Prishtinë, 30 gusht 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmjen e sotme, mori pjesë në hapjen e edicionit të dytë të Festivalit “Fotoist”.
Festivali përfshin një program të pasur të fotografisë, duke na sjellë ekspozita të shumta nga artistë të njohur, si dhe të rinj që sjellin perspektiva unike.
Kryeministri Kurti e vlerësoi këtë festival si tejet të rëndësishëm, meqenëse na drejton në një realitet të ndërtuar mbi optikën, e një festival i këtillë në rajonin tonë ka vlerë të madhe përtej fotografisë si medium.
“Në vitin 2021, ne buxhetin për skenën e pavarur kulturore e kemi gjetur me 1 milion euro, kurse këtë vit shënon rritjen më të madhe ndonjëherë me 9 milionë euro, duke përfshirë sektorin e pavarur në kulturë dhe në trashëgimi kulturore. Qeveria e Republikës së Kosovës, së bashku me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e mbështesin fuqishëm organizimet e tilla të cilat e zhvillojnë artin, të cilat e ngrisin ndjeshmërinë dhe vetëdijen mbi të bukurën dhe në të njëjtën kohë duke kuptuar që nëpërmjet të bukurës, nëpërmjet estetikës edhe edukohet njeriu përveç se gëzohet”, tha kryeministri, duke shtuar se do të vazhdojmë të qëndrojmë pas ngjarjeve që afrojnë dhe e bashkojnë publikun kosovar me artin.
Ai tha se fotografia është historiani i heshtur i rrugëtimit tonë—çdo foto është një dëshmi e vlerave demokratike të Kosovës, të këtij populli, i cili ka vuajtur shumë, e megjithatë e ka fuqinë për të shikuar përpara dhe për të ecur përpara, me ç’rast pikërisht fotografia e kap edhe thelbin e rritjes sonë.
Në këtë edicion marrin pjesë emra të mirënjohur të fushës si, Ron Haviv, Barry Lewis, Paul Lowe, Amra Abadzic e Imre Szabo, si dhe artistë vendas të cilët prezantojnë ekspozitat e tyre, si Atdhe Mulla e Korab Basha ndër të tjerë
Fjala e kryeministrit Kurti:
I nderuari Blerim Myftiu, drejtor i Festivalit “Fotoist”,
I nderuari autor i ekspozitës Korab Basha dhe kurator i ekspozitës Elton Koritari,
I nderuari ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku,
I nderuari kryetar i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama,
Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves,
I nderuari Ron Haviv,
Të nderuar profesionistë dhe intelektualë të kulturës,
Të nderuar artdashës,
Të nderuar të pranishëm,
Është një kënaqësi e veçantë të jem sonte këtu me juve në hapjen e edicionit të dytë të Festivalit “Fotoist.”
Unë nuk e di se çfarë ju bën juve përshtypje për këtë festival. Mirëpo, për mua, më së shumti më ka bërë përshtypje qysh në fillim emri i Festivalit “Fotoist”. Nuk e kisha dëgjuar këtë emër më herët çka do të thotë “Fotoist”, a është “Fotoist” dikush që për fotografinë është sikurse artisti për artin, a do të thotë të jesh ithtar i fotografisë, të jesh fotofil, të jesh i magjepsur pas procesit apo pas rezultatit.
Këtu e pamë Korabin se si ishte një çik në siklet para juve, meqenëse ndjehej i fotografuar. Ai është mësuar të fotografojë e tash përnjëherë i doli aparatit përpara. Por, sido që të jetë, për bindjen time ky festival është tejet i rëndësishëm, meqenëse viti i dytë është edhe më i mirë se viti i parë dhe jetojmë në një realitet të ndërtuar mbi optikën, e një festival i këtillë në rajonin tonë ka vlerë të madhe përtej fotografisë si medium.
Festivali tashmë përfshin një program të pasur të fotografisë, duke na sjellë ekspozita të shumta nga artistë të njohur, si dhe të rinj që sjellin perspektiva unike dhe të freskëta. Nga data 30 gusht deri më 2 shtator do ta keni rastin të takoheni, të vizitojmë, të udhëtojmë nëpër vepra sikurse “Last Seen” apo “I parë së fundmi” nga Hrair Sarkisian dhe “Echoes Of The Past” apo “Jehona nga e kaluara” nga Atdhe Mulla, pastaj Korab Basha me “Keep Calm And Smile,” “Ji i qetë dhe buzëqesh” dhe disa ekspozita të jashtëzakonshme që përfshijnë punime nga Imre Szabó dhe Ilvy nga Seven Foundation, “The Ark Of Memory” dhe “Behind The Veil – Albania Through Isolation and Transition” nga Barry Lewis, nga Londra, i cili ndodhet po ashtu këtu sonte me neve.
Në vitin 2021, ne buxhetin për skenën e pavarur kulturore e kemi gjetur me 1 milion euro, kurse këtë vit shënon rritjen më të madhe ndonjëherë me 9 milionë euro, duke përfshirë sektorin e pavarur në kulturë dhe në trashëgimi kulturore. Qeveria e Republikës së Kosovës, së bashku me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i mbështesin fuqishëm organizimet e tilla të cilat e zhvillojnë artin, të cilat e ngrisin ndjeshmërinë dhe vetëdijen mbi të bukurën dhe në të njëjtën kohë duke kuptuar që nëpërmjet të bukurës, nëpërmjet estetikës edhe edukohet njeriu përveç se gëzohet. E do të vazhdojmë të qëndrojmë pas ngjarjeve që afrojnë dhe e bashkojnë publikun kosovar me artin.
Fotografia është historiani i heshtur i rrugëtimit tonë—çdo foto është një dëshmi e vlerave demokratike të Kosovës, të këtij populli, i cili ka vuajtur shumë, e megjithatë e ka fuqinë për të shikuar përpara dhe për të ecur përpara, me ç’rast pikërisht fotografia e kap edhe thelbin e rritjes sonë.
Krejt në fund me lejoni që t’i përshëndes edhe disa mysafirë të veçantë. I kemi gazetarët rezidentë këtu nga Ukraina, e herën e fundit në qendrën “Barabar” ku do ta shohim ekspozitën sonte, isha pikërisht atëherë kur u promovua një përmbledhje e fotografive të luftës nga atje.
Ju dëshiroj fillim të mbarë dhe vazhdim shumë të suksesshëm të këtij edicioni, edhe të edicionit tjetër të tretë vitin e ardhshëm. E ka disa autorë që mendojnë që karakteri i fëmijëve formohet deri në moshën tre vjeçare, mandej bëhen të pashpresë. Ndoshta është ashtu, por viti i dytë është me shumë shpresë.
Faleminderit Blerim!
Last modified: 30 Gusht, 2024