Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm: Bashkë do të sigurojmë që Kosova të jetë një vend më i banueshëm, me i qëndrueshëm dhe i sigurt për brezat e ardhshëm 

16 Shtator, 2024

 

Prishtinë, 16 shtator 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë pasdites mori pjesë në hapjen e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kosovës, i shoqëruar nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu si dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Në fillim të fjalës së tij, kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës, përgjatë viteve të fundit, ka bërë progres të madh përpara në tranzicionin energjetik e agjendën klimatike duke treguar vizionin e angazhimin e madh për një të ardhme të qëndrueshme.

Krahas përkrahjes institucionale, kryeministri Kurti, foli edhe për investimet në ndërtimin e kapaciteteve të ripërtëritshme, ku me këtë rast theksoi se është planifikuar ndërtimi i 950 megavatëve të energjisë së ripërtëritshme përmes projekteve konkurruese. Ai veçoi organizimin e ankandin e  energjisë diellore me kapacitet prej 100 MW, si shembull suksesi, dhe shtoi se të njëjtin sukses e presin për projektet konkurruese për 150 MW të erës.

Edhe pse Kosova nuk është anëtare e Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNF), kryeministri tregoi se janë ndërmarrë veprime konkrete për të kontribuar në përpjekjet globale për klimën përmes Kontributit Kombëtar të Përcaktuar vullnetar (NDC). Në këtë drejtim, qëllimi kryesor është të reduktojmë 8.95 milionë tonë dioksid karboni ekuivalent deri në vitin 2030, që përfaqëson një ulje prej 16.3% krahasuar me nivelet e emetimeve të vitit 2016.

Para të pranishmëve, kryeministri potencoi se një ndër projektet më inovative në rajon, e më gjerë, është Solar4Kosovo përmes të cilit do të sigurohet ngrohje qendrore prej energjisë diellore për 60,000 qytetarë, dhe 100 MW të energjisë diellore për KEK-un duke e bërë atë pjesë të tranzicionit të gjelbër.

Tutje, kryeministri theksoi se në mars të këtij viti, ministrat Rizvanolli dhe Aliu, dhe ministrja e shtetit për Evropë dhe Klimë të Gjermanisë, Ana Lurhman, e cila ishte e pranishme edhe sot në hapjen e Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm, nënshkruan Partneritetin Klimatik dhe të Tranzicionit të Energjisë. Një marrëveshje kjo bilaterale e cila do të fuqizojë më tej objektivat e përbashkëta në këto fusha dhe përkrahjen e shtetit gjerman në fushën e energjisë.

Ndërkaq, sa i përket përshtatjes klimatike, kryeministri tha se Strategjia për Përshtatje ndaj Ndryshimeve Klimatike, e cila po draftohet me ndihmën e UNDP dhe USAID, do të ndihmojë në ndërtimin e kapaciteteve për t’u përballë me përmbytje dhe thatësira, si dhe do t’i bëjë prioritet investimet në rezervuarët ujorë dhe infrastrukturën e ujitjes. Teksa e cilësoi këtë si një përparësi kyçe për Kosovën.

Më tej, nëpërmjet bashkëpunimit tonë me partnerët ndërkombëtarë, e veçanërisht me Qeverinë Gjermane që u mundësua pjesëmarrja në COP27 dhe COP28, kryeministri deklaroi se do të vazhdojmë të lobojmë për përfshirjen e Kosovës në mekanizmat globalë për klimën dhe për qasje në financimet ndërkombëtare, që janë të rëndësishme për suksesin e këtyre dhe të tjerave projekteve tona.

“Më shumë se 50% e projekteve tona prioritare në sektorin e mjedisit janë të përqendruara në masat e përshtatjes klimatike, duke përfshirë ndërtimin e rezervuarëve ujorë dhe përballje me përmbytjet dhe thatësirat. Studimet e fizibilitetit për ndërtimin e rezervuarëve janë tashmë në maturim e sipër dhe ndërtimi i këtyre rezervuarëve është kritik për furnizimin me ujë për popullatën e njëashtu edhe për bujqësinë”, tha ai.

Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri shpjegoi se projekti  për hartat e rrezikut nga përmbytjet, i realizuar me teknologji LiDAR, mundëson parashikimin më të mirë të zonave të ndjeshme dhe marrjen e masave të duhura për të mbrojtur të gjithë territorin tonë nga rreziqet e përmbytjeve.

“Së bashku, do të sigurojmë që Kosova të jetë një vend më i banueshëm, me i qëndrueshëm dhe i sigurt për brezat e ardhshëm”, përfundoi kryeministri Kurti.

