministri, do ndihmojnë zhvillimin ekonomik në dobi të qytetarëve dhe do mund të fuqizohen më tutje përmes bashkëpunimit me UNDP-në.

Nga ana e tij, Nënsekretari Haoliang Xu vlerësoi reformat e thella dhe angazhimin nga Qeveria e Kosovës si dhe nënvizoi gatishmërinë e UNDP-së për të përkrahur iniciativat e qeverisjes së mirë dhe digjitalizimit të shërbimeve, që kanë për synim transparencën dhe gjithëpërfshirjen.

Duke theksuar përkushtimin e Kosovës ndaj objektivave për zhvillim të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Kurti e falënderoi z. Haoliang Xu për shkëmbimin dhe bisedën e frytshme, duke rikonfirmuar bashkëpunimin e thellë dhe produktiv me UNDP-në.

Last modified: 26 Shtator, 2024

Comments are closed.