Mitrovicë e Veriut, 10 shtator 2024
Krahas Leposaviqit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi ditën e sotme dhe Mitrovicën e Veriut, ku u takua dhe me Kryetarin e Komunës Erden Atiq.
Në këtë takim, ku ishin prezent dhe ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u diskutua rreth planeve të mëtejme të punës së komunës, të cilat në qendër të vëmendjes dhe objektivave kanë përmirësimin e jetesës së të gjithë qytetarëve pa dallim.
Kryeministri Kurti vizitoi dhe biznese të reja të sapohapura në Mitrovicën e Veriut, të cilat krijojnë mundësi të mira e të përshtatshme të krijimit të vendeve të reja të punës e rritjes së punësimit të qytetarëve pa dallim, rritjes së mirëqenies e garantimit të gjithëpërfshirjes.
Potenciali zhvillimor i komunës së Mitrovicës së Veriut është i lartë dhe si i tillë duhet shfrytëzuar pozitivisht në të mirë të qytetarëve. Hapja e bizneseve të reja dhe zhvillimi i tyre ndikojnë në progresin e katër komunave në veri të vendit të cilat tashmë kanë nisur të lulëzojnë dhe ecin drejt rrugës së prosperitetit pas një periudhe të gjatë e të errët të ndikimit të bandave kriminale.
Kryeministri Kurti theksoi mbështetjen e Qeverisë për iniciativat që ndikojnë në përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe rritjen e punësimit si dhe përkrahjen e palëkundur për punën e komunës së Mitrovicës së Veriut.
Last modified: 10 Shtator, 2024