Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Pjesëmarrja historike e Kosovës në Lojërat Paralimpike “Paris 2024” është një dëshmi e përkushtimit të përbashkët për të avancuar sportin paralimpik në Kosovë

11 Shtator, 2024

 

Prishtinë, 11 shtator 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, mbrëmjen e sotme mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e pjesëmarrjes së Kosovës për herë të parë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”.

Gjatë vitit 2023 Komiteti Paralimpik i Kosovës, u anëtarësua në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar dhe Komitetin Paralimpik Evropian, me të drejta të plota duke mundësuar në këtë formë pjesëmarrjen në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”. Ndërkohë me përfaqësuesin e vetëm nga vendi ynë, paraatletin Grevist Bytyçi, Kosova arriti që të debutojë në këto gara, saktësisht në garën e vrapimit 1500 metra në kategorinë T46 të cilën ai e përmbylli në pozitën e 15-të.

Duke e cilësuar si moment krenarie dhe arritje historike për Kosovën, kryeministri Kurti shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e tij të thellë ndaj garuesit tonë për emocionet që ai na dha me përfaqësimin me dinjitet të vendit.

Kryeministri Kurti përmendi edhe mbështetjen që ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila me anë të investimeve të saj ka për qëllim rritjen dhe zhvillimin e sportit paralimpik, teksa shtoi se nga ky vit ka filluar edhe mbështetja për federatat e reja paralimpike. “Angazhimi institucional është thelbësor në rritjen dhe zhvillimin e këtij sporti”, tha kryeministri.

Ai shtoi se përveç rritjes së ndjeshme të buxhetit vjetor të organizatës, nga ky vit ka filluar edhe mbështetja për federatat e reja paralimpike, e ku totali i buxhetit të të dyjave arrin gjithsej 320 mijë euro për vitin 2024.

Fjalën e tij, kryeministri Kurti e përmbylli duke thënë se me një përkushtim të këtillë dhe me pasionin e me zellin e sportistëve, jemi të sigurt se së bashku do të arrijmë edhe suksese të tjera.

“Le t’i fuqizojmë përpjekjet tona, le t’i bashkojmë forcat tona, dhe le të nxisim talentet që të arrijnë majat e sportit” nënvizoi kryeministri.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Republikës,
E nderuara znj. Emilija Rexhepi, zëvendëskryeministre në Qeverinë e Republikës së Kosovës për Çështje të Drejtave të Njeriut dhe të Drejtave të Pakicave,
Të nderuar zëvendësministra, Agon Dobruna, Avdulah Dješević, Sylejman Elshani,
I nderuari deputet, Erxhan Galushi,
E nderuara znj. Njomza Emini, kryetare e Komitetit Paralimpik të Kosovës,
Shumë i dashuri Grevist Bytyqi, paraatlet i yni që na ke bërë krenar në Paris, në Lojërat Paralimpike atje,
Shkëlqesi ambasadorë të Francës, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut,
Përfaqësues diplomatikë të Malit të Zi dhe ju të tjerë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Mirë se jemi mbledhur këtu së bashku për të shënuar një ngjarje të veçantë dhe krenarie për sportin tonë paralimpik: pjesëmarrjen historike të Kosovës në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”.

Kjo pjesëmarrje u mundësua pasi që Komiteti Paralimpik i Kosovës u anëtarësua me të drejta të plota në vitin 2023 në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar dhe Komitetin Paralimpik Evropian.

Debutimin në këto gara për Kosovën e bëri paraatleti ynë nga Malisheva, Grevist Bytyçi, i cili ishte garuesi i vetëm i cili e përfaqësoi vendin tonë. Grevisti mori pjesë në garën e vrapimit 1500 metra në kategorinë T46. Gara kishte konkurrencë të fortë dhe Grevisti e mbylli garën në pozitën e 15-të me kohë prej katër minuta, tridhjetë e dy sekonda e tetëdhjetë e tetë të qindtat (4:32.88).

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ofruar përkrahje të vazhdueshme për Komitetin Paralimpik të Kosovës, jo vetëm si një akt simbolik, por si një investim real dhe të domosdoshëm për rritjen e zhvillimit të sportit paralimpik në Kosovë.

Përveç rritjes së ndjeshme të buxhetit vjetor të organizatës, nga ky vit ka filluar edhe mbështetja për federatat e reja paralimpike. Buxheti total për to dhe për federatat është gjithsej 320 mijë euro për vitin 2024.

Dëshiroj të shpreh falënderimin për të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë arritje të jashtëzakonshme. E mirënjohje e thellë dhe falënderim i madh për Grevist Bytyqin për emocionet të cilat ai dha në një garë me përfaqësim me dinjitet për vendin tonë.

Pjesëmarrja historike e Kosovës në Lojërat Paralimpike “Paris 2024” është një dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për të avancuar sportin paralimpik në Kosovë.

Teksa njerëzit flasin për aftësi të kufizuara ne që të gjithë e dimë se aftësitë e pakufizuara edhe ashtu nuk ekzistojnë.

Angazhimi institucional është thelbësor në rritjen dhe zhvillimin e këtij sporti. Me një përkushtim të këtillë dhe me pasionin e me zellin e sportistëve, jemi të sigurt se së bashku do të arrijmë edhe suksese të tjera, suksese të reja, të vazhdueshme.

Le t’i fuqizojmë përpjekjet tona, le t’i bashkojmë forcat tona, dhe le të nxisim talentet që të arrijnë majat e sportit.

Ju faleminderit.

Last modified: 11 Shtator, 2024

Comments are closed.