Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti ishte folës kyç në ceremoninë e diplomimit të programit evropian të masterit për të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim (EMA)

23 Shtator, 2024

 

Venecia, 23 shtator 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë dje në ceremoninë e diplomimit të programit evropian të masterit për të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim (EMA), ku ishte i ftuar si folës kyç. Ceremonia në të cilën diplomuan 82 studentë nga 32 shtete u mbajt në ndërtesën historike Scuola Grande San Giovanni Evangelista në Venecia të Italisë.

Deri më tani studentë të programit (EMA) kanë realizuar 20 vizita në Kosovë për të parë nga afër realitetin e punës në terren për të drejtat e njeriut dhe gamën e gjerë të aktorëve që u kërkohet të rindërtojnë shoqërinë pas luftës. Gjatë këtyre vizitave studimore, studentët e programit janë mirëpritur për takim dhe diskutim nga kryeministri Kurti.

Në adresimin e tij, ai u shpreh i nderuar me ftesën për të qenë pjesë e ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së 27-të të programit. Ai tha se ky vit akademik përkon me dy përvjetorë të rëndësishëm dhe që ndërlidhen njëra me tjetrën. Së pari, në dhjetor të vitit 2023 u shënua 75-vjetori i miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, që përbën dokumentin themeltar të të drejtave të njeriut, dhe së dyti këtë vit u shënua vizita e 20-të studentore e programit EMA në Kosovë për të marrë mësime të dorës së parë rreth promovimit të të drejtave të njeriut dhe demokratizimit të shoqërisë në terma praktikë.

“Republika e Kosovës sot, ashtu si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, përfaqëson një udhëtim të jashtëzakonshëm nga thellësia e represionit, aparteidit dhe gjenocidit deri në atë që jemi bërë tani: një fener i demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”, tha kryeministri.

Ai shtoi se të Drejtat e Njeriut janë shpikja më e madhe e shekullit të 20-të dhe besnikëria jonë ndaj të drejtave të njeriut do ta përcaktojë fatin e shekullit 21, dhe se përmes tyre ne bëhemi ata që jemi, pra qenie njerëzore.

Për fund, ai u bëri thirrje të sapo diplomuarve që të vazhdojnë të bëjnë pyetje, të jenë kureshtarë dhe të angazhohen pa ndalë për ta bërë botën një vend më të mirë për të gjithë.

Kryeministri Kurti në këtë ceremoni ishte i shoqëruar nga Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, znj. Nita Shala.

Fjalimi i plotë i kryeministrit Kurti:

I nderuar profesor Manfred Nowak,
E nderuara profesoreshë Marijana Grandits,
Të nderuar anëtarë të Programit Master Evropian në të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim (EMA),
Të nderuar absolventë,

Është nder dhe kënaqësi e madhe të jem me ju sot, në qytetin e mrekullueshëm të Venecias, dhe të mbaj këtë fjalim, me rastin e diplomimit tuaj.

Ceremonia e diplomimit është gjithmonë një ngjarje e veçantë për të diplomuarit dhe familjet e tyre – një mundësi për të festuar gjithçka që keni arritur, si dhe një moment i pritjes së të ardhmes së ndritshme që ju pret, dhe të gjithë atyre që do tu shërbeni dhe bashkëpunoni me ta.

Siç e dini, këtë vit akademik, ne kemi një arsye edhe më të madhe për të festuar. Janë arritur dy përmbushje të rëndësishme. E para, më 10 dhjetor të vitit të kaluar, ne shënuam 75 vjetorin e miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, dokumenti historik që nisi lëvizjen moderne të të drejtave të njeriut. Dhe e dyta, ky vit ishte gjithashtu hera e 20-të që studentët nga programi EMA filluan një udhëtim studimor në Kosovë – vendin që unë drejtoj – për të mësuar nga afër se çfarë do të thotë të promovosh të drejtat e njeriut dhe demokratizimin në një mjedis real. Kam pasur kënaqësinë t’i mirëpres në Kosovë çdo vit.

Këto dy përmbushje nuk janë krejtësisht të palidhura. Pasi Lufta e Dytë Botërore dhe Holokausti ekspozuan brutalisht të keqen që qeniet njerëzore ishin në gjendje t’i shkaktonin njëri-tjetrit, Deklarata simbolizonte triumfin përfundimtar të shpirtit njerëzor.

Deklarata Universale kodifikoi një listë të të drejtave specifike: një përshkrim të detajuar të asaj që të gjithëve na takon, thjesht për shkak të të qenit njerëzor. Në përcaktimin e këtyre të drejtave, hartuesit e Deklaratës i dhanë pasardhësve një sërë aspiratash fisnike, të cilat të gjitha vendet duhet të përpiqen t’i arrijnë, sado të papërsosura. Në këtë mënyrë, Deklarata Universale parashtroi njëkohësisht një minimum të trajtimit njerëzor dhe një maksimum të aspiratës njerëzore.

