Prishtinë, 26 mars 2025
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Në takim u bisedua për punën dhe angazhimin e Komisionit Qeveritar dhe organizatave të autorizuara në një proces shumë të rëndësishëm e të ndjeshëm për njohjen dhe mbështetjen e të mbijetuarave e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Bazuar në rekomandimet e Komisionit, u dakordua vazhdimi i procesit të aplikimit për dy vite.
U theksua nevoja për inkurajimin e mëtejshëm të të mbijetuarave për të aplikuar për njohjen e statusit të tyre. Në takim u tha se një diskutim më i gjerë publik mbi këtë çështje mund të jetë i nevojshëm, duke synuar një proces sa më të hapur dhe gjithëpërfshirës në trajtimin e nevojave dhe të drejtave të të mbijetuarave/ve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Në takimin e përbashkët me nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci dhe Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të pranishëm ishin kryesuesja e Komisionit Qeveritar, Leonora Selmani dhe anëtarët e Komisionit: Xhevahire Balaj , Feride Podvorica, Mentor Borovci, Nazmije Kajtazi, lir Gutaj, Jeta Krasniqi, Shpend Haxhibeqiri dhe Kreshnik Oseku.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mënyrat për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet Komisionit, organizatave të autorizuara (KRCT, Medica Kosova, Medica Gjakovë dhe Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave, Drenas), si dhe me zyrat komunale të Departamentit të Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të Luftës.
Last modified: 26 Mars, 2025