Pas fjalëve hyrëse, kryeministri Kurti me ministrat dhe të pranishmit vizituan ekspozitën me karakter garues me moton ‘Vepro gjelbër”, këndin e gjelbër me VR si dhe aktivitete të tjera të cilat do zhvillohen në kuadër të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm, si dhe u mbajt një konferencë për media nga ministrat e pranishëm, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Kjo prej 16-të deri me 20-të shtator i bie të jetë një javë pa fundjavë, që do të thotë se është javë e punës edhe unë kam nderin dhe kënaqësinë që të jem në hapje të saj bashkë me dy ministrat, ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Dhe me këtë rast kisha dashur që në veçanti të përshëndes Ana Lurhman, ministren e shtetit për Evropë dhe Klimë të Gjermanisë,

Pastaj zonjën, Eva Palatova, zëvendësambasadore e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe të nderuarit ambasadorë Westerlund, Rohde dhe Bovern nga Suedia, Gjermania dhe Holanda.

Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi t’ju mirëpres sot në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kosovës.

Kjo javë është një mundësi unike për të treguar përkushtimin tonë për një Kosovë të gjelbër dhe të qëndrueshme. Në veçanti e mbështes deklarimin e z.Luhrmann për marrëdhënien unike që ka Kosova me Gjermaninë, e posaçërisht për mbështetjen e saj të vazhdueshme në këtë partneritet tonin strategjik në fushën e klimës dhe të energjisë.

Republika e Kosovës, përgjatë viteve të fundit, ka bërë progres të madh përpara në tranzicionin energjetik dhe agjendën klimatike duke treguar vizionin e angazhimin tonë për një të ardhme të qëndrueshme.

Përderisa fokusi shpesh herë është në ndërtimin e kapaciteteve të reja të pastra, ne jemi siguruar që të mendojmë edhe një hap para: si është mënyra më e mirë që t’i shfrytëzojmë ato? Si rezultat, kemi filluar me projektin e kapaciteteve të ruajtjes së energjisë, prej 340 MWh përmes grantit të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit. Këto kapacitete janë më të lartat për kokë banori në botë!

Më tej, përderisa interesimi për ndërtim të kapaciteteve të ripërtëritshme është në interes të të gjitha palëve, ne kemi menduar edhe këtu një hap para: si mund të sigurohemi që kapacitetet që ndërtojmë e kanë qytetarin e Republikës së Kosovës në qendër? Si rezultat, kemi planifikuar ndërtimin e 950 megavatëve kapacitet të energjisë së ripërtëritshme përmes projekteve konkurruese.

I pari ndër ta, me të cilin kemi vënë shembull suksesi për të gjithë rajonin, është ankandi i energjisë diellore me kapacitet prej 100 MW. Ky ankand ka tërhequr interesimin e konsorciumeve e kompanive me renome botërore, të cilët kanë garuar përkundër njëri-tjetrit në një proces që të gjithë pjesëmarrësit e kanë cilësuar fer, transparent dhe të barabartë. Si rezultat, konsorciumi fitues ka dhënë çmimin final prej 48.88 EUR/ MWh, apo 35% më të ulët se çmimi tavan që kemi vënë në fillim, falë konkurrencës.

Po të njëjtin sukses e presim për projektet konkurruese për 150 MW të erës, dy herë nga 75 MW në të cilat jemi duke punuar aktualisht e që do të lansohen së shpejti, pasi me po të njëjtin zell e përkushtim po punojmë për to.

Përgjatë këtij rrugëtimi të dekarbonizimit të tranzicionit të drejtë, Gjermania na ka qëndruar në krah si partner kyç. Në mars të këtij viti, Ministrat Rizvanolli dhe Aliu dhe z.Luhrmann nënshkruan Partneritetin Klimatik dhe të Tranzicionit  të Energjisë, në marrëveshjen e re bilaterale e cila do të fuqizojë më tej objektivat tona të përbashkëta në këto fusha dhe përkrahjen e shtetit gjerman në fushën e energjisë.

Kjo është vetëm e fundit nga përkrahja e vazhdueshme dhe tejet e çmueshme e Qeverisë Gjermane dhe e investimeve gjermane drejt tranzicionit tonë energjetik. Përmes GIZ-it, përtej përkrahjes teknike në dizajnim të politikave mbështetëse për qytetarë, jemi të lumtur edhe  për përkrahjen që kanë dhënë për promovim të rolit të efiçiencës së energjisë.

Në anën tjetër, një ndër projektet më inovative në rajon, e më gjerë, është Solar4Kosovo përmes të cilit do të sigurohet ngrohje qendrore prej energjisë diellore për 60,000 qytetarë, dhe 100 MW të energjisë diellore për KEK-un duke e bërë atë kështu pjesë të tranzicionit të gjelbër. Krahas përkrahjes institucionale, ndër investimet e para në burime të ripërtëritshme në vendin tonë, parku i erës me kapacitet prej 105 MW, është bashkë-investim në vlerë prej 170 milionë eurosh, sërish me Gjermaninë.