Dhe këtu qëndron vlera e veçantë e udhëtimeve vjetore të Programit EMA në Kosovë. Për Republikën e Kosovës sot, ashtu si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, përfaqëson një udhëtim të jashtëzakonshëm nga thellësia e represionit, aparteidit dhe gjenocidit deri në atë që jemi bërë tani: një fener i demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

Kur programi EMA po merrte formë në mendjen e profesorit të ndjerë Antonio Papisca, shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut po kryheshin në mbarë Kosovën. Në vitin 1997, vit i themelimit të këtij institucioni, unë isha vetë aktivist i të drejtave të njeriut, një ndër shumë studentë të tjerë shqiptarë që protestonin për të drejtën e kthimit në ambientet tona universitare, nga të cilat u dëbuam me dhunë nga regjimi i Millosheviqit. Ndërsa profesori Papisca dhe të tjerët po kërkonin të krijonin një program Master në të drejtat e njeriut, bashkëkombasit e mi dhe unë po e vendosnim jetën tonë në linjë për të mbrojtur të drejtat e njeriut në praktikë – të njëjtat të drejta që u sanksionuan 75 vjet më parë në Deklaratën Universale, duke përfshirë të drejtën për arsim, Neni 26.

Nuk pata fatin ta njoh personalisht profesor Papiskën. Por nga ajo që kam lexuar për të, do të habitesha nëse ai nuk do të ishte i shqetësuar me atë që po ndodhte në Kosovë në fund të viteve 1990. Do të doja të mendoja se shqetësime të tilla ishin në fund të mendjes së tij teksa po ngjizte idenë e një Masteri Evropian në të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizim. Ndoshta kjo është një pyetje që biografët e profesor Papisca-s mund të na ndihmojnë t’i përgjigjemi në të ardhmen.

Ata prej jush që kanë pasur fatin e madh të vizitojnë Kosovën e dinë se, përderisa asnjë vend nuk është i përsosur, ne kemi bërë hapa të mëdhenj — veçanërisht gjatë viteve të fundit — në avancimin e kauzave të ndërlidhura të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Me masat e shumë organizatave ndërkombëtare, ne po përparojmë me shpejtësi në të gjitha këto aspekte. Për shembull, në tre vitet e fundit kemi avancuar 21 vende në Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Ne jemi të parët në Ballkanin Perëndimor në Indeksin e Demokracisë Zgjedhore të Institutit V-Dem. Në vitin 2022, Projekti Botëror i Drejtësisë na renditi të dytin në botë për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit. Dhe sipas Freedom House, Kosova renditet si numër një në Ballkanin Perëndimor, e dyta në Evropë dhe e treta në botë për avancimin në të drejtat politike dhe lirinë civile.

Ne kemi bërë gjithashtu progres të rëndësishëm në arritjen e 17 Objektivave të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm, duke filluar nga ulja e varfërisë deri te arsimi cilësor. Kemi bërë këtë, për shembull, duke prezantuar, dhe pastaj dyfishuar, subvencionet për kujdesin e fëmijëve; duke bërë arsimin e lartë publik falas për studentët e shkencave dhe të masterit; duke ndërtuar dhe riparuar shtëpi të reja për komunitetet etnike të pakicave; duke rritur pensionet për personat me aftësi të kufizuara; dhe shumë më tepër. Me fjalë të tjera, ne kemi treguar në Kosovë se progresi demokratik dhe rritja ekonomike shkojnë së bashku.

OZHQ-të e OKB-së janë të lidhura ngushtë me të drejtat e njeriut. Siç e kam theksuar tashmë, Deklarata Universale na tregon se të drejtat e njeriut përfaqësojnë jo vetëm minimumin e thjeshtë të asaj që i detyrohemi njëri-tjetrit si qenie njerëzore; ato janë gjithashtu një koleksion idealesh të larta që vendosin axhendën për veprime më radikale. Dhe kjo është diçka që ne e kemi marrë për zemër në Kosovë.

Për shembull, Neni 23 i Deklaratës fillon me fjalët: “Të gjithë kanë të drejtën për të punuar” – një ide mjaft e thjeshtë, por me implikime praktike të gjera. Nëse e marrim seriozisht idenë se puna është një e drejtë e njeriut, duhet të riorientojmë rrënjësisht mënyrën se si e shohim fenomenin ekonomik të papunësisë. Atëherë duhet të jemi të hapur ndaj idesë se ata që duan të punojnë, por nuk janë në gjendje të gjejnë një punë, nuk janë thjesht të padenjë ose të pafat: përkundrazi, është shoqëria në tërësi dhe shteti që kanë për detyrë të ndihmojnë në krijimin e mundësive që ata të ushtrojnë punën e tyre – jo thjesht si një çështje bamirësie, por si një çështje e së drejtës dhe drejtësisë. Është pikërisht për këtë arsye që ne e kemi bërë krijimin e vendeve të punës në qendër të programit tonë të qeverisë, duke përfshirë futjen e stimujve të sektorit privat për punësimin e grave, të rinjve dhe atyre që vijnë nga familje pa anëtarë të punësuar.

