Zyra e Kryeministrit

4.4 milionë euro mbështetje për 167 biznese vendore përfituese të skemës së përkrahjes financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme

17 Shtator, 2024

 

Prishtinë, 17 shtator 2024

Organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, sot u mbajt në ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve për mbështetje financiare të 167 bizneseve vendore, përfituese të skemës së përkrahjes financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme, për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese. Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Me një vlerë prej 4.4 milionë eurosh, prej të cilave përfituese janë përzgjedhur 167 biznese prodhuese, kryeministri Kurti tha se po ofrojmë mbështetje direkte për blerjen e makinerive dhe pajisjeve, të cilat do të ndihmojnë që ndërmarrjet të zhvillohen, modernizohen dhe kontribuojnë në zhvillimin e mëtutjeshëm të ekonomisë së vendit tonë.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti, theksoi se me vizionin për qeverisje të mirë demokratike, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, mirëqenie me siguri dhe barazi, krijimin e një mjedisi të favorshëm të të bërit biznes dhe rritja e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve tona mbeten prioritete të pandryshuara.

Me qëllim të transformimit në fushën e industrisë në vendin tonë, Qeveria e Kosovës, për herë të parë që nga periudha e pas luftës, ka miratuar Politikën Industriale 2030, e cila synon që industria e Kosovës të transformohet në një industri e cila është integruar globalisht, që prodhon produkte me vlerë të shtuar të lartë, të cilësisë në ngritje dhe me punësim dinjitoz për qytetarët.

Në këtë ngjarje kryeministri përmendi edhe përkrahjen për industrinë prodhuese e cila sa i përket potencialit në eksport është rritur ndjeshëm vitet e fundit, në radhë të parë ai përmendi mbështetjen ndaj Fondit Kosovar Garanci Kreditore me 36 milionë euro, nga ana e Qeverisë së Kosovës. Tutje, ai shtoi se janë krijuar instrumente financiare për garantimin e investimeve të bashkatdhetarëve tanë, kjo është arritur nëpërmjet Dritares për Investime të Diasporës. Po ashtu, vetëm në këto tri vitet e fundit, përfshirë edhe këtë vit, 706 ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, u është dhënë mbështetje financiare në rritjen e konkurrencës në vlerë prej mbi 20 milionë euro, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA).

Ndërkaq në anën tjetër, bazuar në raportet e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, vlerësimet për vitin 2024 kanë treguar se Kosova ka pasur një rritje ekonomike prej 3.9% në Kosovë, si dhe rënie të inflacionit që natyrisht është kundrejt importit i cili ndikon negativisht në bruto produktin vendor. Ndërkaq, sa i përket raporteve ndërkombëtare nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, parashihet që sektori industrial në vendin tonë të rritet me 3.6%, me çmime bazë konstante për vitin 2024, pasi që sektori industrial përbën rreth 13.2 % e BPV-së.

“Kosova ka shënuar zhvillim dhe rritje të shpejtë, duke shënuar një normë mesatare vjetore të rritjes së PBB-së prej 6.2% në bazë vjetore gjatë këtyre tre viteve të fundit mesatarisht. Prej vitit 2021 deri në këtë vitin 2024 Bruto produkti vendor i vendit tonë ose ekonomia e Kosovës është rritur për 33%”, potencoi kryeministri Kurti para të pranishmëve.

Në përmbyllje kryeministri deklaroi se me qëllim të mbështetjes se sektorit privat si dhe reformat e krijuara tregojnë se Qeveria është e angazhuar dhe e përkushtuar maksimalisht në krijimin e mundësive të reja të punësimit si dhe më anë të kontributit dhe punës në ndërmarrje e tyre të shpalosin potencialin e ndërmarrjeve në Kosovë si shtytës kryesor për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor.

Në lidhje me këtë ngjarje edhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se vërtet sot është një ngjarje e veçantë dhe e rëndësishme për ne pasi kemi përfunduar publikimin e listës përfundimtare të 167 bizneseve prodhuese që do të përfitojnë nga mbështetja e grantit për blerjen e makinerive prodhuese, përpunuese. ‘Urime të gjithëve në këtë ngjarje të veçantë”, u shpreh ajo.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
I nderuari z.Resul Makreshi, zëvendësministër në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
I nderuari z.Zef Dedaj, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të KIESA-s,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të bizneseve nga industria prodhuese, përpunuese në vendin tonë
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi e veçantë të ndodhem sot këtu, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve për mbështetje financiare të 167-të bizneseve vendore, përfituese të skemës së përkrahjes financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme, për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese.

Me përkrahjen financiare prej mbi 4.4 milionë euro po ofrojmë mbështetje direkte për blerjen e makinerive dhe pajisjeve. Ato do të ndihmojnë që ndërmarrjet të zhvillohen, të modernizohen dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mëtutjeshëm të ekonomisë sonë të gjithmbarshme vendore, por edhe të rritjes së bizneseve individuale.

Me vizionin tonë për qeverisje të mirë demokratike, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik mirëqenie me siguri dhe barazi, krijimi i një mjedisi të favorshëm të të bërit biznes dhe rritja e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve tona mbeten prioritete të pandryshuara.

Për herë të parë që nga periudha e pas-luftës, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka miratuar Politikën Industriale 2030. Kjo me qëllim që të transformojmë industrinë e Kosovës në një industri e cila është integruar globalisht, që prodhon produkte me vlerë të shtuar të lartë, të cilësisë në ngritje dhe me punësim dinjitoz për qytetarët.