Të gjithë e mbajnë mend inaugurimin me 27 turbina bashkë me Ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, në dimrin e ftohtë të vitit 2022.

Por përkushtimi ynë ndaj klimës nuk përfundon këtu. Edhe pse Kosova nuk është anëtare e Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNF), ne kemi ndërmarrë veprime konkrete për të kontribuar në përpjekjet globale për klimën përmes Kontributit Kombëtar të Përcaktuar vullnetar (NDC). Synimi ynë është të reduktojmë 8.95 milionë tonë dioksid karboni  ekuivalent deri në vitin 2030, që përfaqëson një ulje prej 16.3% krahasuar me nivelet e emetimeve në vitit 2016. Ky angazhim është tregues i përkushtimit tonë për të kontribuar në luftën kundër ndryshimeve klimatike, edhe pse jemi të përjashtuar nga mekanizmat ndërkombëtarë të financimit klimatik.

Siguria klimatike është sfidë thelbësore për vendin tonë. Ballkani Juglindor është një nga vatrat e nxehta të ngrohjes globale, dhe Kosova është e cenueshme ndaj ngjarjeve klimatike ekstreme sikurse përmbytjet dhe valët e të nxehtit. Në vitet 2021 dhe 2023, përmbytjet shkaktuan dëme të konsiderueshme, që i  tejkalojnë 30 milionë euro, ndërkaq temperaturat ekstreme po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, me projeksione që tregojnë se deri në fund të shekullit mund të kemi gjer në 39.2 ditë me temperatura mbi 35°C, çdo vit.

Për këtë arsye, përshtatja klimatike është një përparësi kyçe për Kosovën. Strategjia për Përshtatje ndaj Ndryshimeve Klimatike, e cila po draftohet me ndihmën e UNDP dhe USAID, do të ndihmojë në ndërtimin e kapaciteteve për t’u përballë me përmbytje dhe thatësira, si dhe do t’i bëjë prioritet investimet në rezervuarët ujorë dhe infrastrukturën e ujitjes.

Më shumë se 50% e projekteve tona prioritare në sektorin e mjedisit janë të përqendruara në masat e përshtatjes klimatike, duke përfshirë ndërtimin e rezervuarëve ujorë dhe përballje me përmbytjet dhe thatësirat. Studimet e fizibilitetit për ndërtimin e rezervuarëve janë tashmë në maturim e sipër dhe ndërtimi i këtyre rezervuarëve është kritik për furnizimin me ujë për popullatën e njëashtu edhe për bujqësinë.

Deri në vitin 2050, parashikojmë që katër nga pesë pellgjet ujore të Kosovës do të përballen me stres ujor, dhe kjo është arsyeja pse investimet në burimet ujore janë kritike për të ardhmen tonë. Gjithashtu, rreziku nga zjarret pyjore është në rritje; vetëm në vitin 2022, 473 zona pyjore u prekën nga zjarret, duke theksuar nevojën për rritje të menaxhimit dhe mbrojtjes së pyjeve. Në këtë drejtim, ne  synojmë që të rrisim mbulesën pyjore të territorit të Kosovës e të forcojmë institucionet për parandalim dhe shuarje të zjarreve.

Projekti ynë për hartat e rrezikut nga përmbytjet, i realizuar me teknologji LiDAR, po na mundëson parashikimin më të mirë të zonave të ndjeshme dhe marrjen e masave të duhura për të mbrojtur të gjithë territorin tonë nga rreziqet e përmbytjeve.

Të gjitha këto ndërhyrje janë tejet të kushtueshme. Vlerësimet tona tregojnë se për të arritur një nivel të sigurisë dhe stabilitetit ndaj ndryshimeve klimatike, më shumë se 1 miliardë euro janë të nevojshme që Kosova të jetë ndër vendet më të jetueshme në rajon. Ky financim është thelbësor për përmirësimin e infrastrukturës dhe për përballje me sfida të ardhshme klimatike.

Nëpërmjet bashkëpunimit tonë me partnerët ndërkombëtarë, e veçanërisht me Qeverinë Gjermane që na mundësoi edhe pjesëmarrjen tonë në COP27 dhe COP28, ne do të vazhdojmë të lobojmë për përfshirjen e Kosovës në mekanizmat globalë për klimën dhe për qasje në financimet ndërkombëtare, që janë të rëndësishme për suksesin e këtyre dhe të tjerave projekteve tona.

Së bashku, do të sigurojmë që Kosova të jetë një vend më i banueshëm, me i qëndrueshëm dhe i sigurt për brezat e ardhshëm.

Ju faleminderit, dhe uroj të gjithëve një diskutime të frytshme gjatë Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë.

Last modified: 16 Shtator, 2024

Comments are closed.