Kaçanik, 9 prill 2025
Pas homazheve në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Koshares”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vazhdoi për në Kaçanik, për të nderuar 28 dëshmorët dhe 32 martirët në 26-vjetorin e rënies së tyre.
Më 9 prill 1999, Kaçaniku u rrethua nga forcat e ushtrisë dhe policisë së Serbisë, që sulmonin popullatën civile, e granatonin nga të gjitha anët. Në betejat në Lagjen e Re dhe në Rakoc ranë heroikisht 28 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u vranë 32 martirë.
Ai fillimisht bëri homazhe dhe mori pjesë në manifestimin përkujtimor në Lagjen e Re, ku tha se kemi ardhur për të nderuar të gjithë dëshmorët dhe martirët në betejat e Kaçanikut.
“Nderojmë në veçanti katër gratë dëshmore të cilat ranë duke mbrojtur popullsinë civile. Kujtojmë katër ushtaret e UÇK-së që ranë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike të Serbisë: Emsale Frangu, Jehona Raka, Lumnije Raka dhe Mukadeze Lika Muhaxheri. I përkujtojmë sot, në 26-vjetorin e rënies. I kujtojmë gjithmonë çdonjërën prej tyre të gjithë ne”, deklaroi kryeministri në fjalën e tij.Ai kujtoi se muaji prill është muaj i përkujtimeve të viktimave të masakrave, të krimeve dhe gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë. “Kujtojmë me nderim dhe dhimbje civilët e vrarë dhe të zhdukur me dhunë gjatë javës së parë të prillit 1999 në Rezallë të Drenicës, në Lybeniq të Pejës, në Çabrat të Gjakovës, në Fushë Kosovë, në Sopi të Suharekës, në masakrën e tmerrshme mbi familjen Vejsa në Gjakovë, në masakrën në Llovcë të Gjilanit, Kralan të Gjakovës, në Reznik të Vushtrrisë, në Mojstir e Cërcë të Istogut, në Popovë të Podujevës, në malet e Çabiqit, në Polac, e në fshatin Rashiq të Pejës”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se prokuroria dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë, përkundër kushteve të përmirësuara, pagave të larta dhe dyfishimit të hetuesve, nuk janë aktivë as sa munden se lëre më sa nevojiten.
Me përkushtimin tim për ta ruajtur trashëgiminë e luftës çlirimtare, duke nderuar sakrificat e popullit tonë për liri, vijoi kryeministri, po angazhohemi të gjithë bashkë me vendosmëri për një Kosovë të drejtësisë, paqes dhe përparimit:
“Për herë të parë që nga përfundimi i luftës, kemi miratuar Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale. Kemi konsoliduar bazën ligjore dhe kemi forcuar kapacitetet institucionale për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës. Dokumentimi i të gjitha krimeve monstruoze të Serbisë gjenocidale në Kosovë, po bëhet nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Për herë të parë, regjistrimi i popullsisë i zhvilluar në fund të vitit të kaluar në Republikën e Kosovës ka përfshirë edhe evidentimin e humbjeve dhe vuajtjeve të përjetuara gjatë luftës”.
Nga Lagjja e re, kryeministri Kurti vazhdon për në Rakoc të Kaçanikut, ku do të marrë pjesë në manifestimin përkujtimor të organizuar atje.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të dashur familjarë të dëshmorëve e martirëve të Kaçanikut,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ministra e zëvendësministra, përfaqësues të institucioneve shtetërore,
I nderuari Kryetar i Komunës së Kaçanikut, z. Besim Ilazi,
Të nderuar drejtorë e asambleistë të Kuvendit Komunal,
Të nderuar invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta çlirimtare,
Të nderuara zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,
Po vijmë nga Kosharja, ku nderohet 26-vjetori i betejës epike, e cila e shembi kufirin që i ndante shqiptarët dhe i dha hov të jashtëzakonshëm çlirimit të Kosovës.
Jemi këtu në Kaçanik për të nderuar kujtimin e burrave dhe grave që lanë pas trashëgimi të pashembullt të guximit dhe të dashurisë për atdheun. Në mëngjesin e 9 prillit 1999, Kaçaniku agoi i rrethuar nga forcat e ushtrisë dhe policisë së Serbisë, që sulmonin popullatën civile, e granatonin nga të gjitha anët. Në betejat në Lagjen e Re dhe në Rakoc ranë heroikisht 28 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u vranë 32 martirë.
