Prishtinë, 17 prill 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen lamtumirëse të organizuar për ish të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Keisuke Yamanaka. Me këtë rast, iu urua mirëseardhja edhe të ngarkuarit të ri me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Hiroyasu Tanigaki.
“Lamtumirat janë gjithmonë të hidhura, por ato ofrojnë gjithashtu një mundësi për të reflektuar – këtë herë për vitet e thellimit të lidhjeve dhe arritjeve që i kanë bërë bashkë vendet tona. Jam i nderuar që jam këtu sonte për të njohur kontributin e të Ngarkuarit me Punë në largim, z. Keisuke Yamanaka, dhe për të mirëpritur ngrohtësisht z. Hiroyasu Tanigaki, ndërsa vazhdojmë të ndërtojmë këtë partneritet të fortë dhe në rritje”, u shpreh kryeministri Kurti.
Ai shtoi se Japonia mbetet një nga miqtë tanë më të ngushtë dhe Kosova është krenare që mbështet vizionin e Japonisë për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur, dhe ne aspirojmë të jemi partneri më i besueshëm i Japonisë në Evropën Juglindore, teksa kemi shënuar tashmë gjashtëmbëdhjetë vjet të marrëdhënieve diplomatike me Japoninë që është një nga vendet e para aziatike që njohu pavarësinë e Kosovës.
“Që nga viti 2020, Japonia ka një ambasadë në Prishtinë, dëshmi kjo e marrëdhënieve tona gjithnjë e më të ngushta. Z. Keisuke Yamanaka ka kontribuar shumë në këtë përparim. Ai luajti një rol kyç në sigurimin e zbatimit të iniciativave të rëndësishme, veçanërisht nëpërmjet Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), në fusha të tilla si mbrojtja e mjedisit, gatishmëria ndaj fatkeqësive si dhe shkëmbimi kulturor dhe arsimor”, tha kryeministri Kurti.
Në vijim, kryeministri theksoi se z. Yamanaka mbështeti vizitën e tij zyrtare në Tokio në shtator 2022 për të marrë pjesë në Funeralin Shtetëror të Kryeministrit Shinzo Abe, si dhe që ndihmoi në realizimin e vizitës së parë historike të Ministres së Jashtme të Japonisë, Yoko Kamikawa në Prishtinë. Shtoi se ky vit është i veçantë për ne, pasi Kosova do të marrë pjesë në Expo 2025 në Osaka, duke iu bashkuar mbi 160 vendeve dhe rajoneve në paraqitjen e arritjeve tona teknologjike dhe kulturore.
“Përtej lidhjeve tona të forta diplomatike, sektori i TIK-ut dhe progresi ekonomik i Kosovës ofrojnë mundësi premtuese për bashkëpunim. Nga projektet infrastrukturore si autostrada Prishtinë-Durrës deri tek sipërmarrjet teknologjike, ekziston potencial i madh. Kosova tashmë është shtëpi e fabrikës më të madhe në Evropë të kërpudhave shiitake, e themeluar nga një kompani japoneze. Shpresojmë që të jetë një nga shembujt e shumtë të investimeve të suksesshme”, përfundoi kryeministri.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Shkëlqesia juaj ambasador Kiminori Iwama, ambasador jorezident i Japonisë në Kosovë,
I nderuari Keisuke Yamanaka, ish i Ngarkuar me Punë,
I nderuari Hiroyasu Tanigaki, i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë,
Të nderuar deputetë, ministra dhe zëvendësministra të qeverisë,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Republikën e Kosovës,
Të nderuar të ftuar,
Zonja dhe zotërinj,
Lamtumirat janë gjithmonë të hidhura, por ato ofrojnë gjithashtu një mundësi për të reflektuar – këtë herë për vitet e thellimit të lidhjeve dhe arritjeve që kanë bashkuar vendet tona. Jam i nderuar që jam këtu sonte për të njohur kontributin e të Ngarkuarit me Punë në largim, z. Keisuke Yamanaka, dhe për të mirëpritur ngrohtësisht z. Hiroyasu Tanigaki ndërsa vazhdojmë të ndërtojmë këtë partneritet të fortë dhe në rritje.
Ne kemi shënuar tashmë gjashtëmbëdhjetë vjet të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Japonisë – një nga vendet e para aziatike që njohu pavarësinë e Kosovës, vetëm një muaj pas shpalljes sonë në vitin 2008. Sot Japonia mbetet një nga miqtë tanë më të ngushtë. Nga ana tjetër, Kosova është krenare që mbështet vizionin e Japonisë për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur, dhe ne aspirojmë të jemi partneri më i besueshëm i Japonisë në Evropën Juglindore.
Japonia ka një ambasadë në Prishtinë që nga viti 2020, një dëshmi e marrëdhënieve tona gjithnjë e më të ngushta. Z. Keisuke Yamanaka ka kontribuar shumë në këtë përparim. Ai luajti një rol kyç në sigurimin e zbatimit të iniciativave të rëndësishme, veçanërisht nëpërmjet Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), në fusha të tilla si mbrojtja e mjedisit, gatishmëria ndaj fatkeqësive dhe shkëmbimi kulturor e arsimor.
Në muzikë, mbështetja për Orkestrën tonë Filharmonike dhe në sport për xhudistët tanë të artë janë shumë të vlerësuara.
- Yamanaka mbështeti vizitën time në Tokio në shtator 2022 për të marrë pjesë në Funeralin Shtetëror të Kryeministrit Shinzo Abe, për të respektuar një lider që punoi për ta afruar Kosovën dhe rajonin me Bashkimin Evropian. Z. Yamanaka ndihmoi edhe vizitën e parë historike të Ministres së Jashtme të Japonisë, zonja Yoko Kamikawa në Prishtinë.
Ky vit është veçanërisht i veçantë për ne, pasi Kosova do të marrë pjesë në Expo 2025 në Osaka, duke iu bashkuar mbi 160 vendeve dhe rajoneve në shfaqjen e arritjeve tona teknologjike dhe kulturore.
Personalisht, nuk e kam fshehur kurrë admirimin tim për Japoninë. Nga bukuria e malit Fuji dhe lulet e qershisë, trashëgimia e tij e pasur kulturore, traditat e lashta dhe historia magjepsëse, tek inovacioni teknologjik i së ardhmes dhe gjigantët letrarë bashkëkohorë si Haruki Murakami dhe artisti i zgjuar i mangas si Hayao Miyazaki — Japonia vazhdon të frymëzojë botën.
Përtej lidhjeve tona të forta diplomatike, sektori i TIK-ut dhe progresi ekonomik i Kosovës ofrojnë mundësi premtuese për bashkëpunim. Nga projektet infrastrukturore si autostrada Prishtinë-Durrës deri tek sipërmarrjet teknologjike, ka një potencial të madh. Kosova tashmë është shtëpia e fabrikës më të madhe në Evropë të kërpudhave shiitake, e themeluar nga një kompani japoneze. Shpresojmë që të jetë një nga shembujt e shumtë të investimit të suksesshëm.
Në këtë moment të reflektimit dhe përparimit të mëtejmë, ne mirëpresim ngrohtësisht z. Hiroyasu Tanigaki dhe presim me padurim një bashkëpunim të frytshëm.
Faleminderit shumë, arigato, ju faleminderit!
Last modified: 18 Prill, 2025