Me politikat tona zhvillimore, po e rrisim ekonominë e vendit dhe po i mbështesim si asnjëherë më parë edhe qytetarët dhe ndërmarrësit e industrisë prodhuese gjithashtu në rritje. Gjatë tri viteve të fundit, përkrahja për industrinë prodhuese me potencial eksporti është rritur ndjeshëm dhe unë këto do ti përmend disa prej veprimeve kryesore:

Së pari, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbështetur Fondin Kosovar për Garanci Kreditore me 36 milionë euro përgjatë vitit 2023 dhe këtij vitit 2024 në të cilin ndodhemi. Nga ky Fond janë garantuar 1,222 kredi të 1,074 bizneseve, në vlerë prej 82 milionë euro kredi të disbursuara nga garantimi prej këtij Fondi, të mbështetur vetëm nga kapitali i dhënë nga Qeveria në këtë Fond, gjatë këtyre dy viteve të fundit. Nga këto kredi janë shtuar 2,230 vende pune.

Së dyti, nëpërmjet Dritares për Investime të Diasporës, dhe garantimin e investimeve të diasporës, kemi krijuar instrumente financiare për garantimin e investimeve të bashkatdhetarëve tonë. Përmes kësaj dritareje, mundësohet garantimi i kredive investuese deri në 3 milionë euro, ndërkaq e tërë dritarja parashihet që të arrijë deri në 100 milionë euro. Bashkatdhetarët nga kudo në botë, e kanë mundësinë që të investojnë edhe në Kosovë.
Së treti, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA), gjatë tri viteve të fundit përfshirë këtë vit, kemi dhënë mbështetje financiare në rritjen e konkurrencës së 706 ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, në vlerë prej mbi 20 milionë euro. Këtë mbështetje e kemi shpërndarë përmes skemave të granteve për avancim të teknologjisë, me qëllim rritjen e prodhimit dhe rritjen e eksportit të produkteve vendore, certifikimin e produkteve, trajnimin, digjitalizimin e ndërmarrjeve, si dhe mbështetje financiare për zejtarët artizanë, me synim krijimin, zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të artizanateve.

Për ndërkombëtarizim të ndërmarrjeve tona dhe rritje të eksporteve, që këto tre vite janë dyfishuar kemi mbështetur rreth 400 biznese vendore për pjesëmarrjen në mbi 50 panaire ndërkombëtare për mallra, shërbime dhe aktivitete të turizmit, duke promovuar mbi 1500 produkte në vlerë prej 3.2 milionë euro.

Me qeverisjen e mirë, besueshmërinë dhe kënaqëshmërinë e lartë të qytetarëve, reformat ekonomike, përgjegjshmërinë fiskale, mbështetjen e investimeve përmes garantimit të kredive, dhe krijimin e skemave të granteve për sektorin e biznesit, Kosova po bëhet çdo herë e më shumë vend që siguron prosperitet ekonomik e mirëqenie për të gjithë.

Andaj edhe nuk është e befasishme që ashtu siç janë dyfishuar eksportet, janë dyfishuar edhe investimet e huaja direkte përmes investimeve të ndërmarrjeve të cilat vijnë nga jashtë dhe në këtë mënyrë kanë përfituar për vete sepse jemi vend i leverdishëm për të investuar, por gjithashtu edhe ka ndihmuar në rritjen e punësimit tek ne, i cili është rritur gjithashtu në masë përmbajtjesore gjatë këtyre tri viteve.

Kosova ka shënuar zhvillim dhe rritje të shpejtë, duke shënuar një normë mesatare vjetore të rritjes së PBB-së prej 6.2% në bazë vjetore gjatë këtyre tre viteve të fundit mesatarisht. Prej vitit 2021 deri në këtë vitin 2024 Bruto produkti vendor i vendit tonë ose ekonomia e Kosovës është rritur për 33%.

Me një normë të inflacionit prej vetëm 1.4% për muajin gusht, pra muajin që lamë pas sivjet. Kosova ka pasur gjithashtu edhe borxhin e përgjithshëm më të ulët krahasuar më shtetet e Ballkanit Perëndimor, me vetëm 17.3% në vitin 2022.

Raportet e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës vlerësojnë për vitin 2024 një rritje ekonomike prej 3.9% në Kosovë, si dhe rënie të inflacionit që natyrisht është kundrejt importit i cili ndikon negativisht në bruto produktin vendor.

Raporte të rëndësishme ndërkombëtare përfshirë ato nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, parashohin rritje të sektorit industrial në vendin tonë me 3.6%, me çmime bazë konstante për vitin 2024. Sektori industrial përbën rreth 13.2 % e BPV-së.

Të gjitha këto reforma, dhe progresi në mbështetje të sektorit privat, tregojnë se jemi të përkushtuar e të angazhuar maksimalisht për juve si biznese, si dhe krijimin e mundësive të reja të punësimit.

Duke ndihmuar bizneset ne ndihmojmë edhe shoqërinë tonë meqenëse ju bartni barrën kryesore të punësimit në vendin tonë. Dhe për këtë ju jemi falënderues e mirënjohës sepse qytetarët e Republikës tonë duke u bërë punëtorë në ndërmarrjet e juaja edhe kontribuojnë në ato ndërmarrje edhe në ekonominë e vendit por gjithashtu edhe lartësohen për veten e tyre individualisht e familjarisht.

Me bashkëpunimin dhe përkushtimin e të gjithëve, edhe të Qeverisë edhe të sektorit privat jam i bindur se do ta shpalosim potencialin e ndërmarrjeve tuaja e tonat në Kosovë si shtytës kryesor për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor.

Ju faleminderit.

Last modified: 17 Shtator, 2024

Comments are closed.