Prishtinë, 28 prill 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në nderim të veprimtarit dhe ish-deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ali Lajçi.
Në hyrje të fjalës së tij, kryeministri u shpreh: “Ja ku u bë një vit nga vdekja e Ali Lajçit, veprimtarit shqiptar, politikanit aktiv që u nda nga ne më 28 prill 2024. Në historinë politike moderne të Kosovës, ka një gjeneratë të aktivistëve politikë që rëndom u janë referuar si Brezi i ’81-shit, e të cilët kanë patur fatin të angazhohen politikisht në tre periudha aq të ndryshme prej njëra tjetrës.”
Në këto periudha bëjnë pjesë dekada e viteve të ’80-ta me demonstrata dhe parulla e trakte politike pasuar me burgosje politike shumëvjeçare, dekada e viteve të ’90-ta me organizimin e rezistencës paqësore e pastaj edhe atë të armatosur deri në luftën çlirimtare të UÇK-së, dhe dy dekadat e shekullit XXI, ku u shpall pavarësia dhe u shtetndërtua republika.
“Pikërisht në demonstratat e vitit 1981, Ali Lajçi u shqua si veprimtar politik, për çka ai u dënua me 15 vite burg, prej të cilave i mbajti 10. Gjatë periudhës së burgosjes, më 8 mars 1985, Ali Lajçi ishte njëri nga pesë të burgosurit që e hartuan dhe e nënshkruan letrën e gjatë të titulluar “Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion”, tha kryeministri Kurti.
Letrën e nënshkruar të Ali Lajçit bashkë me Hydajet Hysenin, Zijah Shemsiun, Bajram Kosumin dhe Gani Kocin, e të dërguar nga burgu qendror në Beograd, kryeministri e cilësoi si letër që mund të lexohet gati edhe si një traktat emblematik i kohës, testament politik i shkruar më i rëndësishëm i brezit të vitit ’81.
“Plot 23 vite pasi e kishin nënshkruar këtë letër, katër nga të burgosurit do ta nënshkruanin edhe Deklaratën e Pavarësisë. Nga njëri nënshkrim në tjetrin janë 23 vite ndërmjet, që të gjitha të mbushura me aktivizëm politik për liri dhe shtetndërtim”.
Kryeministri Kurti përshkoi dhe jetën e veprimtarinë politike të Ali Lajçit si Kryetar i Komunës së Pejës mes viteve 2001 dhe 2007, kurse pas kësaj ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës në disa legjislatura. Duke kujtuar bashkëpunimin me të si deputetë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Republikës, kryeministri tha se “Përvoja e gjatë dhe aq e pasur nga angazhimi i tij politik, ishte shumë e dukshme tek ai, kurse shumë e dobishme për ne që e kishim bashkëpunëtor edhe përtej të qenët kolegë në institucionet e shtetit. Kjo ndjesi e ka përcjellur çdo takim dhe komunikim timin me të, përherë nga atëherë e deri në fund, për çfarë jam falënderues e mirënjohës përjetë.”
Gjatë fjalimit të tij, kryeministri Kurti kujtoi edhe se më 5 maj, sot një javë, mbushen 40 vite nga rënia e Zija Shemsiut e vrasjes së tij në burg.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Fiqerie, të dashur Ngadhnjim, Arbëresha e Gent,
Të nderuar familjarë të Ali Lajҫit,
Të nderuar Profesor Jeton Kelmendi, Zymer Neziri dhe Hydajet Hyseni,
Të nderuar bashkëveprimtarë, kolegë, miq të Bacës Ali,
Të nderuar aktivistë dhe ish të burgosur politikë të të gjitha gjeneratave,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Ja ku u bë një vit nga vdekja e Ali Lajçit, veprimtarit shqiptar, politikanit aktiv që u nda nga ne më 28 prill 2024. Në historinë politike moderne të Kosovës, ka një gjeneratë të aktivistëve politikë që rëndom u janë referuar si Brezi i ’81-shit, e të cilët kanë patur fatin të angazhohen politikisht në tre periudha aq të ndryshme prej njëra tjetrës.
Konkretisht, ata u angazhuan edhe në dekadën e viteve të ’80-ta me demonstrata dhe parulla e trakte politike pasuar me burgosje politike shumëvjeçare, edhe në dekadën e viteve të ’90-ta me organizimin e rezistencës paqësore e pastaj edhe atë të armatosur deri në luftën çlirimtare të UÇK-së, edhe me dy dekadat e shekullit XXI, ku u shpall pavarësia dhe u shtetndërtua republika.
Ali Lajçi i takonte pikërisht kësaj gjenerate, historia e së cilës shtrihet në tri periudha. I lindur në Malaj të Rugovës, 70 vite më parë, më 3 janar të vitit 1955, Ali Lajçi ka qenë politikisht aktiv gjatë gjithë jetës së tij. Ka një foto të mirënjohur të shkrepur nga asokohe autoritetet e sigurimit jugosllav, më 26 mars të vitit 1981, në qendër të Prishtinës, ku shihen mijëra studentë duke demonstruar e mes tyre, në atë fotografi, në rresht të parë është Ali Lajçi, me kostum të zi dhe me mjekër.
Pikërisht në demonstratat e vitit 1981, Ali Lajçi u shqua si veprimtar politik, për çka ai u dënua me 15 vite burg, prej të cilave i mbajti 10. Gjatë periudhës së burgosjes, më 8 mars 1985, Ali Lajçi ishte njëri nga pesë të burgosurit që e hartuan dhe e nënshkruan letrën e gjatë të titulluar “Ngjarjet në Kosovë nuk janë kundërrevolucion”.
Përmes kësaj letre, Ali Lajçi bashkë me Hydajet Hysenin, Zijah Shemsiun, Bajram Kosumin dhe Gani Kocin, i drejtoheshin atëbotë Kryesisë së Jugosllavisë, nga burgu qendror në Beograd. Kjo letër e gjatë, e cila mund të lexohet gati edhe si një traktat emblematik i kohës, është testament politik i shkruar më i rëndësishëm i brezit të vitit ’81. Plot 23 vite pasi e kishin nënshkruar këtë letër, katër nga të burgosurit do ta nënshkruanin edhe Deklaratën e Pavarësisë. Nga njëri nënshkrim në tjetrin janë 23 vite ndërmjet, që të gjitha të mbushura me aktivizëm politik për liri dhe shtetndërtim. Me këtë rast, le të kujtojmë që sot një javë, më 5 maj, mbushen 40 vite nga rënia e Zija Shemsiut e vrasjes së tij në burg.
Pas luftës, Ali Lajçi ishte Kryetar i Komunës së Pejës mes viteve 2001 dhe 2007, kurse pas kësaj ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës në disa legjislatura. Me Ali Lajçin jam njohur dhe kam bashkëpunuar kur ai na u bashkëngjit si deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Republikës, mirëpo përvoja e gjatë dhe aq e pasur nga angazhimi i tij politik, ishte shumë e dukshme tek ai, kurse shumë e dobishme për ne që e kishim bashkëpunëtor edhe përtej të qenët kolegë në institucionet e shtetit. Kjo ndjesi e ka përcjellur çdo takim dhe komunikim timin me të, përherë nga atëherë e deri në fund, për çfarë jam falënderues e mirënjohës përjetë.
Me mirënjohje dhe nderime u kujtoftë Ali Lajçi, mes shokëve dhe bashkëpunëtorëve të tij të çështjes kombëtare shqiptare në historinë politike të Kosovës.
Ju falemnderit.
Last modified: 28 Prill, 2025