Bazhdarhane, Prizren, 8 maj 2025
Pas homazheve te varri i Komandant Drinit në Landovicë të Prizrenit, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe edhe te memoriali në lagjen Bazhdarhane, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja e tretë në detyrë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi dhe deputetë të Kuvendit.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të komandant Drinit për çlirimin e Kosovës. Çlirimtarin Ekrem Rexha, kryeministri e vlerësoi si strateg ushtarak e luftëtar të madh në njërën anë dhe veprimtar intelektual në anën tjetër.
Tutje, deklaroi se edhe 25 vite më vonë, drejtësia për Komandant Drinin është vonuar aq shumë saqë është mohuar.
“Edhe unë ju bëj thirrje organeve të drejtësisë që të merren me këtë çështje një orë e më parë dhe ta zbardhin rastin, meqenëse të kalosh në gjithë ato sfida të okupimit e të luftës e ta pësosh në mënyrë fatale pas luftës, është shumë e pikëllueshme edhe e kuptoj dhimbjen e madhe që e ka familja, por të jeni të sigurt që e ka i gjithë populli dhe shteti i Kosovës. E në këtë aspekt, Prokuroria edhe gjyqësori do të duhej që ta trajtojnë me urgjencë vrasjen e çlirimtarit Ekrem Rexha, komandantit Drini.” tha kryeministri.
Ai falënderoi familjen e Komandant Drinit për qëndresën e forcën përkundër sfidave dhe mallit për të dashurin e tyre të pazëvendësueshëm.
Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Ne, sot jemi në Prizren që ta shprehim mirënjohjen edhe falënderimin tonë të thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të Ekrem Rexhës, komandant Drinit, për çlirimin e Kosovës, se në njërën anë ka qenë edhe strateg ushtarak e luftëtar i madh, e në anën tjetër edhe veprimtar intelektual, i cili i ka impresionu tëgjithë bashkëbiseduesit vendorë e të huaj, përfshirë edhe ata që e kanë intervistu gjatë luftës e pas luftës dhe 25 vjet më vonë drejtësia për komandant Drinin është vonuar aq shumë saqë është mohuar.
Edhe unë ju bëj thirrje organeve të drejtësisë që të merren me këtë çështje një orë e më parë dhe ta zbardhin rastin, meqenëse të kalosh në gjithë ato sfida të okupimit e të luftës e ta pësosh në mënyrë fatale pas luftës, është shumë e pikëllueshme edhe e kuptoj dhimbjen e madhe që e ka familja, por të jeni të sigurt që e ka i gjithë populli dhe shteti i Kosovës.
E në këtë aspekt, Prokuroria edhe gjyqësori do të duhej që ta trajtojnë me urgjencë vrasjen e çlirimtarit Ekrem Rexha, komandantit Drini.
Faleminderit juve që jeni kaq të fortë e të qëndrueshëm përkundër sfidave të cilat kaloni dhe mallit të madh që keni për këtë njeri të pazëvendësueshëm.
Last modified: 8 Maj, 2025