Zyra e Kryeministrit

Adresimi i kryeministrit Kurti në mbledhjen e 258-të të Qeverisë së Kosovës

16 Prill, 2025

Prishtinë, 16 prill 2025

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të kryeministrisë,
Të nderuara medie të pranishme,
Të dashur qytetarë,

Konstituimi i Kuvendit dje u pamundësua, sepse partitë opozitare, PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK, nuk votuan për verifikimin e mandateve të tyre si deputetë.

Në thelb, ata që nuk pranuan që formalisht të marrin mandatin e deputetit, po kërkojnë nga unë që formalisht të mos jem kryeministër.

Qeveria jonë, ky kabinet qeveritar, është në detyrë dhe efektivisht e dorëhequr që nga 23 marsi i këtij viti kur edhe e kemi përmbushur mandatin e rregullt dhe të plotë katërvjeçar. Nga ajo ditë e deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga legjislatura e nëntë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Qeveria jonë ushtron të gjitha përgjegjësitë që i takojnë pushtetit ekzekutiv në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kjo e vendos qeverinë në një rol kujdestar, për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit tonë, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës.

Krahas përmbushjes së mandatit të plotë qeverisës që na vë në rol kujdestar deri në formimin e qeverisë së re, unë, në emër të kabinetit qeveritar, dje i jam drejtuar Kuvendit të Republikës sonë me një letër përmes së cilës e kam njoftuar për statusin e qeverisë sonë pas datës 23 mars 2025 dhe për dorëheqjen time nga posti ekzekutiv, veçse efektiv nga ajo datë dhe sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

Më shumë se kaq, nuk është e mundur të jepet dorëheqje. Më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucionit, do të ishte vakum institucional, papërgjegjësi politike dhe rrezikim i sigurisë kombëtare. Është kërkesë dhe insistim, e thënë së buti i pamatur për të lënë shtëpinë pa zot shtëpie.

Të dashur qytetarë,

Ligji për Qeverinë e bën të qartë se një qeveri në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e saj (neni 30), ndonëse të kufizuara (neni 31), deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Mbledhja sot, dhe ushtrimi i kompetencave të tjera qeveritare, janë plotësisht të lejueshme, madje edhe të detyrueshme, sipas Ligjit.

Pra, ne kemi funksione të kufizuara por assesi nuk mund të ketë ndalim funksionimi. Shteti nuk mund të ketë vakum qeverisje. Qeveria nuk mund të ketë ndalesë funksionimi.
Kemi nga e kaluara shembullin e ish-kryeministrit Thaçi, që ndonëse kishte dhënë betimin e deputetit në korrik të vitit 2014, kishte vazhduar të jetë kryeministër në detyrë deri në dhjetor të atij viti kur u pat votuar qeveria e re.

E kemi shembullin e ish-kryeministrit Haradinaj i cili dha dorëheqje në korrik të vitit 2019, vetëm për të vazhduar tutje si kryeministër në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë Kurti 1 në shkurt të vitit 2020.

Gjithashtu e kemi shembullin e ish-kryeministrit Hoti, i cili mbeti në detyrë deri në formimin e Qeverisë Kurti 2 në mars të vitit 2021, përkundër faktit që qeveria e tij u shpall e jashtëligjshme nga Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit 2020.

Pra në historikun tonë të formimit të institucioneve, kemi shembuj nga e kaluara kur një qeveri e udhëhequr nga PDK – ndonëse me kuvend të shpërndarë -, një qeveri e udhëhequr nga AAK – ndonëse e dorëhequr -, dhe një qeveri e udhëhequr nga LDK – ndonëse e shpallur si e jashtëligjshme – kanë qëndruar në detyrë deri në formimin e qeverisë së re. Por një qeveri e udhëhequr nga Lëvizja VETËVENDOSJE! – ndonëse ka përmbushur mandatin e saj të rregullt katërvjeçar – na u dashka të largohet nga zyrat e saj një orë e më parë?!

Si fitues të padiskutueshëm të zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, jemi shumë të interesuar që të ecim përpara drejt formimit të institucioneve të legjislaturës së nëntë, dhe atë sa më parë, menjëherë.

Si qeveri në detyrë jemi shumë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm që mos të lejojmë vakum institucional, jo për një ditë, jo për një orë, por as për një minutë të vetëm.

Përkundër thirrjeve të papërgjegjshme opozitare dje për pezullim të shtetit, shteti funksionon: prej arrestimit të kriminelëve serbë, te digjitalizimi i arkave fiskale e te publikimi në Shkodër i projektit të hekurudhës Prishtinë-Durrës me 14 tunele, 43 ura, 7 stacione të reja dhe me gjatësi gati 106 kilometra.

Funksionon edhe sot shteti me vendimet që kemi para vetes në rendin e ditës për mbledhjen e 258-të, në të cilën do ta kemi për shqyrtim Bordin e ri të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor”, huamarrjen për Telekomin e Kosovës, Planin e Veprimit për zbatimin e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom dhe Ashkali, propozimin preliminar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme për nevoja të Institucioneve Qendrore të Sigurisë së Republikës së Kosovës në Komunën e Prizrenit dhe Malishevës, e të tjera, e të tjera.

I siguroj qytetarët se përtej zhurmës opozitare dhe disa medieve të ish-regjimit dhe të oligarkëve që madje kanë shkuar aq larg sa i kanë regjistruar bizneset në Serbi, Republika e Kosovës, atdheu ynë, po ecën përpara në ekonomi e demokraci, me ren, me ligj e me siguri e paqe për të gjithë.

Ju faleminderit.

 

 

Last modified: 16 Prill, 2025

Comments are closed.