Jemi këtu për të nderuar të gjithë dëshmorët dhe martirët në betejat e Kaçanikut. Nderojmë në veçanti katër gratë dëshmore të cilat ranë duke mbrojtur popullsinë civile. Kujtojmë katër ushtaret e UÇK-së që ranë në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat armike të Serbisë: Emsale Frangu, Jehona Raka, Lumnije Raka dhe Mukadeze Lika Muhaxheri. I përkujtojmë sot, në 26-vjetorin e rënies. I kujtojmë gjithmonë çdonjërën prej tyre të gjithë ne.
Jemi në Kaçanikun e 7 shtatorit 1990, ku delegatët e Kuvendit të Kosovës, miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe shpallën Republikën e Kosovës, si shtet demokratik të kombit shqiptar dhe të pjesëtarëve të kombeve dhe pakicave kombëtare, shtetasve të vet, me territor unik, të patjetërsueshëm dhe të pandashëm.
Të dashura motra dhe vëllezër,Jemi në prill, në muajin e përkujtimeve të viktimave të masakrave, të krimeve dhe gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë. Kujtojmë me nderim dhe dhimbje civilët e vrarë dhe të zhdukur me dhunë gjatë javës së parë të prillit 1999 në Rezallë të Drenicës, në Lybeniq të Pejës, në Çabrat të Gjakovës, në Fushë Kosovë, në Sopi të Suharekës, në masakrën e tmerrshme mbi familjen Vejsa në Gjakovë, në masakrën në Llovcë të Gjilanit, Kralan të Gjakovës, në Reznik të Vushtrrisë, në Mojstir e Cërcë të Istogut, në Popovë të Podujevës, në malet e Çabiqit, në Polac, e në fshatin Rashiq të Pejës.
Për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, kemi zhvilluar bazën ligjore të munguar për shumë vite dhe kemi rritur kapacitetet e institucioneve për adresim efikas të tyre.
Për hetimin dhe të vërtetën, me strukturën e re të miratuar të Policisë të Kosovës, hetimet për krimet e luftës i kemi ngritur në nivel drejtorie, me 41 zyrtarë hetues, nga 19 sosh sa ishin më herët. Me rritjen e numrit të hetuesve, po rritet edhe numri i dëshmitarëve të intervistuar për krimet e luftës.
Në shërbim të drejtësisë për këto krime, kemi bërë ndryshimet e nevojshme ligjore që mundësojnë gjykimin në mungesë të kriminelëve serbë të luftës.
Nga viti 2021, departamenti për hetimin e krimeve të luftës ka rritur numrin e aktakuzave të ngritura. Në vitin 2023, janë ngritur 15 aktakuza për krime lufte e janë akuzuar 68 persona. Gjatë vitit të kaluar, pra 2024, janë ngritur 14 aktakuza ndaj 25 serbëve të dyshuar për krime lufte. Prej tyre, gjashtë aktakuza janë ngritur në mungesë për 11 serbë, ndërsa shtatë të tjera ndaj 13 serbëve të arrestuar.
Është bërë më shumë se në të kaluarën, por kjo është ende pak sa shumë që duhet bërë. Prokuroria dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë, përkundër kushteve të përmirësuara, pagave të larta dhe dyfishimit të hetuesve, nuk janë aktivë as sa munden se lëre më sa nevojiten.
Me përkushtimin tim për ta ruajtur trashëgiminë e luftës çlirimtare, duke nderuar sakrificat e popullit tonë për liri, po angazhohemi të gjithë bashkë me vendosmëri për një Kosovë të drejtësisë, paqes dhe përparimit.
Për herë të parë që nga përfundimi i luftës, kemi miratuar Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale. Kemi konsoliduar bazën ligjore dhe kemi forcuar kapacitetet institucionale për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës.
Dokumentimi i të gjitha krimeve monstruoze të Serbisë gjenocidale në Kosovë, po bëhet nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Për herë të parë, regjistrimi i popullsisë i zhvilluar në fund të vitit të kaluar në Republikën e Kosovës ka përfshirë edhe evidentimin e humbjeve dhe vuajtjeve të përjetuara gjatë luftës.
Përgjegjësia jonë për të vërtetën, historinë dhe drejtësinë për të vrarët është e përhershme, ashtu siç është edhe angazhimi ynë për zhvillimin e Republikës sonë, ne si qeveri, institucionet në përgjithësi dhe mbarë shoqëria e popullit.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për dëshmorët dhe martirët e kombit tonë në Kaçanik dhe gjithandej!
Lavdi!
Last modified: 9 Prill, 2025