Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi ekspozitën promovuese “Urat” për kulturën, traditën dhe trashëgiminë e Mbretërisë së Arabisë Saudite

2 Maj, 2025

Prishtinë, 2 maj 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në hapjen e ekspozitës promovuesë “Urat”, e cila do të jetë e hapur nga data 2 deri më 10 maj në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Kjo ekspozitë ofron një pasqyrë të kulturës arabe dhe të trashëgimisë së Mbretërisë së Arabisë Saudite, përmes ekspozitave, objekteve tradicionale dhe aktiviteteve të ndryshme kulturore.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Arabisë Suadite ndaj Kosovës, sidomos gjatë periudhave të vështira, duke e cilësuar si dëshmi të miqësisë së fortë e të sinqertë mes dy vendeve. Ai theksoi se sot Kosova dhe Arabia Saudite janë vende partnere, me marrëdhënie dypalëshe që forcohen dhe zgjerohet vazhdimisht në fusha të ndryshme.

“Po punojmë me përkushtim për të afruar më shumë popujt tanë përmes urave të bashkëpunimit në fushat e turizmit, arsimit, ekonomisë dhe kulturës. Gjatë viteve të fundit, mijëra qytetarë nga të dy vendet kanë vizituar njëri-tjetrin për arsye të ndryshme, qoftë për qëllime turizmi, biznesi apo fetare”, u shpreh ai.

Në ekspozitën e organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, kryeministri tha se jemi për të njohur e për të avancuar më tej bashkëpunimin tonë dhe gjithashtu kulturën, traditën dhe trashëgiminë e Arabisë Saudite, që po shpaloset edhe me këtë rast, teksa çdo ditë, natyrisht, angazhohemi për të forcuar urat e partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Arabisë Saudite.

“Në vitin e kaluar, në frymën e lehtësimit të këtij shkëmbimi dhe afrimit të mëtejshëm, u nënshkrua marrëveshja për fluturime direkte mes Kosovës dhe Arabisë Saudite, që reflekton nivelin në rritje të bashkëpunimit tonë”, tha kryeministri.

Sipas tij, kjo ekspozitë e hapur për herë të parë në Prishtinë, nuk do mund të kishte emër më përfaqësues për traditën arabe në përgjithësi dhe Mbretërinë e Arabisë Saudite në veçanti, se sa emri i tanishëm, “Urat”.

“Tradita arabe, nëse do të shpreheshim me gjuhën e historianit të madh e arabistit francez të shekullit të kaluar, Fernand Braudel, është ura historike që lidhë antikitetin grek dhe romak me modernitetin global”, tha ai.

Ndërkaq, në kontekstin e vendit tonë , kryeministri Kurti përmendi pasurinë e jashtëzakonshme kulturore, e cila përmes llojllojshmëria së saj në formë të krijimtarisë materiale dhe shpirtërore, përbën një vlerë universale që është çelës për krijim të ndërveprimit shoqëror dhe tejkalim të dallimeve ndërmjet komuniteteve të ndryshme që jetojnë në shtetin tonë.

Në përmbyllje të fjalës, kryeministri falënderoi Bashkësinë Islame të Kosovës për organizimin e kësaj ekspozite, e cila, siç tha ai, është një aktivitet i cili na afron më tej me kulturën e Arabisë Saudite.

“Bashkëpunimi i ngushtë me institucione shtetërore, komunitetin fetar, pronarët, artizanët, shoqërinë civile, e në veçanti me shtetet mike të Kosovës, është i një rëndësie të posaçme. Sot, në këtë ekspozitë të organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, teksa njoftohemi me vlerat e trashëgimisë kulturore të Mbretërisë së Arabisë Saudite, vlerat e njëri-tjetrit, ne të vërtetë krijojnë ura bashkëpunimi e bashkëveprimi me njëri-tjetrin. Andaj, dëshiroj të shpreh falënderimet e mia për Bashkësinë Islame të Kosovës, që na sjelli këtë ekspozitë si një aktivitet, i cili na afron më tej me kulturën dhe njohjen me Arabisë Saudite”, u shpreh në fund të fjalës së tij kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuar myfti Naim Tërnava,
I nderuar z. Ahmet Al Harbi, zëvendës ambasador i Arabisë Saudite në Tiranë,
I nderuar kryetar i Prishtinës, z. Përparim Rama,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,

Arabia Saudite ka qenë pranë popullit të Kosovës në momente kyçe të historisë sonë më të re. Mbështetja e ofruar nga ky shtet mik, sidomos gjatë periudhave të vështira, ka qenë thelbësore për Kosovën dhe është dëshmi e një miqësie të fortë e të sinqertë. Ne jemi thellësisht mirënjohës dhe mbetemi përherë falënderues.

