Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti u takua në Panairin e Hanoverit me Kryeministrin e Baden-Württemberg-ut, Winfried Kretschmann

31 Mars, 2025

 

Hanover, 31 Mars 2025

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari, u takua sot me Kryeministrin e landit të Baden-Württemberg-ut, Winfried Kretschmann, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Hanoverit.

Kryeministri Kretschmann e mirëpriti Kryeministrin Kurti dhe theksoi marrëdhëniet e mira dhe të ngushta mes Baden-Württemberg-ut dhe Kosovës, të cilat janë forcuar edhe më tej nga prania e madhe e komunitetit shqiptar në këtë land, me mbi 150 mijë shqiptarë që jetojnë dhe kontribuojnë atje.

Kryeministri Kurti e falënderoi për mikpritjen dhe tha se është hera e dytë që merr pjesë në këtë panair, duke shprehur kënaqësinë që edhe këtë vit më shumë se një duzinë ndërmarrjesh nga Kosova – kryesisht nga sektori i përpunimit të metaleve dhe ai i teknologjisë së informacionit – po marrin pjesë në stendën e përbashkët të Kosovës.

Gjatë takimit, të dy kryeministrat diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Baden-Württemberg-ut, duke u dakorduar për të punuar në fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tregtare dhe investuese. Po ashtu, u theksua rëndësia e zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit kulturor mes dy palëve.

Last modified: 31 Mars, 2025

Comments are closed.