Për të marrë një shembull tjetër, Neni 27 i Deklaratës parashtron se “Çdokush ka të drejtë të marrë pjesë lirisht në jetën kulturore të komunitetit, të gëzojë artet dhe të marrë pjesë në përparimin shkencor dhe përfitimet e tij”. Edhe një herë, kjo dispozitë ka implikime radikale për mënyrën se si ne e shikojmë financimin e qeverisë për artet dhe shkencat, si dhe për arsimin dhe kulturën. Kur themeluam Operën Kombëtare të Kosovës në vitin 2021, apo kur ofrojmë bursa studimi për gratë dhe vajzat që ndjekin studimet në fushat STEM, ne e bëjmë këtë sepse qasja e barabartë në art, kulturë dhe gëzimi i plotë i përparimit shkencor është ajo që u detyrohet njerëzve tanë, thjesht për shkak të të qenit njerëzor.

Duke parë përtej Kosovës në pjesën tjetër të Evropës, perspektiva për të drejtat e njeriut mund të duket më e errët dhe më shqetësuese. Në shoqëritë demokratike në të gjithë kontinentin, rritja e ekstremizmit të së djathtës ekstreme kërcënon të kthejë mbrapsht përparimin tonë të luftuar dhe të fituar me mund. Dhe sot, Evropa është dëshmitare e një lufte tjetër të tmerrshme – një në të cilën idealet e të drejtave të njeriut dhe demokracisë janë shumë në rrezik, dhe një që kujton luftën e ngjashme të Kosovës në fund të viteve 1990. Ukraina është në mes të një lufte heroike për të zmbrapsur një agresion brutal dhe të paligjshëm rus, jo vetëm kundër popullit dhe territorit të saj, por edhe kundër aspiratave të saj për të mbetur një vend i lirë dhe demokratik. Ndërhyrja vendimtare humanitare e botës demokratike në Kosovë në vitin 1999 mund të ishte vonë, por për fatin tonë nuk ishte vonë. Të gjithë ne që mbrojmë të drejtat e njeriut dhe demokracinë duhet të pyesim veten nëse po bëjmë mjaftueshëm për të ndihmuar popullin ukrainas në këto kohë të vështira.

Pavarësisht këtyre sfidave, unë jam gjithmonë i mbushur me shpresë kur flas me të rinj si ju – shpresoj që edhe përballë vështirësive në dukje të pazgjidhshme, ende mund të gjendet një zgjidhje. Në të vërtetë, siç na kanë treguar shembujt e Deklaratës Universale dhe të Republikës së Kosovës, drita e ndritur e aspiratës dhe përpjekjes njerëzore gjithmonë gjen rrugën për të dalë nga kohërat më të errëta.

Të drejtat e njeriut përmes deklaratës së saj të miratuar nga OKB-ja morën certifikatën e martesës së lumtur të barazisë dhe universalitetit, rezultatet sociale të së cilës janë paqja dhe dinjiteti. Ka aktivistë dhe politikanë në mbarë botën që filluan herët me të drejtat e njeriut, por në shkallë të ndryshme, në faza të ndryshme të jetës, u zhgënjyen. Unë vetë besoj në të drejtat e njeriut gjithnjë e më shumë, sot më shumë se kurrë. Po ashtu, i konsideroj të drejtat e njeriut shpikjen më të madhe të shekullit të 20-të dhe besnikërinë tonë ndaj të drejtave të njeriut që përcaktojnë fatin e shekullit të 21-të. Me anë të të drejtave të njeriut, ne bëhemi ata që jemi – qenie njerëzore.

Një këshillë e vogël për të gjithë ju që nuk jeni më studentë: vazhdoni të studioni dhe përqafoni eksperimentimin. Është përmes eksperimentimit që ju do të zbuloni se kush jeni, çfarë ju shtyn dhe si të shprehni veten tuaj të vërtetë krijuese. Kjo sjell ndërmend një nga idealet më të fuqishme brenda Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut: vizionin e një komuniteti ku zhvillimi i lirë dhe i plotë i personalitetit njerëzor është i mundur. Qëndrimi besnik ndaj këtij ideali do të thotë të eksplorojmë vazhdimisht se si mund të promovojmë të drejtat e njeriut dhe, duke e bërë këtë, të kontribuojmë në një botë ku të gjithë mund të lulëzojnë. Prandaj, bëni eksperimente, gjithmonë brenda të drejtave të njeriut, dhe kurrë mos eksperimentoni mbi ose me të drejtat e njeriut. Vazhdoni të bëni pyetje, qëndroni kurioz dhe kurrë mos ndaloni së kërkuari mënyra për ta bërë botën një vend më të mirë për të gjithë. E ardhmja është e juaja për të formuar, kështu që formësoni atë me qëllim dhe dhembshuri.

Faleminderit dhe urime.

Last modified: 24 Shtator, 2024

Comments are closed.