Sot, dy vendet tona janë vende partnere, me marrëdhënie dypalëshe, që forcohen dhe zgjerohet vazhdimisht në fusha të ndryshme. Po punojmë me përkushtim për të afruar më shumë popujt tanë përmes urave të bashkëpunimit në fushat e turizmit, arsimit, ekonomisë dhe kulturës. Gjatë viteve të fundit, mijëra qytetarë nga të dy vendet kanë vizituar njëri-tjetrin për arsye të ndryshme, qoftë për qëllime turizmi, biznesi apo fetare.

Në vitin e kaluar, në frymën e lehtësimit të këtij shkëmbimi dhe afrimit të mëtejshëm, u nënshkrua marrëveshja për fluturime direkte mes Kosovës dhe Arabisë Saudite, që reflekton nivelin në rritje të bashkëpunimit tonë.

E kjo ekspozitë nuk do të mund të kishte emër më përfaqësues për traditën arabe në përgjithësi dhe Mbretërinë e Arabisë Saudite në veçanti, se sa emri i tanishëm, “Urat”.

Tradita arabe, nëse do të shpreheshim me gjuhën e historianit të madh e arabistit francez të shekullit të kaluar, Fernand Braudel, është ura historike që lidhë antikitetin grek dhe romak me modernitetin global.

Por, para kësaj është mbi të gjitha boshti ku ngjau kryqëzimi i mesazheve profetike. Oaza, ku Zoti dërgoi profetë që përcollën mesazhin e njëshmërisë dhe të bashkimit. Oaza, ku mendohej se si të bëhej një në barasvlerësim njerëzimi i vuajtur dhe i shpërndarë. Vendi, ku mesazhi profetik skllavit Bilal i dha lirinë dhe e trajtoi si njeri.

Është ura që mundëson takimin e zonave të mëdha kulturore dhe udhëve të pasura gjeografike. Mundëson takimin e Mesdheut e të Detit të Kuq me Oqeanin Indian, të Evropës me Afrikën dhe Azinë.

Përveç urës që lidhë, është edhe qendër që na bën të reflektojmë. Nga fjala e Zotit e te drejtësia politike, si ajo me Jerusalemin për shekuj me radhë, ne gjejmë një traditë që nderon të kaluarën dhe i jep të ardhmes së njerëzimit mesazhin e paqes dhe të unitetit.

E ne jemi këtu për të njohur e për të avancuar më tej bashkëpunimin tonë dhe gjithashtu kulturën, traditën dhe trashëgiminë e Arabisë Saudite, që po shpaloset edhe me këtë rast, teksa çdo ditë, natyrisht, angazhohemi për të forcuar urat e partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Arabisë Saudite.

Vendi ynë ka një pasuri të jashtëzakonshme kulturore, llojllojshmëria e së cilës sot shprehet në formë të krijimtarisë materiale dhe shpirtërore, e trashëguar nga e kaluara jonë. Ne e njohim dhe vlerësojmë pasurinë e shumëllojshme të shtetit tonë. Kjo është vlerë universale dhe çelës për krijim të ndërveprimit shoqëror dhe tejkalim të dallimeve ndërmjet komuniteteve të ndryshme, që jetojnë në këtë shtetin tonë. Jemi të përkushtuar që të vendosim kulturën dhe trashëgiminë kulturore në qendër të parimeve themelore të bashkëjetesës, respektit të ndërsjellë dhe zhvillim të shoqërisë demokratike.

Bashkëpunimi i ngushtë me institucione shtetërore, komunitetin fetar, pronarët, artizanët, shoqërinë civile, e në veçanti me shtetet mike të Kosovës, është i një rëndësie të posaçme. Sot, në këtë ekspozitë të organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, teksa njoftohemi me vlerat e trashëgimisë kulturore të Mbretërisë së Arabisë Saudite, vlerat e njëri-tjetrit, ne të vërtetë krijojnë ura bashkëpunimi e bashkëveprimi me njëri-tjetrin. Andaj, dëshiroj të shpreh falënderimet e mia për Bashkësinë Islame të Kosovës, që na sjelli këtë ekspozitë si një aktivitet, i cili na afron më tej me kulturën dhe njohjen me Arabisë Saudite.

Ju faleminderit.

Last modified: 2 Maj, 2025

Comments are closed.