Prishtinë, 24 shtator 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Zëvendëskryeministren e Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilija Rexhepi, mirëpritën ministren Federale të Arsimit dhe Shkencës të Bosnjë dhe Hercegovinës, Jasna Duraković.
Palët biseduan mbi nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet dy vendeve tona, jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në fushat e tjera me interes të përbashkët.
Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri theksoi të arriturat tona në fushën e arsimit gjatë këtij mandati qeverisës, me theks të veçantë në arsimin publik falas, por edhe përkushtimin e Qeverisë në barazinë mes të gjitha komuniteteve dhe qasjes së barabartë pa dallim, duke potencuar procesin e subvencionimit të librave për të gjithë fëmijët.
Ai nënvizoi se janë gjithsej 2670 nxënës të komunitetit boshnjak që vijojnë mësimin nga arsimi parashkollor e deri te ai i mesëm dhe i lartë, ndërsa numri i mësimdhënësve boshnjak është 486 në tërë Republikën e Kosovës. Në takim u trajtua dhe mundësia e shkëmbimit të stafit mësimdhënës, si dhe krijimi i komisioneve të përbashkëta që do të ndihmonin në përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore në gjuhën boshnjake.
Ministrja Federale e Arsimit dhe Shkencës, Jasna Duraković, u shpreh e lumtur që ndodhet në Prishtinë dhe vlerësoi bashkëbisedimin me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministren Rexhepi, si dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e saj për rritjen e bashkëpunimit.
Nga ana e tij, Kryeministri i dëshiroi ministres qëndrim të frytshëm e produktiv në Kosovë, teksa e falënderoi atë për bisedën e sotme.
Last modified: 24 Shtator, 2024