New York, 25 shtator 2024
Pjesëmarrjen në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e filloi me takimin bilateral me Kryeministrin e Principatës së Lihtenshtajnit, Daniel Risch.
Ky takim në New York u zhvillua teksa në Prishtinë përfaqësues të dy qeverive po zhvillojnë raundin e katërt të diskutimeve rreth marrëveshjes për EFTA, për çka kryeministri u shpreh optimist për finalizimin e saj e që do të kontribuonte në rritjen e raporteve tona ekonomike dhe tregtare.
Duke qenë përkrahëse e vazhdueshme ndaj proceseve integruese të Kosovës, kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e Lihtenshtajnit për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.
Në kuadër të fuqizimit të marrëdhënieve bilaterale, kryeministri Kurti dhe kryeministri Risch bashkë diskutuan edhe për mundësitë për lehtësimin e bashkëpunimit tregtar përmes eliminimit të tatimit të dyfishtë.
Ky ishte takimi i parë ndërmjet dy kryeministrave.
Last modified: 25 Shtator, 2024